STIKK publikon raportin e Barometrit të TI për Kosovën për vitet 2021 – 2022
STIKK (Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë), publikoi e raportin IT Barometrit të Kosovës për vitet 2021 – 2022. Ky raport gjithëpërfshirës ofron një analizë të detajuar të sektorit të TIK-ut në Kosovë, duke përfshirë performancën e tij, trendet, sfidat dhe mundësitë për rritje.
Në eventin e publikimit të raportit, të organizuar nga STIKK dhe USAID, morën pjesë përfaqësues nga sektorë të ndryshëm, duke përfshirë qeverinë, institucionet ndërkombëtare, akademinë dhe shoqërinë civile, duke mundësuar diskutime të frytshme mbi gjetjet kryesore të raportit. Pjesëmarrësit shkëmbyen ide dhe strategji për të adresuar sfidat e identifikuara dhe për të përfituar nga mundësitë brenda sektorit të TIK-ut në Kosovë.
Disa nga gjetjet e rëndësishme të paraqitura në raport janë:
• 83% e kompanive të sektorit TIK janë në pronësi të burrave, ndërsa 17% kanë pronare gra.
• Kompanitë me qarkullim vjetor mbi 500,000 euro përbëjnë 34% të sektorit, duke treguar praninë e kompanive me burime dhe operacione të konsiderueshme financiare.
• Shumica (50%) e të anketuarve janë identifikuar si zhvillues të produkteve softuerike.
• 85% e kompanive eksportojnë shërbime/produkte dhe ndër to 39% janë të fokusuar vetëm në tregjet ndërkombëtare.
• Kompanitë në pronësi të grave priren të kenë një përqindje më të lartë të punonjësve gra krahasuar me kompanitë në pronësi të burrave.
• Paga mesatare mujore në sektorin e TIK varion nga 800 euro deri në 3,200 euro, në varësi të pozicionit dhe karakteristikave të kompanisë.
• Kompanive u duhen të paktën dy muaj për të zëvendësuar punonjësit që largohen dhe deri në 6 muaj për pozicione më të specializuara.
• Një shumicë dërrmuese (74%) e kompanive raportuan se përballen me një deficit të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Raporti ofron njohuri të vlefshme për politikëbërësit, palët e interesuara të industrisë dhe investitorët e potencialë. Raporti thekson sfidat me të cilat përballet sektori, duke përfshirë konkurrencën për fuqi punëtore të kualifikuar, aksesin në financa dhe nevojën për mbështetje institucionale. Në raport gjithashtu tregohet se këto sfida ndryshojnë në bazë të madhësisë dhe qarkullimit vjetor të kompanive. Studimi i IT Barometrit 2021 – 2022 është mbështetur nga USAID Compete Activity Kosovo.
Raporti i IT Barometrit 2021 – 2022 është i disponueshëm në faqen e internetit të STIKK, duke ofruar një mundësi për të gjitha palët e interesuara që të kenë akses në të.
STIKK mbetet i përkushtuar për të nxitur bashkëpunimin, promovimin e shkëmbimit të njohurive dhe zbatimin e masave që do të nxisin rritjen dhe konkurrencën e sektorit të TIK-ut në Kosovë. Ne synojmë të adresojmë sfidat dhe të shfrytëzojmë mundësitë e identifikuara në raportin e IT Barometrit.
Për më shumë informacion rreth raportit ose për të pyetur më tej, ju lutemi kontaktoni STIKK-un ose vizitoni faqen www.stikk.org