Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti Vizitoi “Programerët e Rinj”
Më 13 gusht 2014, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti vizitoi “Programerët e Rinj” në hapësirat e ICK-së. “Programerët e Rinj” është një grup nga Kosova që përfshin 10 fëmijë të cilët pas një periudhe mësimore prej katër muajsh, të iniciuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës – STIKK në bashkëpunim me ICK, morën pjesë në garën ndërkombëtare “Festival of Code” e cila u organizua nga Young Rewired State në Angli, prej datës 29 korrik deri më 3 gusht të këtij viti.
Dhjetë programerët tanë të rinjë për 4 ditë rresht punuan në zhvillimin e një web aplikacioni të emërtuar 101 city (qyteti 101), të cilin ata e identifikuan si të nevojshëm për lehtësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës si dhe të turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë vendin tonë. Puna e palodhshme e këtij grupi punëtor drejt krijimit të aplikacionit u shpërblye me çmimin e veçantë “Special Mention Award” i cili iu nda ekipit garues nga juria e Festivalit të Kodit.
Gjatë vizitës, Kryetari Ahmeti pati mundësinë ti shikojë edhe një herë prezantimet e fëmijëve dhe më pas theksoi se Komuna të cilën ai e drejton do të vazhdojë të mbështesë këtë grup dhe programe të tjera të ngjashme nëpër shkolla fillore, tani që “smart cities” dhe teknologjia janë pjesë e pandashme dhe e domosdoshme e së ardhmes.