STIKK publikon Kosovo IT Barometer 2023–2024
Prishtinë, 18.12.2025 —
Me mbështetjen e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) publikoi dhe prezantoi gjetjet e Kosovo IT Barometer 2023–2024, një nga instrumentet kryesore për matjen dhe analizimin e zhvillimit të sektorit të TIK-ut në Kosovë.
Ngjarja u mbajt në Tech Park Prishtina dhe mblodhi kompani të sektorit të TIK-ut, institucione partnere, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe akterë të tjerë të ekosistemit. Diskutimi u përqendrua në zhvillimet kryesore të sektorit, sfidat e fuqisë punëtore, kapacitetin eksportues dhe nevojën për bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet industrisë, arsimit dhe institucioneve publike.
Në fjalën hyrëse, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli, theksoi rëndësinë e të dhënave të besueshme për të kuptuar më mirë trendet, sfidat dhe nevojat reale të sektorit të TIK-ut në Kosovë. Ajo nënvizoi se zhvillimi i sektorit kërkon vendimmarrje të bazuar në evidencë, sidomos në fushat që lidhen me shkathtësitë, punësimin, eksportin dhe bashkëpunimin me sistemin arsimor.
Pas saj, z. Henrique Stefani, menaxher i projektit “Skills for sustainable jobs in Kosovo”, theksoi rëndësinë e zhvillimit të shkathtësive dhe lidhjes më të ngushtë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, si parakushte për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe punësim cilësor.
Gjetjet kryesore të Kosovo IT Barometer 2023–2024 u prezantuan nga z. Visar Berisha nga Kantar Index Kosova. Raporti, i realizuar nga STIKK si instrument vjetor i sektorit që nga viti 2014, ofron një pasqyrë të detajuar mbi tregun e TIK-ut dhe shërbimeve kreative në Kosovë, duke trajtuar madhësinë e tregut, trendet e punësimit, eksportin e shërbimeve, mungesën e shkathtësive dhe sfidat kryesore të industrisë.
Edicioni aktual bazohet në përgjigjet e 115 kompanive të sektorit dhe tregon se TIK-u në Kosovë vazhdon të jetë një nga fushat më dinamike të rritjes ekonomike. Raporti evidenton një sektor të ri, ndërmarrës dhe gjithnjë e më të orientuar drejt tregjeve ndërkombëtare, ku shumë kompani ofrojnë shërbime për klientë jashtë vendit.
Në të njëjtën kohë, gjetjet tregojnë se sektori vazhdon të përballet me sfida strukturore. Mungesa e profesionistëve të kualifikuar, nevoja për shkathtësi në programim, të dhëna, inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike, qasja në financa, konkurrenca globale dhe bashkëpunimi më i ngushtë me institucionet arsimore mbeten ndër çështjet kryesore që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.
Për herë të parë, Barometri përfshin edhe një seksion të dedikuar për arsimin dhe aftësimin profesional dual në TIK. Ky seksion sjell të dhëna mbi mënyrën se si kompanitë angazhohen me nxënës dhe studentë, si i presin praktikantët dhe si e vlerësojnë relevancën e programeve profesionale në raport me nevojat reale të tregut të punës.
Për STIKK, Kosovo IT Barometer mbetet një mjet i rëndësishëm për të kuptuar gjendjen e sektorit, për të identifikuar boshllëqet në shkathtësi dhe për të orientuar politikat, programet dhe partneritetet që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së TIK-ut në Kosovë.
Publikimi i Kosovo IT Barometer 2023–2024 është realizuar me mbështetjen e projektit “Skills for sustainable jobs in Kosovo”, të financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe të zbatuar nga LuxDev, Agjencia e Bashkëpunimit Zhvillimor e Luksemburgut.
Raportin e plotë Kosovo IT Barometer 2023–2024 mund ta lexoni këtu:
http://bit.ly/3KGkJcJ