Themelohet kllasteri “Women in Tech – WIT”

KOMUNIKATË

Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës – STIKK, sot organizoi një takim gjatë të cilit u finalizuan të gjitha detajet dhe edhe zyrtarisht u formua kllasteri i grave në TIK i cili tash e tutje do të njihet me emrin “Women in Tech” apo WIT. Ky kllaster do të ushtroj veprimtarinë e tij nën ombrellën e STIKK dhe në përkrahje të vazhdueshme të shoqatës.

Gjatë takimit të sotëm, ku pjesmarrëse ishin një grup i grave ndërmarrëse që tash e sa vite udhëheqin disa prej kompanive më të suksesshme vendore në sektorin e TIK-ut, u diskutuan dhe u morrën vendimet kyqe lidhur me modelin e veprimtarisë së kllasterit WIT, u përzgjodh vizioni dhe misioni i kllasterit si dhe u përcaktuan disa prej objektivave fillestare të këtij kllasteri.

Vizioni i kllasterit “Women in Tech” u përcaktua të jetë nxitja e pjesmarrjes së plotë të grave ndërmarrëse dhe udhëheqëse të bizneseve me rritje të lartë në sektor, duke nxitur inovacionin dhe duke stimuluar rritjen ekonomike. Ndërsa misioni i WIT do të jetë ti inkurajoj dhe ti mbështes grate në fushën e TIK-ut, përmes promovimit të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në fushën e teknologjisë si dhe të inkurajoj zhvillimin e tyre drejt leadershipit (udhëheqësisë) duke ju ofruar mbështetje strategjike përgjatë karrierës së tyre.

Anëtaret themeluese të kllasterit “Women in Tech” janë: Zana Tabaku (Appdec), Zana Budima (ABS Software Development), Arta Shehu Zaimi (jCoders Academy), Hana Qerimi (Shkolla Digjitale & Starlabs), Donjeta Sahatçiu dhe Rrita Rugova (Rrota), Melita Ymeraga (Melita & Partners), Ilirijana Ibraj (LinkPlus IT) dhe Vjollca Çavolli (STIKK).

Gjatë takimit të sotëm, anëtaret themeluese poashtu zgjodhën dhe kryetaren e pare të kllasterit “Women in Tech”, znj. Zana Tabaku, themeluese e kompanisë Appdec, e cila do të ushtroj këtë detyrë përgjatë mandatit 2 vjeçar.

Kllasteri “Women in Tech” është në proces të krijimit të identitetit vizual i cili do ta përfaqësoj atë, si dhe përpilimit të planit të punës për pjesën e mbetur të vitit 2021. Te dy këto elemente do të bëhen publike ditëve në vijim.

Për informata shtesë rreth kllasterit “Women in Tech” ju lutem kontaktoni Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimi të Kosovës – STIKK në email adresën [email protected] apo numrin e telefonit +383 (0) 38 77 11 90 ext. 501.