KosICT 2020: përmbyllet edhe një edicion i suksesshëm

KosICT 2020: përmbyllet edhe një edicion i suksesshëm

Edicioni i 9-të i Festivalit të Teknologjisë KosICT u përmbyll pas dy ditësh me plotë aktivitete.

Ky edicion edhe pse virtual dhe shumë ndryshe nga edicionet e kaluara, ka arritur një numër të kënaqshëm të pjesëmarrësve gjatë dy ditëve të konferencës, ngjarjes së rrjetëzimit, panairit të inovacionit dhe poashtu gjatë garës “KosICT CS:GO Masters”.

Numri i folësve kombëtar dhe ndërkombëtar të ardhur nga disa prej kompanive të teknologjisë më të njohura në botë ishte 49, gjë që sigurisht ka ndikuar në numrin e vizitorëve në të gjitha platformat tek të cilat janë shfaqur prezantimet dhe panelet e diskutimit.

Edicioni i nëntë i KosICT është mbajtur pa audiencë fizike si pasojë e masave të marra nga qeveria për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19. Gjithsesi, i gjithë programi ka qenë i qasshëm për audiencën përmes uebfaqës së KosICT, faqës zyrtare në Facebook dhe kanalit zyrtar në platformën Youtube.

Falenderim i veçantë shkon tek të gjithë ata të cilat na kanë përkrahur gjatë organizimit të #KosICT20. Pa përkrahjen e të gjithë partnerëve tanë dhe folësve, kjo ngjarje nuk do të ishte kaq e suksesshme.