U lansua platforma e parë rajonale e e-commerce “Ecommerce4all.eu”
Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është prapa Serbisë por përpara Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi në përqindje të popullsisë që bën blerje online. Krahasuar me vendet fqinje, Kosova renditet e para në Evropë me 77% të blerësve online që i blejnë rrobat online, e ndjekur nga Mali i Zi me 71%, ndërsa Maqedonia e Veriut me 57%, BiH me 56% dhe Serbia me 52% janë nën mesataren evropiane. Tatimi mbi fitimin si përqindje e fitimit tregtar është më i lartë në Shqipëri – 14.1%, dhe më i ulëti në Mal të Zi – 8.3%, ndërsa koha e nevojshme për eksport dhe import të produkteve është më e shkurtra në Moldavi. Këto dhe shumë fakte dhe informacione të tjera biznesi në lidhje me drejtimin e një biznesi e-commerce që nga sot janë zyrtarisht të disponueshme në platformën e parë rajonale të e-commerce “E-commerce për të gjithë” – ecommerce4all.eu.
Platforma rajonale është zhvilluar nga Shoqata e Tregtisë elektronike të Maqedonisë si zbatues kryesor në bashkëpunim me shoqatat e e-commerce dhe organizatat nga industritë përkatëse nga CEFTA, ose më saktë me partnerët e mëposhtëm nga Shqipëria: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë (CCIT) dhe Shoqata Shqiptare e e-commerce, nga Bosnja dhe Hercegovina: Shoqata e e-commerce e Bosnje & Hercegovinës dhe Shoqata e-Comm e BiH, nga Kosova: Shoqata e Teknologjise se Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), nga Moldavia: Dhoma Amerikane e Tregtisë në Moldavi, nga Mali i Zi: Dhoma Ekonomike e Malit të Zi, dhe nga Serbia: Shoqata e e-commerce e Serbisë.
Platforma, e cila është zgjerim rajonal i iniciativës maqedonase “Ecommerce4All”, nga sot do të jetë në dispozicion në Serbi, Bosnjë & Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Moldavi.
Përdoruesit nga rajoni do të mund të përdorin falas platformën rajonale të e-commerce – ecommerce4all.eu, nga e cila i pari nga pesë modulet tashmë është i disponueshëm – moduli “E-commerce Data”. Moduli paraqet gjendjen e e-commerce në tregjet e CEFTA-s përmes statistikave dhe të dhënave të tjera (grafikë interaktivë të gjendjes së e-commerce në secilin treg dhe krahasime të blerësve online, indeksi UNCTAD B2C e-readiness – tregtisë dhe të dhëna të tjera relevante të Eurostat), informacion në lidhje me gatishmërinë e vendeve për të kryer biznes ne formen e-commerce, informacion se sa shpesh, sa dhe ku blejnë blerësit në internet, etj. Këto të dhëna mund të ndihmojnë kompanitë të përmirësojnë veprimtarinë e tyre në tregjet lokale, por më e rëndësishmja, mund t’u shërbejnë planeve të tyre për t’u zgjeruar në tregje të tjera në rajonin e CEFTA-s.
Përveç këtij moduli, platforma do të përmirësohet me katër module të tjera në të ardhmen. Nga të gjitha këto, tre modulet e para mbulojnë aspektet kryesore të të bërit biznes si e-commerce, të tilla si rregullat, pagesat elektronike dhe dërgesat. Gjithashtu, platforma do të pasurohet me një tjetër modul shtesë – histori suksesi nga secili treg. Secili prej këtyre moduleve do të përmbajë informacion përkatës specifik për secilin prej tregjeve të CEFTA-s, si dhe udhëzime, manuale, dokumente të lidhura me temën dhe prezantime video.
Platforma është e disponueshme në anglisht dhe në gjuhën lokale për çdo treg.
“Zhvillimi i kësaj platforme është i një rëndësie të madhe për e-commercin, për organizatat e përfshira dhe për bashkëpunimin rajonal midis tregjeve të CEFTA-s. Tregtarët online mund të zbulojnë fakte të rëndësishme të biznesit dhe informacione të rëndësishme për të gjitha tregjet në rajon, të cilat ata mund t’i përdorin për të zgjeruar bizneset e tyre përtej tregut të tyre. Përveç faktit që ata tashmë kanë filluar të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, organizatat në rajon që punojnë në platformë do të jenë “zëri i e-commerce” në tregjet e tyre, por edhe në rajon”. thotë projekt menaxherja e këtij projekti, Marija Ristovska.
Zhvillimi i platformës “Ecommerce4All” mbështetet nga projekti i Fondit të Hapur Rajonal për Tregtinë e Jashtme të zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Qëllimi është përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar që promovon zhvillimin ekonomik rajonal dhe lokal dhe mbështet zbatimin autonom të politikave të harmonizuara me BE-në që synojnë balancimin e zhvillimit rajonal të vendit. Fondi synon të përmirësojë zbatimin e agjendës së reformave për tregtinë dhe konkurrencën në rajonin e CEFTA-s në përputhje me kërkesat e procesit të përafrimit me BE-në.
Mësoni më shumë rreth e-commerce në rajon në: ecommerce4all.eu.