STIKK lanson iniciativën ‘Bridge’, urë lidhëse midis kompanive të TIK dhe insitucioneve arsimore

Kompanitë anetare të STIKK dhe institucionet arsimore partnere u dakorduan për një bashkëpunim më të ngushtë përmes iniciativës ‘Bridge’.

‘Bridge’ është një iniciativë e STIKK për të nxitur bashkëpunimin midis institucioneve të arsimit të lartë ose profesional, me kompani anëtare të STIKK me qëllim shkëmbimin e informatave mbi kërkesat e tregut të punës.

Iniciativa ‘Bridge’ zhvillohet në formën e një ‘workshop’-i 1 deri në 2 ditë në të cilin përfaqësues të kompanive tregojnë për një teknologji/produkt të caktuar ose gjendjen e tregut të TIK nga e cila mund të përfitojnë studentët.

Për implementimin e kësaj iniciative STIKK organizoi Martech #5 me të ftuar përfaqësues te kompanive të STIKK dhe institucioneve arsmimore partnere.
Kompanitë anëtare të STIKK treguan për ekspertizën e tyre, kërkesat e tregut dhe mënyrat si planifikojnë të bashkëpunojnë me universitetet dhe qendrat e trajnimeve profesionale.
Përfaqësuesit e botës akademike shpalosën programet e tyre dhe treguan gatishmëri për t’u bërë pjesë e iniciativës ‘Bridge’.
Në fund, të pranishmit u dakorduan për disa pika:
 – Organizimi i vizitave të përfaqësuesve/studentëve të universiteteve tek kompanitë anëtare të STIKK.
 – Mundësi për studentët për punë praktike gjatë verës tek kompanitë e STIKK.
 – Mbajtja e ligjeratave dhe workshop-eve nga kompanitë e STIKK në insitucionet e arsimit të lartë dhe profesional.
 – Bashkëpunimi mes kompanive të STIKK dhe universiteteve për R&D.
 – Mundësi për studentët që të zhvillojne temën e diplomës në kompani të STIKK.

‘Bridge’ krijon një hapsirë të shëndetshme për të shkëmbyer mendimet sipas tre perspektivave të ndryshme, gjë e cila do të çojë në identifikimin e talenteve, rritje të angazhimit dhe konkurrencës si edhe zvogëlim të hendekut midis shkathtësive të kërkuara nga tregu i TIK dhe ofertës së institucioneve të arsimit të lartë ose profesional. Ky fakt ka rëndësi të veçantë pasi adreson sado pak një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sektori i TIK në Kosovë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.