Mëngjesi me kompanitë anëtare të STIKK dhe kompanitë anëtare të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK)
Sot, më 27 Shtator 2016 po mbahet mëngjesi tradicional i organizuar nga Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (STIKK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK).
Mëngjesi me kompanitë anëtare të STIKK dhe kompanitë anëtare të OEGJK u hap nga Kryetari i Bordit të STIKK z. Mentor Sahiti dhe Drejtori Ekzekutiv i OEGJK, z. Albert Matoshi.
Në këtë takim janë prezent kompanitë anëtare të STIKK dhe kompanitë anëtare të OEGJK, ku janë duke trajtuar temat mbi bashkëpunime potenciale dhe zhvillimin e sektorit të IT-së.
Për më shumë, është duke u biseduar rreth krijimit të më shumë mundësive në eksportin e shërbimeve kosovare në tregun internacional me fokus në Gjermani, dhe krijimin e një sistemi me procedura më të përshtatshëm për eksportim. Ky sistem do të ndikonte në rritjen e efikasitetit të shërbimeve të eksportuara sepse do të lejonte kompanitë të kenë një formë të automatizuar përmes së cilës do të operojnë më shpejt dhe do të jenë më të qasshme në treg.
Poashtu, u theksua se OEGJK do të punoj në prioritizimin e sektorit të IT-së në mënyrë që partneriteti të jetë më i qëndrueshëm. Ky partneritet krijon edhe rritje të punësimit, faktor i cili ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e ekonomisë në përgjithësi.