STIKK dhe Empower Sektori Privat i USAID nënshkruan Marrëveshje për Grant për Mbështetje të STIKK Education
Prishtinë – Sot, Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e Kosovës (STIKK) dhe EMPOWER Sektori Privat i USAID-it nënshkruan një marrëveshje për grant që do të mbështesë një program për trajnim dhe punë praktike në TIK për të rinjtë.
“Në vitin 2014, STIKK publikoi një raport mbi Analizën e Mangësive të Shkathtësive në Sektorin e TIK-ut, që ka theksuar se ekziston kërkesë e fuqishme në tregun vendor dhe të eksportit për ofrues të shërbimeve të TIK-ut,” thotë Vjollca Çavolli, Drejtoreshë Ekzekutive e STIKK-ut. “Megjithatë, është njëst pengesë e madhe në realizimin e kësaj mundësie: mungesa e profesionistëve të arsimuar në Kosovë në një gamë profilesh të TIK-ut, siç janë programimi i softuerëve dhe kodimi, madje edhe marketingu apo administrimi i biznesit të TIK-ut. Kjo i vë ofruesit e shërbimeve të Kosovës në disavantazh, sidomos në marrjen e punëve që jepen jashtë vendit nga blerësit e BE-së.”
Ky program për trajnim dhe punë praktike që do të lansohet nga STIKK-u si pjesë e STIKK Education të kësaj shoqate përbëhet nga dy cikle 6-mujore trajnimi që do të zhvillohen gjatë viteve 2015-2016. Programi përmban programimin e softuerëve dhe aplikacioneve mobile në përputhje me Kornizën Evropiane për e-Kompetenca 3.0, që siguron standardet ndërkombëtare dhe certifikimin për profilet e përcaktuara të shkathtësive të TIK-ut.
Programi i synon të rinjtë e papunësuar që janë të interesuar të ndjekin karriera në fushën e TIK-ut. Kështu, pjesëmarrësit e trajnimit do të lidhen me kompani në Kosovë që do të ofrojnë mundësi për punë praktike dhe më pas vendosje në vende pune për ta.
Ky aktivitet bashkë-financohet nga EMPOWER Sektori Privat i USAID-it, Ambasada e Norvegjisë dhe GIZ. Pritet që si rezultat i trajnimit do të krijohen 70 vende të reja pune dhe programi do të përkrahë STIKK Education që të arrijë qëndrueshmëri.