U lansua platforma e parë rajonale e e-commerce “Ecommerce4all.eu”

Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është prapa Serbisë por përpara Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi në përqindje të popullsisë që bën blerje online. Krahasuar me vendet fqinje, Kosova renditet e para në Evropë me 77% të blerësve online që i blejnë rrobat online, e ndjekur nga Mali i Zi me 71%, ndërsa Maqedonia e Veriut me 57%, BiH me 56% dhe Serbia me 52% janë nën mesataren evropiane. Tatimi mbi fitimin si përqindje e fitimit tregtar është më i lartë në Shqipëri – 14.1%, dhe më i ulëti në Mal të Zi – 8.3%, ndërsa koha e nevojshme për eksport dhe import të produkteve është më e shkurtra në Moldavi. Këto dhe shumë fakte dhe informacione të tjera biznesi në lidhje me drejtimin e një biznesi e-commerce që nga sot janë zyrtarisht të disponueshme në platformën e parë rajonale të e-commerce “E-commerce për të gjithë” – ecommerce4all.eu.

Platforma rajonale është zhvilluar nga Shoqata e Tregtisë elektronike të Maqedonisë si zbatues kryesor në bashkëpunim me shoqatat e e-commerce dhe organizatat nga industritë përkatëse nga CEFTA, ose më saktë me partnerët e mëposhtëm nga Shqipëria: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë (CCIT) dhe Shoqata Shqiptare e e-commerce, nga Bosnja dhe Hercegovina: Shoqata e e-commerce e Bosnje & Hercegovinës dhe Shoqata e-Comm e BiH, nga Kosova: Shoqata e Teknologjise se Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë (STIKK), nga Moldavia: Dhoma Amerikane e Tregtisë në Moldavi, nga Mali i Zi: Dhoma Ekonomike e Malit të Zi, dhe nga Serbia: Shoqata e e-commerce e Serbisë.

Platforma, e cila është zgjerim rajonal i iniciativës maqedonase “Ecommerce4All”, nga sot do të jetë në dispozicion në Serbi, Bosnjë & Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Moldavi.

Përdoruesit nga rajoni do të mund të përdorin falas platformën rajonale të e-commerce – ecommerce4all.eu, nga e cila i pari nga pesë modulet tashmë është i disponueshëm – moduli “E-commerce Data”. Moduli paraqet gjendjen e e-commerce në tregjet e CEFTA-s përmes statistikave dhe të dhënave të tjera (grafikë interaktivë të gjendjes së e-commerce në secilin treg dhe krahasime të blerësve online, indeksi UNCTAD B2C e-readiness – tregtisë dhe të dhëna të tjera relevante të Eurostat), informacion në lidhje me gatishmërinë e vendeve për të kryer biznes ne formen e-commerce, informacion se sa shpesh, sa dhe ku blejnë blerësit në internet, etj. Këto të dhëna mund të ndihmojnë kompanitë të përmirësojnë veprimtarinë e tyre në tregjet lokale, por më e rëndësishmja, mund t’u shërbejnë planeve të tyre për t’u zgjeruar në tregje të tjera në rajonin e CEFTA-s.

Përveç këtij moduli, platforma do të përmirësohet me katër module të tjera në të ardhmen. Nga të gjitha këto, tre modulet e para mbulojnë aspektet kryesore të të bërit biznes si e-commerce, të tilla si rregullat, pagesat elektronike dhe dërgesat. Gjithashtu, platforma do të pasurohet me një tjetër modul shtesë – histori suksesi nga secili treg. Secili prej këtyre moduleve do të përmbajë informacion përkatës specifik për secilin prej tregjeve të CEFTA-s, si dhe udhëzime, manuale, dokumente të lidhura me temën dhe prezantime video.

Platforma është e disponueshme në anglisht dhe në gjuhën lokale për çdo treg.

“Zhvillimi i kësaj platforme është i një rëndësie të madhe për e-commercin, për organizatat e përfshira dhe për bashkëpunimin rajonal midis tregjeve të CEFTA-s. Tregtarët online mund të zbulojnë fakte të rëndësishme të biznesit dhe informacione të rëndësishme për të gjitha tregjet në rajon, të cilat ata mund t’i përdorin për të zgjeruar bizneset e tyre përtej tregut të tyre. Përveç faktit që ata tashmë kanë filluar të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, organizatat në rajon që punojnë në platformë do të jenë “zëri i e-commerce” në tregjet e tyre, por edhe në rajon”. thotë projekt menaxherja e këtij projekti, Marija Ristovska.

Zhvillimi i platformës “Ecommerce4All” mbështetet nga projekti i Fondit të Hapur Rajonal për Tregtinë e Jashtme të zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Qëllimi është përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar që promovon zhvillimin ekonomik rajonal dhe lokal dhe mbështet zbatimin autonom të politikave të harmonizuara me BE-në që synojnë balancimin e zhvillimit rajonal të vendit. Fondi synon të përmirësojë zbatimin e agjendës së reformave për tregtinë dhe konkurrencën në rajonin e CEFTA-s në përputhje me kërkesat e procesit të përafrimit me BE-në.

Mësoni më shumë rreth e-commerce në rajon në: ecommerce4all.eu.

STIKK dhe Europe House Prishtina organizojnë ngjarje me temë TIK për Ditën e Europës

STIKK në bashkëpunim me Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, organizoi në Ditën e Evropës, një ngjarje rrjetëzimi ndërmjet anëtarëve të tij dhe studentëve të teknologjisë dhe informacionit.

Takimi kishte si temë TIK, rininë dhe të ardhmen e gjelbër. Studentë të teknologjisë dhe informacionit, u takuan me drejtues të disa prej kompanive më të mëdha në sektorin e IT.

Kjo ishte një mundësi që ata të mësonin më shumë për mundësitë e panumërta në sektorin e IT-së, praktikat dhe punësimin në këto kompani.

Takimi ishte i vlefshëm edhe për kompanitë anëtare të STIKK-ut, të cilat e shfrytëzuan atë si një mundësi rrjetëzimi mes tyre dhe zyrtarëve të zyrës së BE-së në Prishtinë.

Ditët e Vajzave në TIK – Aktivitete në Prishtinë nga DigiWomen Cluster

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, Komuna e Prishtinës, në partneritet me 16 organizata që kontribuojnë në promovimin dhe fuqizimin e vajzave dhe grave në TIK, organizuan fushatën #VAJZATNETIK22. Ky event u zhvillua në datat 26-28 Prill, duke e kthyer “Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK” në “Ditët e vajzave në TIK”. Kjo nismë do të vazhdojë të organizohet  çdo vit, me më shumë aktivitete dhe organizata partnere.

DigiWomen Cluster Kosovo, i cili operon nën ombrellën e STIKK, është një nga partnerët kryesorë të kësaj fushate. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së fushatës, DigiWomen Cluster  mbajti diskutime, trajnime dhe sesione informuese me vajza nga shkollat ​​fillore dhe të mesme në Prishtinë.

Duke synuar krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e TIK-ut me përfshirjen e grave, DigiWomen Cluster Kosova (DWCK) përcaktoi shtrirjen e problemit të angazhimit të vajzave në sektorin e TIK, propozoi zgjidhje, i komunikoi dhe i promovoi ato duke krijuar mundësi për rrjetëzim, motivim dhe reduktim të hendekut gjinor. Në këtë linjë u zhvilluan aktivitetet e mëposhtme.

Anëtaret e DigiWomen Cluster Kosovo morën pjesë në hapjen e fushatës me një panel diskutimi “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e teknologjisë”. Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, Vjollca Çavolli, bëri një panoramë të zhvillimit të sektorit të TIK përgjatë 30 viteve të fundit, ku nënvizoi se pavarësisht pengesave numri i grave sipermarrëse në ketë sektor është rritur duke zhvilluar gjithashtu cilësinë e produkteve dhe bizneseve.

Sipërmarrësja dhe bashkëthemeluesja e Starlabs dhe Shkollës Digjitale, Hana Qerimi tregoi për eksperiencën e saj si grua në sektorin e TIK dhe gjithashtu për potencialin që ofron sektori për të rinjtë dhe të rejat në Kosovë.

Ceremonisë hapëse të aktiviteteve iu bashkuan edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, e cila në të njejtë kohë është anëtare e DigiWomen Cluster.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, znj. Donjeta Sahatçiu, në fjalimin hapës të fushatës Ditët e Vajzave në TIK 2022
Znj. Vjollca Çavolli, znj. Teuta Sahatqija, znj. Hana Qerimi dhe znj. Jora Zeneli në panelin “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e teknologjisë”

Gjatë tri ditëve të fushatës, DigiWomen Cluster mbajti dy sesione “Më pyesni çdo gjë” dhe tre sesione me temë “TIK si zgjedhje karriere” me vajza nga shkollat fillore dhe të mesme në Prishtinë.

Sesioni “Më pyesni për çdo gjë” me znj. Zana Tabaku, znj. Zana Budima dhe znj. Hana Qerimi në Gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë
Sesioni “TIK si zgjedhje e karrierës” me znj. Iliriana Ibraj në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë
Sesioni “TIK si zgjedhje e karrierës” me znj. Diora Binxhiu në shkollën fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë
Sesioni “TIK si zgjedhje e karrierës” me znj. Rrita Rugova në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë

Anëtaret e DigiWomen Cluster mbajtën gjithashtu një sesion të përbashkët me temë “Pse TIK”, ku shpjeguan pse zgjodhën TIK-un si profesion edhe pse fillimet e tyre në disa raste nisën në fusha të ndryshme.

Anëtaret e DigiWomen Cluster gjatë sesionit “Pse TIK” në Innovation Center Kosovo

Në kuadër të aktiviteteve u mbajt gjithashtu edhe trajnimi “Soft Skills” me mentoren Shenaj Shala.

Anëtaret e DigiWomen Cluster Kosovo janë: Vjollca Çavolli (STIKK), Donjeta Sahatçiu (Deputy Mayor of Pristina), Hana Qerimi (Starlabs), Diora Binxhiu (Polar Bear Agency), Zana Tabaku (Appdec), Zana Budima (SQL Consulting), Arta Shehu Zaimi (LabBox), Iliriana Ibraj (LinkPlus IT), Rrita Rugova (KODE Labs), Melita Ymeraga (Melita & Partners), Eldita Tarani (Junior Geeks).

BQK dhe STIKK diskutojnë për fushat e veprimit të përbashkët

Zëvendësguvernatori i Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli, priti në takim drejtoreshën ekzekutive të Shoqatës për Teknologji Informative dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), znj. Vjollca Çavolli.

BQK dhe STIKK u dakorduan që së bashku të hartojnë një marrëveshje të bashkëpunimit për shkëmbimin dhe publikimin e informacionit dhe të dhënave statistikore lidhur me sektorin e ICT-së.

Synim kryesor i kësaj marrëveshje është mbledhja e statistikave dhe informacioneve specifike për këtë sektor me qëllim të analizimit dhe promovimit të këtij sektori. Orientimi fillestar është që të publikohen të dhënat lidhur me tregtinë e shërbimeve të sektorit të ICT-së por edhe volumin e financimit nga sektori financiar vendor për sektorin e ICT-së.

Bashkëpunimi me BQK është mëse i vlefshëm në një kohë kur STIKK po përgatitet të ngrejë Njësinë Statistikore të të Dhënave e cila do të grumbullojë dhe procesojë të dhëna relevante për sektorin TIK.

Memorandum Bashkepunimi mes STIKK dhe FIEK

STIKK dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike te Universiteti i Prishtinës (FIEK) nenshkruan nje memorandum bashkepunimi me qellim forcimine bashkepunimit mes biznesit dhe akademise.

Qëllimi i këtij Memorandumi është forcimi i bashkëpunimit, shkëmbimi i përvojave dhe shkëmbimi i studentëve me qëllim të punës praktike dhe punësimit tek kompanitë anëtare të STIKK

Marreveshja u nenshkrua nga Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, Vjollca Cavolli, ne praninë e dy prodekanëve, Prof. Asoc. Dr. Kadri Sylejmani dhe Prof. Asoc. Dr. Milaim Zabeli.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, STIKK dhe FIEK pajtohen që të bashkëpunojnë, duke përfshirë, ofrimin e këshillave profesionale për bizneset në fushën e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike, si dhe mundësimit të vijimit të praktikave profesionale, për studentët e këtij fakulteti, pranë bizneseve anëtare të STIKK. Po ashtu, palët pajtohen që të hulumtojnë mundësitë për aplikime të përbashkëta në projekte zhvillimore dhe hulumtuese në thirrjet për projektet që ofrohen nga donator brenda dhe jashtë vendit.

STIKK pjesë e grupit punues për Strategjinë për Zhvillimin e Industrisë dhe Përkrahje të Biznesit

STIKK mori pjesë në takimin e grupit punues për hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Përkrahje të Biznesit te organizuar nga Divizioni për Politika Industriale ne Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë .

Në takim u prezantua analiza e performancës industriale të Republikës së Kosovës në dekadën e fundit dhe u diskutua orientimi strategjik i Politikës Industriale që do të ndiqet deri në vitin 2030, duke marrë parasysh edhe Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit.

Politika Industriale është një dokument i një rëndësie të veçantë pasi ndikon drejtpërdrejtë në dimensionin ekonomik, shoqëror dhe mjedisor të vendit.

Si zëri i kompanive të TIK, STIKK theksoi se roli i këtij sektori në zhvillimin e industrisë prodhuese është parësor, duke marrë parasysh në veçanti procese si, digjitalizimi, automatizimi, inovacioni dhe krijimi i kapitaleve njerëzore me kualifikim të lartë që do të kërkohen në të gjithë sektorët.

Në takim ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të qeverisë dhe sektorëve të ndryshëm të industrisë prodhuese në Kosovë te cilët dhanë kontributin e tyre në identifikimin e objektivave dhe përcaktimin e vizionit të Politikës Industriale.

STIKK zgjedh Bordin e ri Drejtues, miratojnë 4 objektivat kryesore

Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), të martën organizoi mbledhjen e katërmbëdhjetë (XIV) të Kuvendit ku u prezantuan para anëtarëve rezultatet dhe të arriturat e STIKK-ut gjatë viti 2021, si dhe u diskutuan aktivitetet e planifikuara për vitin 2022. Planet dhe aktivitetet e diskutuara me të pranishimit në Kuvend janë të konceptuara në mënyrë që të vazhdojnë angazhimin dhe përforcojnë misionin e STIKK-ut që ka të bëjë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes për sektorin tonë dhe të ngrejë nivelin e konkurueshmërisë së kompanive vendore në tregjet ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e mbi 40 kompanive në mbledhjen e Kuvendit ishte dëshmi e rritjes dhe fuqizimit të sektorit të TIK gjatë dy dekadave të fundit por edhe e rritjes së kërkesave të cilat theksojnë rolin qëndror të sektorit të TIK në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Kryetarja në largim e Bordit të STIKK, znj. Donjeta Sahatçiu, bëri hapjen e këtij takimi duke nënvizuar rëndësinë e shoqatës, punët e kryera si edhe sfidat e mëdha që ende duhen përballuar. Një vend të veçantë në fjalimin e saj ajo i kushtoi planit të ri të punës i cili “me një qasje të re” kërkon ngritjen në një nivel tjetër të fuqisë dhe imazhit të kompanive anëtare të STIKK dhe sektorit në tërësi.

Pas fjalimit të Znj. Sahatçiu, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli prezantoi një përmbledhje të aktiviteteve dhe të arriturave brenda vitit 2021, si dhe shpalosi disa nga planet për vitin 2022. Anëtari i Bordit të STIKK, Z. Valon Canhasi prezantoi planin e punës, objektivat dhe buxhetin e shoqatës për vitin 2022.

Plani i miratuar nga Kuvendi ka në fokus 4 objektiva: 1 – Ngritjen e kapaciteteve njerëzore për nevojat e kompanive anëtare dhe zhvillimit të tregut të STIKK, 2 – Përmirësimin e infrastukturës ligjore dhe qasjes në financa për komanitë e sektorit TIK, 3 – Zgjerimin e mundesive për shitje në tregun lokal dhe ndërkombëtar, 4 – Përmirësimin e identitetit të industrisë dhe potencialit vendor në tregun ndërkombëtar.

Pika e fundit e rendit të ditës së Kuvendit të XII-të të anëtarëve të shoqatës kishte të bënte me përzgjedhjen e anëtarëve të ri të Bordit të STIKK, ku pas procesit të votimit, konstituua bordi i ri:

Kryetar – z. Valon Canhasi (Hallakate)

Nën-kryetare – znj. Hana Qerimi (Starlabs)

Anëtarë – z. Astrit Desku (Komtel), znj. Zana Budima (SQA Consulting SEE), z. Arbër Bakija (Bbros), z. Muharrem Shefkiu (Polymath Labs), z. Iliriana Ibraj (LinkPlus IT), z. Ylli Zagragja (UCX Kosovo), dhe z. Armend Malazogu (Cacttus).

Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës – STIKK organizon edicionin e 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”

Me 22 dhe 23 Tetor 2021 në ambientet e “ITP Park” në Prizren  do të mbahet konferenca më e madhe në rajon në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit.Sivjet është viti i 10-të i organizimit të konferencës më të madhe të teknologjisë në rajon KosICT10.

Qëllimi kryesor i KosICT është që të mbulojë tema të ndryshme që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, që janë në trend global dhe kanë ndikuar në industrinë tonë. KosICT promovon sektorin e TIK-ut në Kosovë dhe në rajon duke theksuar përvojat e shumë folësve ndërkombëtarë, rajonalë dhe lokalë në dy skenat e festivalit, ITP Skena Kryesore, ku do të flitet për tema më gjenerale dhe motivuese rreth zhvillimeve të reja në sektor dhe KUTIA Skena e zhvilluesëve, ku do të flitet për tema më teknike dhe të rejave të fundit nga aspekti i zhvilluesëve softuerik.

Përveç fjalimeve dhe paneleve tematike që do të jenë pjesë e skenave të KosICT-së, festivali do të pasurohet edhe me aktivitete tjera, secila me fokus të veçant në theksimin e ekosistetimit të plot të TIK-ut në vendin tonë. Disa prej këtyre aktiviteteve do të jenë: Innovation Fair, panairi i kompanive Start-up I cili organizohet në partneritet me ICK, takime të shumta B2B dhe matchmaking në mes të kompanive vendore dhe atyre ndërkombëtare të organizuara nën frymën e Enterprise Europe Network (EEN), rrjeti më i madh biznesor në Europë, këndi i Future Developers (Zhvilluesve të rinj) ku fëmijët e moshave 6 deri 16 do të prezantojnë projektet e tyre, panairi i kompanive vendore të TIK-ut të cilat e kanë hap rrugën për zhvillimin e këtij sektori, e aktivitete të tjera të shumta. Në përmbyllje të festivalit, hapësirë do t’i ipet komunitetit të gamers (lojëtarëve), ku janë planifikuar 2 turnire në lojëra elektronike, i pari një turnir në Counter Strike: Global Offensive, ku do të ndeshen ekipet e krijuara nga kompanitë e TIK-ut në vend dhe fituesi do të përzgjedh një kauzë bamirësie për të cilën do të dhurohet shpërblimi I mbledhur në formë monetare, ndërsa turniri i dytë do të u dedikohet ekipeve profesionale të sportit elekronit DOTA 2 nga vendi dhe rajoni ku 3000 EURO do të ndahen si shpërblime për 3 vendet e para.

Gjatë 9 edicioneve te kaluara të konferencës, më shumë se 9500 pjesëmarrës të sektorit të TIK patën rastin te dëgjojnë dhe mësojnë gjëra të reja nga ekspertët e fushave aktuale si: Digital Transformation, the future of Nearshoring/Outsourcing, Entrepreneurship, IoT; Crowd Funding, Open Innovation etj.

Ju mirëpresim në ngjarjen më të madhe të teknologjisë në Kosovë, KosICT 10!

Themelohet kllasteri “Women in Tech – WIT”

KOMUNIKATË

Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës – STIKK, sot organizoi një takim gjatë të cilit u finalizuan të gjitha detajet dhe edhe zyrtarisht u formua kllasteri i grave në TIK i cili tash e tutje do të njihet me emrin “Women in Tech” apo WIT. Ky kllaster do të ushtroj veprimtarinë e tij nën ombrellën e STIKK dhe në përkrahje të vazhdueshme të shoqatës.

Gjatë takimit të sotëm, ku pjesmarrëse ishin një grup i grave ndërmarrëse që tash e sa vite udhëheqin disa prej kompanive më të suksesshme vendore në sektorin e TIK-ut, u diskutuan dhe u morrën vendimet kyqe lidhur me modelin e veprimtarisë së kllasterit WIT, u përzgjodh vizioni dhe misioni i kllasterit si dhe u përcaktuan disa prej objektivave fillestare të këtij kllasteri.

Vizioni i kllasterit “Women in Tech” u përcaktua të jetë nxitja e pjesmarrjes së plotë të grave ndërmarrëse dhe udhëheqëse të bizneseve me rritje të lartë në sektor, duke nxitur inovacionin dhe duke stimuluar rritjen ekonomike. Ndërsa misioni i WIT do të jetë ti inkurajoj dhe ti mbështes grate në fushën e TIK-ut, përmes promovimit të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në fushën e teknologjisë si dhe të inkurajoj zhvillimin e tyre drejt leadershipit (udhëheqësisë) duke ju ofruar mbështetje strategjike përgjatë karrierës së tyre.

Anëtaret themeluese të kllasterit “Women in Tech” janë: Zana Tabaku (Appdec), Zana Budima (ABS Software Development), Arta Shehu Zaimi (jCoders Academy), Hana Qerimi (Shkolla Digjitale & Starlabs), Donjeta Sahatçiu dhe Rrita Rugova (Rrota), Melita Ymeraga (Melita & Partners), Ilirijana Ibraj (LinkPlus IT) dhe Vjollca Çavolli (STIKK).

Gjatë takimit të sotëm, anëtaret themeluese poashtu zgjodhën dhe kryetaren e pare të kllasterit “Women in Tech”, znj. Zana Tabaku, themeluese e kompanisë Appdec, e cila do të ushtroj këtë detyrë përgjatë mandatit 2 vjeçar.

Kllasteri “Women in Tech” është në proces të krijimit të identitetit vizual i cili do ta përfaqësoj atë, si dhe përpilimit të planit të punës për pjesën e mbetur të vitit 2021. Te dy këto elemente do të bëhen publike ditëve në vijim.

Për informata shtesë rreth kllasterit “Women in Tech” ju lutem kontaktoni Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimi të Kosovës – STIKK në email adresën [email protected] apo numrin e telefonit +383 (0) 38 77 11 90 ext. 501.

 

Bëhu pjesë e shitjës ONLINE

Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) ka kënaqësinë të publikoj thirrjen e hapur për mbështetje të bizneseve të grave ne Kosovë, përmes projektit “She-STORE”, i mbështetur nga Agjencia Per Barazi Gjinore(ABGJ).

Ky projekt, i përbërë nga disa aktivitete të ndërlidhura, synon të arrijë krijimin e e-dyqaneve për 50 biznese me pronare gra në platformën “shitjaonline.com“. Mbështetje shtesë do u ofrohet grave permes trajnimeve në:
· Fotografi dhe redaktim te fotografisë
· Dizajn Grafik
· Identiteti Visuel i Biznesit
· Menaxhim i Rrjeteve Sociale dhe
· Mentorim
Për të aplikuar, klikoni në vegëzën më poshtë: