MINT dhe STIKK nënshkruajnë zgjatjen e kontratës për shfrytëzimin e inkubatorit të biznesit në Bërnicë

Nënshkruhet Ndryshim-plotësimi (aneksi) i kontratës për dhënien në shfrytëzim të inkubatorit të biznesit në Bërnicë.
Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), Vjollca Çavolli u prit në takim nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari me të cilën kanë nënshkruar Aneksin e kontratës ndërmjet MINT dhe STIKK për dhënien në shfrytëzim të Inkubatorit të Biznesit në Bërnicë, nën administrim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konform ligjit Nr. 04/ L-159 për Zonat Ekonomike.
Ky inkubator me sipërfaqe të përgjithshme prej 3930m2, do të shfrytëzohet nga STIKK për periudhën 5 vjeqare të ardhshme, me qëllim që të kontribuoj dhe lehtësojë krijimin e bizneseve potenciale të qëndrueshme, të cilat ofrojnë shërbime të përbashkëta në ndërmarrësi, shërbime përkrahëse të biznesit, avancim të shkathtësive dhe teknologjisë si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me inkubator.
Nënshkrimi i kontratës i hap rrugë funksionalizimit të Tech Park Prishtina, i cili është në fazën e fundit të punimeve. Një mundësi më shumë për ndërmarrësinë dhe veçanërisht sektorin TIK të Kosovës. TechPark Prishtina do të ofrojë mundësi zhvillimi për të gjitha ato ide që sjellin risi si edhe do të sigurojë lidhje dhe sinergji midis tregjeve vendore dhe ndërkombëtare, universiteteve dhe institucioneve të tjera mbështetëse.