STIKK zgjedh Bordin e ri Drejtues, miratojnë 4 objektivat kryesore
Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), të martën organizoi mbledhjen e katërmbëdhjetë (XIV) të Kuvendit ku u prezantuan para anëtarëve rezultatet dhe të arriturat e STIKK-ut gjatë viti 2021, si dhe u diskutuan aktivitetet e planifikuara për vitin 2022. Planet dhe aktivitetet e diskutuara me të pranishimit në Kuvend janë të konceptuara në mënyrë që të vazhdojnë angazhimin dhe përforcojnë misionin e STIKK-ut që ka të bëjë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes për sektorin tonë dhe të ngrejë nivelin e konkurueshmërisë së kompanive vendore në tregjet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e mbi 40 kompanive në mbledhjen e Kuvendit ishte dëshmi e rritjes dhe fuqizimit të sektorit të TIK gjatë dy dekadave të fundit por edhe e rritjes së kërkesave të cilat theksojnë rolin qëndror të sektorit të TIK në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Kryetarja në largim e Bordit të STIKK, znj. Donjeta Sahatçiu, bëri hapjen e këtij takimi duke nënvizuar rëndësinë e shoqatës, punët e kryera si edhe sfidat e mëdha që ende duhen përballuar. Një vend të veçantë në fjalimin e saj ajo i kushtoi planit të ri të punës i cili “me një qasje të re” kërkon ngritjen në një nivel tjetër të fuqisë dhe imazhit të kompanive anëtare të STIKK dhe sektorit në tërësi.
Pas fjalimit të Znj. Sahatçiu, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli prezantoi një përmbledhje të aktiviteteve dhe të arriturave brenda vitit 2021, si dhe shpalosi disa nga planet për vitin 2022. Anëtari i Bordit të STIKK, Z. Valon Canhasi prezantoi planin e punës, objektivat dhe buxhetin e shoqatës për vitin 2022.
Plani i miratuar nga Kuvendi ka në fokus 4 objektiva: 1 – Ngritjen e kapaciteteve njerëzore për nevojat e kompanive anëtare dhe zhvillimit të tregut të STIKK, 2 – Përmirësimin e infrastukturës ligjore dhe qasjes në financa për komanitë e sektorit TIK, 3 – Zgjerimin e mundesive për shitje në tregun lokal dhe ndërkombëtar, 4 – Përmirësimin e identitetit të industrisë dhe potencialit vendor në tregun ndërkombëtar.
Pika e fundit e rendit të ditës së Kuvendit të XII-të të anëtarëve të shoqatës kishte të bënte me përzgjedhjen e anëtarëve të ri të Bordit të STIKK, ku pas procesit të votimit, konstituua bordi i ri:
Kryetar – z. Valon Canhasi (Hallakate)
Nën-kryetare – znj. Hana Qerimi (Starlabs)
Anëtarë – z. Astrit Desku (Komtel), znj. Zana Budima (SQA Consulting SEE), z. Arbër Bakija (Bbros), z. Muharrem Shefkiu (Polymath Labs), z. Iliriana Ibraj (LinkPlus IT), z. Ylli Zagragja (UCX Kosovo), dhe z. Armend Malazogu (Cacttus).