Kuvendi i XII-të i STIKK
Prishtinë, 03 mars 2020 – Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës [STIKK], të martën organizoi takimin e dymbëdhjetë (XII) të kuvendit gjatë të cilit u prezantuan para anëtarëve rezultatet dhe të arriturat e STIKK-ut gjatë viti 2019, si dhe u diskutuan aktivitetet e planifikuara për vitin 2020. Planet dhe aktivitetet e diskutuara me të gjithë të pranishimit në Kuvend janë të konceptuara në mënyrë që të vazhdojnë angazhimin dhe përforcojnë misionin e STIKK-ut që ka të bëjë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes për sektorin tonë dhe të ngris nivelin e konkurueshmërisë së kompanive vendore në tregjet ndërkomëtare.
Në takminin e XII-të të Kuvendit të STIKK, kishim nderin ta mirëpresim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili bëri hapjen e këtij takimi duke ju drejtuar anëtarëve të pranishëm ku theksoi rëndësinë e sektorit të TIK-ut në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, si dhe shprehi gaditshmërinë për mbështetje institucionale në zhvillim të sektorit. Gjatë fjalimit të tij, Kryeministri tregoi edhe për disa prioritete të qeverisë së vendit që kanë të bëjnë me sektorin tonë e ndër të cilat përfshihen: ofrimi i trajnimeve për mësimdhënës në mënyrë që ata ti përshtaten trendeve të teknologjisë dhe kërkesave të tregut, themelimi i qendrave të teknologjisë me infrastrukturë të qëndrueshme dhe tërheqëse për kompanitë ndërkombëtare dhe vendore, zhvillimi i politikave stimuluese për mbështetjen e TIK-ut në veçanti për kompani të reja (start-ups) dhe miratimi i standardeve ndërkombëtare përkatëse të TIK-ut për institucionet publike dhe biznese. Përveç Kryeministrit, në Kuvendin e XII-të të STIKK, të pranishëm ishin edhe mysafirë special znj. Leonora Kusari – BERZH, znj. Fjolla Restelica – Projekti KODE i Bankës Botërore dhe z. Ahmet Jetullahu – REA Prishtina (EU support for the competitiveness of Kosovo’s ICT sector). Mysafirët prezantuan para anëtarëve projektet e tyre të cilat ndërlidhen ngusht me zhvillimin e sektorit të TIK-ut në vendin tonë, si dhe mundësitë e ndryshme për angazhimin e kompanive anëtarë në realizimin e këtyre projekteve.
Pas fjalimeve të mysafirëve të Kuvendit, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli prezantoi një përmbledhje të aktiviteteve dhe të arriturave brenda vitit 2019, si dhe shpalosi disa nga planet për vitin 2020. Anëtarët e Bordit të STIKK, z, Arianit Fazliu dhe z. Çelik Nimani vazhduan me prezantimin e raportit vjetorë të STIKK, si dhe planin e punës dhe buxhetin e shoqatës për vitin 2020.
Pika e fundit e rendit të ditës së Kuvendit të XII-të të anëtarëve të shoqatës kishte të bënte me përzgjedhjen e anëtarëve të ri të Bordit të STIKK, ku pas procesit të votimit, u konfirmuan anëtarët e ri të bordit, e që janë: znj. Donjeta Sahatçiu (Kryetare e Bordit), z. Çelik Nimani (Nën-kryetar i Bordit), z. Arianit Fazliu, znj. Zana Budima, znj. Hana Qerimi, z. Astrit Desku, z. Astrit Leti, z. Valon Canhasi dhe z. Dardan Velija.
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Rreth STIKK
Si një katalizator në industrinë dinamike të teknologjisë, STIKK përshpejton rritjen dhe progresin në ekonomi. STIKK ofron një platformë që bashkon liderët e teknologjisë për t’u lidhur dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe mbështet me entuziazëm anëtarët që shtyjnë përpara kufijtë e teknologjisë. Që nga themelimi në 2008, STIKK arriti suksese të shumta dhe u bë një nga shtytësit kryesorë të industrisë së TIK-ut dhe komunitetit të TIK-ut në Kosovë.
Misioni i STIKK është ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për TIK-un duke përkrahur biznes-bërje brenda dhe jashtë Kosovës, vendosjen e standardeve, mundësitë e arsimimit si dhe duke avokuar për të siguruar investime të reja.
Aktualisht, shoqata përfaqëson rreth 90% të sektorit të gjithëmbarshëm të TIK në Kosovë.