Amy Cosper: Ndërmarrësia është të krijosh diçka të re, inovative ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë

Valmir Mehmetaj, Kosovo 2.0 (www.kosovotwopointzero.com) – Një ndërmarrëse amerikane flet për ndjekjen e profesionit “Cool”. Çfarë do të thotë të jesh ndërmarrës? Sipas Google, ndërmarrës është “një person që organizon dhe operon një biznes ose biznese, duke rrezikuar financiarisht më shumë se që është normale”.

Por nëse ky definicion u duket i thatë, e kemi gjithmonë pikëpamjen e Amy Cosper. Cosper është ndërmarrëse tash e një dekadë. Ajo beson se ndërmarrësit nuk duhet ta pranojnë përgjigjen ‘jo’, e duhet të shtyhen nga dëshira “për t’i ndjekur ëndrrat, për ta ndryshuar botën dhe për të patur ndikim”, duke “krijuar diçka të re, ose inovative ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë”.

Cosper njihet si një prej figurave më të suksesshme në botën e ndërmarrësisë. Ajo pranon se nuk u “shtye” nga diploma e saj në drejtimin e Gjuhës Italiane dhe Historisë së Artit, por duke bërë atë që e don. Ajo filloi si gazetare në 1995 për botën e teknologjisë, duke raportuar nga Izraeli, Norvegjia, Luksemburgu, Brazili, Parisi dhe Londra. Më pas ajo udhëhoqëi disa revista financiare që fituan shumë çmime, e në 2008 u bë zëvendës presidente dhe kryeredaktore në Entrepreneur Media Inc., revistë dhe uebfaqe e bazuar në SHBA që trajton lajme të ndërmarrësisë dhe menaxhimit të bizneseve të vogla.

Duke lexuar disa prej artikujve të saja, është lehtë të shohim që Cosper është luftëtare. Ajo nuk u dëshpërua as kur iu kall shtëpia në vitin 2010, dhe familja e saj katër anëtarëshe – dy adoleshentë dhe dy të rritur – jetuan në një shtëpi me rrota deri sa iu rindërtua shtëpia. Ajo shkroi se kjo përvojë vetëm e bëri më të fuqishme: “Nuk u thyem. U bëmë më të fuqishëm, më të mirë. Dëshmuam që mund të mbijetojmë. Po, ngritja nga hiri është klishe, por në rastin tim është e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Pati jetë para zjarrit dhe pas tij, por janë dy jetë krejtësisht ndryshe”.

Kjo është përvojë që mund të lidhet me ato të shumë njerëzve në Kosovë. Ajo e vizitoi Kosovën javën e kaluar si folëse në edicionin e pestë të KOSICT, konferencës rajonale të organizuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), që ka për synim t’i sjell në Ballkan temat më të reja botërore të teknologjisë informative. Sivjet kjo konferencë bëri bashkë folës prej kompanive të mëdha si Google dhe LinkedIn.

Megjithatë, Copser i tha audiencës se ajo vendosi që të pushojë nga bota e mediave në fund të gushtit, kur e la rolin e saj të rëndësishëm në revistën Entrepreneur. Ajo tani është duke u marrë me synime tjera jetësore: është duke shkruar një libër, duke udhëtuar, duke vozitur motoçikletën e saj, e duke xhiruar një dokumentar.

Në një intervistë për K2.0, Copser tha se ishte e lumtur që e pati rastin t’i takonte disa njerëz të Kosovës, të cilët ajo i përshkroi si shumë ambicioz për të bërë diçka të veçantë e për ta vendosur vetën në hartë. Si dikush që e ka ndërmarrë misionin e shpërndarjes së “fjalës së mirë” të ndërmarrësisë, Cosper mendon që, në mënyrë që të jesh i suksesshëm, si rregull thelbësore duhet ta kesh guximin, të mos frikësohesh nga dështimi, por ta tejkalosh frikën, sepse aty të presin “përvoja, dituria, fuqizimi, urtësia dhe suksesi”.

Për të lexuar intervistën e plot, ju lutem vizitoni këtë link: http://kosovotwopointzero.com/amy-cosper-ndermarresia-eshte-te-krijosh-dicka-te-re-inovative-ose-percarese-aty-ku-nuk-kishte-asgje-me-pare/

Alan Greenberg: Mund ta rregullojë teknologjinë. Nuk mund t’i rregullojë njerëzit

Dafina Halili, Kosovo 2.0 (www.kosovotwopointzero.com) – Guru i teknologjisë në arsim diskuton atë se si teknologjia po formëson të ardhmën e mësimit.

“Nuk ma ndinë se a më pëlqejnë. Dua që të më respektojnë”, thotë Alan Greenberg, lider botëror i teknologjisë dhe inovacionit në arsim, deri sa e shpjegon për K2.0 atë që ai e quan ‘teknika Greenberg’. Zhvilluesit dhe bizneset e reja duhet të jenë të afta që ta shpjegojnë produktin e tyre për 30 sekonda në mënyrë që të kapin vëmendjen e njerëzve, përndryshe anashkalohen. “Nëse nuk mund ta shpjegojnë për 30 sekonda atë që e bëjnë, dhe çfarë ndryshimi do të ketë, do të dështojë”.

Greenberg po e demonstronte këtë teknikë në pjesëmarrës të Panairit të Bizneseve të Reja në edicionin e pestë të festivalit të Teknologjisë KOSICT, që u mbajt në Prishtinë javën e kaluar. Kjo konferencë u organizua nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) me mbështetje nga Qendra e Inovacionit në Kosovë (ICK) dhe Kolegji Universitar Universum. Në të pati biseda për disa tema aktuale botërore në fushën e teknologjisë informative: si marketingu digjital, teknologjia në arsim dhe sportet elektronike.

Greenberg, i cili prej 2004 deri në 2009 menaxhoi biznesin e Higher Education (Arsimi i Lartë) të Apple në Evropë dhe Azi, ishte njëri prej folësve më të mirënjohur të KOSICT gjatë konferencës dy-ditore që mblodhi folës ndërkombëtar nga bota e teknologjisë. Ai tani është investitor, këshillues e ndonjëherë edhe mentor për disa kompani teknologjike rreth botës. Në portofolin e tij përfshihen kompani nga Nju Jorku, Londra e Pekini.

Për më shumë se një dekadë ai është fokusuar në teknologjinë në arsim. Prezantimi i tij në KOSICT përfshiu një seksion për aplikacione të teknologjisë në arsim që veç se kanë gjetur vend nëpër klas, si dhe për aplikacione të reja që po zhvillohen me synim të revolucionarizimit të mëtejmë të mësimmarrjes digjitale. K2.0 foli me të pas prezantimit për të diskutuar atë se si teknologjia mund ta përmirësojë arsimin, si mund t’i ndihmojë qeveria e Kosovës kompanitë teknologjike, si dhe për zhvillimin e teknologjisë për t’i ndihmuar fëmijët autist.

Për të lexuar intervistën e plot, ju lutem vizitoni këtë link: http://kosovotwopointzero.com/alan-greenberg-mund-ta-rregulloje-teknologjine-nuk-mund-ti-rregulloje-njerezit/

Marcin Malinowski: Intelegjenca artificiale do të ndryshojë gjithçka për njerëzimin

Dafina Halili, Kosovo 2.0 (www.kosovotwopointzero.com) – Kreu i partneriteteve botërore të google me evropën lindore flet për intelegjencën artificiale, privatësinë e përdoruesve dhe mundësitë e punësimit në kompaninë e tij.

Për shumë njerëz, Intelegjenca Artificiale (IA) konsiderohet trillim i largët shkencor që e shohim në filma të Hollywood-it si Ex-Machina dhe Transcendent. Por muajin e kaluar, para një audience të madhe në Prishtinë, Marcin Malinowski i Google theksoi se si IA jo vetëm që ka qenë fokus i botës së teknologjisë në kohët e fundit, por edhe se brenda dy viteve, do të ndryshojë gjithçka për njerëzimin.

Duke folur për zbulime e zhvillime të rëndësishme të IA, Malinowski përshkroi se si IA e Google ka mësuar se si të luaj lojën antike kineze Go; e njohur për mundësi të pakufijshme të lëvizjeve dhe mendimin strategjik që të duhet për ta luajtur. Go shpeshherë konsiderohet si më komplekse se shahu. Ai tha se këtë pranverë, IA e Google arriti që ta mposhtë kampionin botëror të Go në atë që u konsiderua si betejë historike në Go, dhe fitore finale për hulumtuesit e IA.

Malinowski vazhdoi duke diskutuar atë se si IA sot mund të riprodhojë punime artistike të piktorëve më të mëdhenj në botë. Ai shpjegoi se si hulumtues nga një universitet gjerman zhvilluan një IA që është e aftë të kuptojë teknikën dhe lëvizjet e brushës; e si rezultat dalin algoritma të thella e të mësuara, që rikrijojnë kryevepra të piktorëve si Van Gogh dhe Edvard Munch. “është edhe një këngë që performohet nga IA, dhe i ngjanë muzikës së Beatles, sa më kujtohet”, tha Malinowski për K2.0.

Mundësitë e pafundme të IA dhe grumbullimit të së dhënave ishin fokusi i fjalimit të tij kryesor gjatë edicionit të pestë të festivalit të Teknologjisë KOSICT, organizuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), me mbështetje nga Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe Universum University College. Kreu i partneriteteve globale të Google me Evropën Lindore, Malinowki, i cili jeton në Varshavë, ishte njëri prej folësve kryesor në këtë konferencë, në të cilën u përfshinë fjalime e biseda për disa tema botërore të Teknologjisë Informative; prej marketingut digjital e deri te teknologjia në arsim dhe sportet elektronike.

K2.0 foli me Milanoëski pas konferencës për të diskutuar atë se çfarë u duhet zhvilluesve të ri që të jenë pjesë e Google, mendimet e tij për kahjen e IA, dhe çështje që lidhen me privatësinë e përdoruesve.

Për të lexuar intervistën e plot, ju lutem vizitoni këtë link: http://kosovotwopointzero.com/marcin-malinowski-intelegjenca-artificiale-te-ndryshoje-gjithcka-per-njerezimin/