Seminari “Inxhinieria Softuerike Ndërkombëtare: Një Studim nga Përvoja e Honeywell”
Me 3 Qershor, USAID, në bashkëpunim me FIEK (Universiteti i Prishtinës) dhe STIKK, organizoi seminarin me temën e Inxhinierisë Softuerike në përmasa Ndërkombëtare.
Përvojat e tyre i ndan Prof. Ronald Birks, nga Honeywell dhe Prof. Shahin Berisha, Inxhinier i Softuerit në Arizona State University. Globalizimi shtyu Honeywell nga SHBA-të të “outsource” në Indi, Kinë, Rusi dhe Meksikë. Prof. Birks pas punës së tij një vjeçare në Rusi, më shumë se katër viteve në Indi dhe më shumë se pesë në Francë, sqaron se si funksionon struktura e kompanive të cilat kanë seli të shumta në shtete të ndryshme të botës. Kompania fillon punën në projekt në SHBA, pasdite zhvillon konceptin në Republikën Çeke, zhvillimi vazhdohet në Indi dhe testimi bëhet në SHBA. Efikasiteti është marrë nga përvoja të viteve të gjata të punës dhe bashkëpunimit, veçanërisht me Universitetet për përshtatjen e kurrikules me kërkesat e tregut të punës.
Përveç mundësive të cilat i ofron Inxhinieria Softuerike në nivel Ndërkombëtar, aty ekzistojnë edhe shumë sfida. Disa të cilat vlen të cekën janë dallimi i gjuhëve, dallimi i zonës kohore, takime shumë të rralla fytyrë-me-fytyrë dhe koordinim i vështirë i proceseve. Duke u fokusuar në Kosovë, Prof. Birks vlerësoi nivelin e lartë të njohurisë së gjuhës Angleze dhe Gjermane, të pozitës gjeografike dhe moshës së re të punëmarrësve potencial të sektorit të TIK.