Young Coders Kosovo fitojnë çmimin e publikut
Festivali i Kodit nga Young Rewired State, i cili këtë vit u mbajt më 3 Gusht në Plymouth të Britanisë së Madhe, ishte një arritje mjaft e suksesshme për ekipin nga Kosova. Ky festival përmbledh një numër idesh briliante nga fëmijë prej mbarë botës të cilët njohin gjuhën e kodimit. Pjesë e këtij festivali u bë edhe Kosova e cila për herë të parë morri pjesë dhe arriti rezultate mjaft të mira.
Grupi nga Kosova që përfshinë 10 fëmijë krijoi një aplikacion të ashtuquajtur 101city me 3 module i cili mundëson informata për orarin e reduktimeve të ujit, orarin e grumbullimit të mbeturinave dhe njëkohësisht paraqitjen e ankesave në rast të parregullsive, si dhe moduli i tretë i cili përfshin një listë të vendeve të cilat mund të vizitohen sikurse monumentet historike, muzetë, orarin e shfaqjeve në kinema, teatër dhe aktivitetet rekreative të cilat janë në dispozicion në vendintonë.
Për punën e palodhsme 4 mujore të trajnimit dhe sidomos punën e bërë gjatë javës së garës fëmijët u shpërblyen me 10 tableta, përmes sponsorit EYE-Empowering Youth Empoyment financuar nga Projekti Zviceran për Zhvillim SDC. Poashtu juria e Festivalit ndau çmimin “Special Mention Award” me ç’rast fëmijëve do tu dhurohen edhe 10 Rasspbery Pi, dhe do tu ndahen certifikata për pjesëmarrjen e tyre të parë në këtë festival. Mirëpo çmimet nuk patën të ndalur.
Këtë vit për herë të parë, festivali vendosi që këto ideja të ndahen me publikun e gjerë dhe me anë të webfaqes së Young Rewired State të votohet për idenë më të pëlqyer. Nga katër idetë epostuara, aplikacioni i ekipit të Kosovës kishte qenë më i votuari me ç’rast fëmijët fituan edhe çmimin e publikut nën kategorinë Should Exist nga gjithsej 5 kategoritë (Should Exist, Best Design, Best Example of Coding, Code a Better Country, Best in Show). Pjesëmarrja në këtë festival ishte sukses i madh jo vetëm për fëmijët tanë por edhe për Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), e cila tani pas këtij suksesi do të vazhdojë të mirret me projektin Young Coders edhe gjatë viteve në vijim.