Kuvendi i XI-të i STIKK
Prishtinë, 28 shkurt 2019 – Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), të enjten organizoi Kuvendin e njëmbëdhjetë (XI) të shoqatës, ku u prezantuan rezultatet dhe të arriturat e shoqatës gjatë vitit që lam pas (2018) si dhe u shpalosën planet dhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2019, të cilat e përforcojnë dhe vazhdojnë misionin e STIKK-ut për përmirësimin e ambientit të të bërit bizines për sektorin e TIK-ut në vendin tonë.
Në Kuvendin e XI-të të shoqatës, të pranishëm ishin përfaqësues nga shumica e kompanive anëtare të shoqatës, e poashtu edhe mysafirë special si z. Valdrin Lluka – Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe z. Neil Taylor – Udhëheqës i zyrës së BERZH në Kosovë. Gjatë fjalimit të tij, z. Lluka ka treguar për mbështetjen që Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ofron sektorit të TIK-ut në Kosovë, si nga ana e promovimit të këtij sektorit e poashtu edhe për përpjekjet e Ministrisë për t‘i ofruar akterëve të kësaj industrie mundësi të ndryshme të zhvillimit dhe përmirësimit të kushteve të biznesbërjes për këtë sektor, me fokus të veçantë në finalizimin e projektit për Parkun Teknologjik “Tech Park Prishtina” që sipas z. Lluka është njëri ndër projektet më ambicioze të realizuara në vendin tonë viteve të fundit dhe me ndikim të veçantë në ekonominë e përgjithshme të vendit tonë. Ndër të tjera, Ministri Lluka poashtu shpalosi edhe disa detaje për planet e projektin “Smart Villages“, projekt ky i cili poashtu gëzon edhe mbështetje nga Bashkimi Europian. Ndërsa z. Taylor përgjatë fjalimit të tij tregoi për mënyrat e ndryshme se si BERZH e përkrahë zhvillimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë dhe gatishmërinë e BERZH-it të jetë një shtyllë e fortë financiare për realizimin e projekteve të ndryshme dhe përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për sektorin e TIK. Ai poashtu potencoi se është shumë i impresionuar nga të arrituar e këtij sektori viteve të fundit dhe se ndjehet shumë i sigurt se ky sektor do të vazhdojë me rritje pozitive. Dhe për fund, z. Taylor përgëzoi të gjithë pjesmarrësit e këtij Kuvendi për punën e palodhshme që bënë përgjatë vitit 2018, punë kjo e cila shihet pëmes rezultateve të arrituara gjatë 2018.
Pas fjalimeve të mysafirëve, para anëtarëve të shoqatës Drejtoresha Ekzekutive e STIKK znj. Vjollca Çavolli prezantoi raportin e punës njëvjeçare të vitit 2018, planet edhe aktivitetet e planifikuara për këtë vit (2019) ku fokus të veçantë kishte përfundimi dhe hapaja e Parkut Teknologjik “Tech Park Prishtina“, projekt ky që tashmë vetëm ka hyrë në fazën e fundit të realizimit. Znj. Çavolli poshtu njoftoi Kuvendin edhe për anëtarët e ri të shoqatës dhe planet afatgjatë të shoqatës.
Krejt në fund, në Kuvend u votua Auditori i pavarur që do ta bëjë auditimin financiar e shoqatës për periudhën 2019 – 2021.
***
Rreth STIKK
Si një katalizator në industrinë dinamike të teknologjisë, STIKK përshpejton rritjen dhe progresin në ekonomi. STIKK ofron një platformë që bashkon liderët e teknologjisë për t’u lidhur dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe mbështet me entuziazëm anëtarët që shtyjnë përpara kufijtë e teknologjisë. Që nga themelimi në 2008, STIKK arriti suksese të shumta dhe u bë një nga shtytësit kryesorë të industrisë së TIK-ut dhe komunitetit të TIK-ut në Kosovë.
Misioni i STIKK është ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për TIK-un duke përkrahur biznes-bërje brenda dhe jashtë Kosovës, vendosjen e standardeve, mundësitë e arsimimit si dhe duke avokuar për të siguruar investime të reja.
Aktualisht, shoqata përfaqëson rreth 90% të sektorit të gjithëmbarshëm të TIK në Kosovë. Interesimi i kompanive është në rritje e sipër, gjë e cila vjen si rezultat i vetëdijesimit të tyre për përparësitë që iu ofrohen në kuadër të shoqatës.