KosICT 2015 – Udhëtimi nëpër hapësirën teknologjike
KosICT 2015 përfundoi suksesshëm pas dy ditë të sesioneve dhe punëtorive. Edhe njëherë KosICT solli tema të së ardhmes dhe të tanishme si Realiteti Virtual, Zhvillimi Mobil, Industria 4.0 dhe Interneti i Gjërave. Këto tema u prezantuan dhe u diskutuan, mirëpo gjithashtu u dhanë këshilla se si tregu vendor mund të kontribuoj dhe ta zë ritmin e zhvillimit në këto aspekte me botën.
Suksesi i KosICT-së erdhi si rezultat i folësve që e përcaktuan drejtimin e kësaj konference. Folësit, që vinin nga kompani eminente, ishin mirë të përgatitur dhe dhuruan sqarime të rëndësishme. Në temën realiteti virtual, prezantuan Florian Stadlbauer, Drejtor Ekzekutiv në Deck 13 Interactive, dhe z. Endri Tolka, Bashkëthemelues dhe Zyrtar i Lartë Operativ dhe Financiar në YouVisit. Pas tyre, z. Christian Kulas, Analist për Menaxhim Biznesi në Capgemini, z. Matthias Hamburg, Menaxher Konsultues për Sogeti në Gjermani, dhe z. Ermal Sadiku, Drejtor i Lartë Ekzekutiv në Linkplus prezantuan në temën Zhvillimi për Mobil. Në temën Industria 4.0 folësit ishin z. Rolf Glunz, Drejtor i Shitjeve në Imbus AG, z. Mentor Sahiti, Drejtor i Lartë Ekzekutiv në Adaptivit, z. Peter König, SAP Koordinator dhe Ligjërues në Kolegjin UBT, dhe z. Villu Arak, bashkëthemelues në Funderbeam. Në fund, tema për Internetin e Gjërave u mbulua nga z. Blaz Umek, Menaxher i Zhvillimit të Produktit në IPKO Telecommunications, z. Kiril Izov, Udhëheqës i organizatës SM&P për Microsoft-in në Bullgari, Maqedoni dhe Kosovë, z. Stoyan Boev, Drejtor Menaxhues në InterConsult Bulgaria, dhe z. Falk Schubert, Zv. President i Shitjeve për regjionin EMA në PAY.ON.
Për më shumë, ajo pjesë e audiencës më e prirur për teknologji pati mundësin të marre pjesë në sesionet për zhvillim, ku u sqaruan dhe diskutuan teknologjitë prapa trendëve dhe produkteve të prezantuara.
Më e madhe dhe më e mrekullueshme ndër vite
KosICT 2015 u organizua me ndihmën e shumë individëve dhe organizatave prestigjioze. Ky fakt u vërejt edhe në fjalimet hapëse. KosICT-ja u hap zyrtarisht nga z. Shkumbin Brestovci, President i Bordit të STIKK-ut. Në fjalimin e tij, ai u fokusua në rëndësinë dhe potencialin që Kosova ka në sektorin e IT-së. Pas z. Brestovci, fjalën e mori z.Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik. Ai siguroi të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Kosovës i ka dhënë dhe do të vazhdoj të jap komunitetit të IT-së. Sesioni hapës përfundoi me znj. Christina Gehlsen, Zv. Ambasadore e Gjermanisë për Kosovë, e cila ju referua potencialit për outsourcing në IT dhe rëndësisë së KosICT si konferenca më e madhe regjionale.
I – Realiteti Virtual: Ku do të shkojë dhe si do të ndërrojë jetët tona?
Një sesion shumë interaktiv pyetjesh dhe përgjigjesh, që u moderua nga Jeta Zagragja, shënoi përfundimin e suksesshëm të sesionit të parë të KosICT 2015. Folësit tanë të nderuar, z. Florian Stadlbauer prej Deck 13 Interactive dhe z. Endri Tolka, prej YouVision, dhanë kontributin e tyre në temën e realitetit virtual.
Floriani u fokusua në mënyrën se si industria e lojërave e përdorë realitetin virtual për të përmirësuar përvojën e përdoruesve, duke pasur parasysh dallimin mes softuerit klasik dhe lojërave. Ai filloi duke folur për evolucionin e lojërave kompjuterik qysh prej vitit 1972 kur ato u hodhën në treg. Prej asaj kohe, lojërat janë bërë më komplekse dhe të ndryshme. Tash prej 50-200 individë marrin pjesë në zhvillimin e lojërave, për një periudhë kohore deri në 4 vjet. Floriani përmendi të ashtuquajturën ‘flow-zone’, ku përdoruesi është i përfshirë në mënyrë aktive, por prapë është i/e relaksuar, si një prej kritereve definues për suksesin e një loje kompjuterike. Realiteti virtual luan rol në arritjen e kësaj gjendje. Shkalla e bashkëveprimit dhe realizmit ishin pika të tjera të prekura gjatë këtij prezantimi. Floriani tha se edhe pse realizmi vlerësohet shumë në lojëra, figurat shumë realistike mund të kenë efekt kundër-produktiv. Për të ardhmen, ai parashikoi se do të ketë një integrim të plotë të shqisave në lojëra.
Endri prezantoi për bashkimin e realitetit virtual dhe atij të shtuar në të ardhmen. Ky kombinim, sipas tij, është hapi i radhës në teknologji. Ai cilësoi realitetin virtual si platformën që përfundimisht do të ndryshonte radikalisht komunikimin mes njerëzve. Realiteti virtual, që ofron një përvojë gjithëpërfshirëse dhe interaktive, na dërgon të gjithëve një hap më afër përzierjes së botës digjitale dhe asaj fizike. Ai foli për realitetin virtual, për pajisjet që na duhen për ta ndërtuar, përmbajtjen dhe zbatimet e këtij realiteti, si dhe në fund për infrastrukturën qe duhet. Për sa i përket kësaj, Endi përmendi pajisjet që na ndihmojmë t’i qasemi këtij realiteti si headsets dhe haptics, duke u fokusuar në atë se si këto pajisje do të mundësojnë zhvillime të mëtejshme në këtë fushë. Ai gjithashtu iu referua përqindjes së lartë të përdorimit dhe përvetësimit të pajisjeve për realitet virtual si dhe projektimeve financiare për rritjen e realiteti virtual. Sipas disa projektimeve, pas disa viteve, vlera e realitetit virtual do të rritet në $20 miliard. Endri përfundoi prezantimin me studime te produkteve të YouVisit.
II – Krijimi i ‘botës së aplikacioneve’
Sesioni i dytë për ditën e parë të KosICT-së përfundoi pasi tre folës eminent prezantuan bazuar në dijet dhe eksperiencat e tyre për fushën e Zhvillimit Mobil, me ç’rast folën për trendët e përgjithshme në këtë fushë, testimet dhe karakteristikat e kësaj industrie. Pas prezantimeve, folësit iu përgjigjën pyetjeve të moderatorit, Drin Mulliqi dhe audiencës.
Z. Christian Kulas, prej Capgemini, filloi prezantimet në këtë temë. Ai foli për përvojën e përdoruesve dhe trendët e përgjithshme të zhvillimit për mobil. Christian e pranoi se zhvillimi për mobil përfshinë detyra të vështira për shkak të tolerancës së vogël për gabime dhe ritmit të tregut, mes tjerash. Ai u fokusua veçanërisht në ritmin e shpejtë të tregut si dhe si munden kompanitë të krijojnë procedura që ju ndihmojnë të kenë sukses në këtë lloj tregu. Dy trende teknologjike janë duke dominuar momentalisht në fushën e zhvillimit të aplikacioneve për mobil: Kompjuterët Gjithandej dhe Analizat e Avancuara. Christian gjithashtu foli për rëndësinë e vizualizimit si metodë për qartësim. Mirëpo, sipas Christianit, sqarimi duhet të ndodhë para procesit të krijimit të aplikacioneve, duke konsideruara faktin që verifikimi dhe qartësimi janë elemente kyçe. Kjo është arsyeja pse ai rekomandoi qasjen Shpejtë, Dizajn dhe vizualizim për t’i zgjedhur këto dhe shumë probleme tjera. Rëndësia e masave të sigurisë dhe proceseve interaktive u theksua si vendimtare nga Christiani që ka më shumë se një dekadë përvojë në këtë fushë.
Folësi i radhës, z. Matthias Hamburg, përfaqësues i Sogeti, u fokusua specifikisht në testim të aplikacioneve për mobil. Ai hodhi poshtë deklaratat që pohojnë se kualiteti i aplikacioneve është i ndërtuar në aplikacion dhe se nuk ka nevojë për testim të aplikacioneve mobile krahasuar me softuerët e tjerë. Ai vazhdoi ta theksojë sigurinë si shqetësimin kryesor për shumë zhvillues të aplikacioneve për mobil dhe përdoruesve, duke siguruar se testimi ndihmon në shmangien e këtyre problemeve. Për ta ilustruar këtë, ai përmendi disa shembuj të përvojës së tij kur aplikacionet e ndryshme nuk e kryejnë funksionin për të cilin janë krijuar. Për t’i përforcuar edhe më shumë argumentet e tij, z. Matthias përmendi Raportin Botëror për Kualitet për 2015-16, i cili është bazuar në më shumë se 1560 intervista, që prioritizuan testimin si një metodë të rëndësishme për të pasur cilësi. Ai gjithashtu tregoi për një zhvillim pozitiv për sa i përket zhvillimit për mobil: gjithnjë e më shumë kompani po e përvetësojnë këtë lloj testimi. Megjithatë, problem kryesor mbetet mungesa e profesionistëve në këtë fushë. Këtu mund të kontribuojnë organizatat profesionale si ISTQB duke certifikuar individë në fushën e inxhinierisë softuerike. Ata ofrojnë të dhëna që duhet të transformohen në informata dhe dije për testuesit e ardhshëm.
Prezantimet përfunduan me z. Ermal Sadiku, prej LinkPlus IT. Ermali u fokusua më shumë në specifikat e industrisë të aplikacioneve për mobil. Përvoja e tij e futjes në treg e ndihmoi t’i ilustrojë argumentet e tij. Ai tha se zhvillimi për mobil është më shumë ekzekutim dhe më pak inovacion, duke konsideruar faktin që kryesisht ka të bëjë më gjetjen e një biznesi ku diçka punon më mirë si aplikacion se si softuer tjetër. Duke e quajtur ‘Bota e Aplikacioneve’, Ermali sqaroi se si kjo botë ndryshon prej botëve të tjera të lidhura me IT-në. Ai tregoi se si kjo botë mund t’ju ndihmojë bizneseve në marketing dhe mund t’i bëjë këto biznese të njëjta të dallohen në marrëdhëniet me konsumatorët. Për më shumë, aplikacionet mund të përdoren për pagesa dhe procese tjera të lidhura me biznes. Megjithatë, ai na rikujtoi që bota e aplikacioneve nuk është edhe aq e thjeshtë dhe që ka ndërruar kahje prej planifikimit fillestar. Me ekipe më të vogla dhe specializimin e fleksibilitetin, ekipet e zhvillimit të aplikacioneve, sipas Ermalit, mund të kenë sukses në Kosovë.
II.I – Zhvillimet vendore në punëtoritë për zhvillim
Në ndërkohe, në një sallë më të vogël, mbi ngjarjen kryesor, me shumë pjesëmarrës, KosICT 2015 ofroi një sesion/punëtori zhvilluese, ku u prezantuan zhvillimet vendore në Kosovë. KosICT2015 nuk do të kishte kuptim pa diçka për entuziastët e teknologjisë. Për këtë arsye ne kemi ftuar Profesorin Blerim Rexha dhe studentët e tij, Faik Ispahiun, gazetar bashkë me dy përfaqësues komunal nga Prishtina dhe Gjakova, Milot Shalën dhe Bardh Shasivarin, programerë, dhe Ardian Haxhën dhe Egzon Mjekun, entuziastë të rinj prej AdaptivIT, dhe Valmir Hoxhën, adhurues i mekatronikes dhe robotikes.
Këto sesione njoftuan të pranishmit me zhvillime unike për sa i përket rrjeteve sociale, ku përfaqësuesit e UP-së folën për një aplikacion që zbulon gjëra si lista e ‘unfriends’ në facebook, heqja e ‘likes’, shikimeve, shikimet e profilit etj. Pas kësaj, djemtë prej AdaptivIT prezantuan një aplikacion që e kanë zhvilluar për Indoor Localization and Guiding Systems që siguron vendin prej fatkeqësive të paparashikuara. Më pas, Miloti dhe Bardhi folën për përvojën e zhvillimit të një konteksti të realitetit virtual, ku ka një lloj tjetër ambienti për zhvilluesit nga ai që jemi mësuar ta shohim, kur sëmundja nga lëvizjet dhe psikologjia e sjelljes së njerëzve është e përfshirë. Pas drekës, Valmir Hoxha nga UBT-ja foli për mekatronikë dhe robotikë dhe për një pajisje që shkencëtaret në UBT e kanë krijuar. Në fund, Faik Ispahiu, prej Kallxo.com, foli për futjen e teknologjisë në jetën sociale dhe sa lehtë është të krijohet përmbajtje prej gjërave që ndodhin rreth teje. Për më shumë, dy përfaqësuesit e komunave të Prishtinës dhe Gjakovës, folën për iniciativat e komunave të tyre për sa i përket teknologjisë. Respektivisht, ata folën për e-qeverisjen në Prishtinë dhe konceptin e qytetit të mençur në Gjakovë.
III – Industria 4.0 dhe roli i saj në fabrika të mençura, menaxhim të ujërave të zeza dhe më shumë
Dita e dytë e KosICT-së filloi me prezantime të gjalla dhe thukëta për Industrinë 4.0. Revolucioni i katërt industrial mori vëmendjen e audiencës përderisa folësit, të udhëhequr nga Alejtin Berisha, shpalosën idetë dhe implimet prapa Industrisë 4.0.
Z. Rolf Glunz, prej Imbus AG, sqaroi si kualiteti i softuerit luan një rol qendror në automatizimin e pajisjeve. Industria 4.0 sugjeron se do të ekzistojë një lidhje më e fortë mes shumë faktorëve si produkte të mençura dhe sensorë të mençur, outernet, realiteti i shtuar, internet i gjërave dhe interneti i shërbimeve, si dhe kërkon qasje në të dhëna prej shumë pikave. Kjo lidhje e fortë që do të çojë deri në zgjidhjen e disa problemeve modern dhe ngritjen e proceseve modern ka softuerit dhe kualitetin e tij në qendër. Industria 4.0 kërkon një sasi më të madhe të të dhënave pasi që do të mundësojë një nivel revolucionar të komunikimit mes njerëzve dhe makinave. Kjo do të thotë që do të ketë më shumë mundësi për produkte të personalizuara. Krejt ky proces do të mundësohet prej sensorëve të mençur dhe pajisjeve mobile. Edhe pse ky proces do të rrisë komunikimin mes njerëzve dhe makinave, njerëzit do të jenë të limituar në dhomën e kontrollit duke mbikëqyrur dhe kontrolluar makinat. Softueri luan një rol të rëndësishëm në këtë aspekt pasi që monitorimi do të bëhet përmes softuerit; por gjithashtu është i rëndësishëm në krijimin e pajisjeve që do të ndihmojnë në këtë proces, sipas Rolfit.
Rëndësia e softuerit u theksua edhe prej z. Mentor Sahiti, prej Adaptivit, që morën një qasje më praktike për të sqaruar se si Industria 4.0 do të na ndihmojë të zgjedhim problemet ditore. Ai e filloi prezantimin me një thënie të famshme të Bill Gates “Unë do ta zgjedhja një përtac për ta bërë një punë të vështirë, sepse një përtac gjithmonë e gjen nje rrugë të lehtë për ta bërë punën”. Pas kësaj potencoi se ky revolucion industrial do të kërkojë më pak resurse fizike për të zgjedhur probleme të prekshme si menaxhimi i ujërave të zeza. Kjo tregon se sa shumë faktorë si të dhëna, proceset e biznesit, inxhinieri dhe teknologji do të jenë të ndërlidhura. Kjo do të thotë se inxhinieria dhe biznesi do të takohen në një pikë. Prapë, ai theksoi rëndësinë e inkorporimit të koncepteve dhe ideve të Industrisë 4.0 për qëllime garuese ose kompetitive. Integrimi i të dhënave, sipas Mentorit, do të luante një rol të rëndësishëm në këtë proces.
Z. Peter König, SAP Koordinator, u fokusua në mënyrën se si Industria 4.0 me të vërtetë është revolucion meqë do të fusë në përditshmëri koncepte të reja si ai i ‘fabrikës së mençur’. Peter sqaroi se si kjo fabrikë e mençur do të mundësojë prodhim më të shpejtë duke përdorur më pak resurse fizike, dhe në të njëjtën kohë do të ndajë të dhëna dhe informata në të njëjtën kohë. Kjo sipas Peter do të nevojitet duke marr parasysh sfidat që gjithnjë e më shumë rriten për prodhuesit. Të mirat e prodhuara duhet të kenë çmim kompetitiv, por gjithashtu duhet t’i plotësojnë të gjitha standardet dhe kërkesat ligjore; duhet të kenë cikle më të shpejta të jetës, por të kenë qasje më të shpejtë në të dhëna; të ofrojnë prodhim sipas kërkesës, dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë prodhim në masa të mëdha. Në këtë aspekt, fabrikat e mençura, që lehtë adaptohen, do të jenë shumë të dobishme. Këto fabrika të mençura do të kenë karakteristika si ndër-operatibilitet, modularitet, orientim kah shërbimet, që do të ju mundësojnë t’u përgjigjen nevojave të tregut të sotëm. Peter përmendi edhe fabrikat e mençura dhe se si këto mund të arrihen përmes SAP-it. Ai gjithashtu tregoi se si Kosova mund të marrë pjesë në zhvillimet më të reja të Industrisë 4.0. Ai theksoi instalimin e mentalitetit të krijuesit dhe edukimit në përgjithësi në mënyrë që të arrihet ky qëllim.
Qëllimi i ndërlidhjes si një pjesë esenciale e Industrisë 4.0 u përmend nga z. Villu Arak, prej Funderbeam. Në vizionet afatgjate për të ardhmen, ndërlidhshmëria gjithmonë dominon; njerëzit paramendojnë së si e ardhmja do të heq gjithnjë e më shumë barrierë. Kur flasim për biznes, kjo është ajo çka Funderbeam po mundohet të arrijë. Ai u fokusua më shumë rreth një teknologjie, Blockchain, do të u mundësojë investuesve të lidhen lehtë më start-up në një treg shumë dinamik. Bazuar në këtë teknologji, Funderbeam do ta krijojë një platformë që do të ju mundësojë investuesve dhe start-ups të arrijnë të njëri tjetri shpejtë dhe me më pak limite, që do t’i bëjë tregjet më transparente.
IV – Çka kanë të përbashkët Darth Vader dhe fermerët? Të dy palët përfitojnë prej Internetit të Gjërave
Sesioni i fundit i KosICT 2015 u përfundua suksesshëm nën moderimin e Alejtin Berisha, duke shënuar njëkohësisht edhe fundit e KosICT-së për këtë vit. Ky sesion ishte plot me surpriza si sqaroi se si fermerët dhe Darth Vader munden të përfitojnë prej Internetit të Gjërave.
Z. Blaz Umek, prej IPKO Telecommunications, inicioi sesionin duke u fokusuar në mënyrat si Interneti i Gjërave mundet ta shtyjë përpara zhvillimin. Interneti ka rrëzuar barrierë të shumta kur ju ka mundësuar pajisjeve të komunikojnë me aplikacione, me ç’rast ka ndryshuar mënyrën si punojmë, luajmë, udhëtojmë, reklamojmë dhe argëtohemi. Interneti i ka mundësuar bizneset të arrijnë deri te masat si dhe të mos e shkëmbejnë këtë me sasinë e informative të shpërndara. Me Internetin e Gjërave, kur pajisjet do të jenë në gjendje të komunikojnë me pajisje tjera, stilet e jetesës do të përmirësohen dhe lehtësohen, kur të dhënat shpejtë kthehen në informata dhe dije. Hapi tjetër do të jetë Interneti i Gjithçka, ku pajisjet dhe aplikacionet do të mund të komunikojnë me njerëz, me të cilën IPKO është i gatshëm të ju ndihmojë bizneseve. Megjithatë, Interneti i Gjërave dhe Interneti i Gjithçka gjithashtu paraqesin problem dhe sfida si sasi të mëdha të të dhënave por mungesë të kapaciteteve dhe teknologjive për ti përdorur ose pajisje që komunikojnë më shumë se njerëzit. Prapëseprapë, benefitet do të jenë të konsiderueshme. Një shembull praktik është ndihma që do të ju jepet fermerëve përmes pajisjeve që ta rrisin produktivitetin.
Z. Kiril Izov, prej Microsoft Bulgaria, vazhdoj të prezantoj në mënyrat si Interneti i Gjërave do të bëhet një komponent kyç i çdo biznesi që dëshiron të bëhet digjital. Microsoft-i e sheh Internetin e Gjërave jo si një strategji të izoluar, po si një pjesë integrale të strategjisë digjitale të çdo biznesi. Kiril gjithashtu sqaroi së sa e rëndësishme është për biznese ta kuptojnë që Interneti i Gjërave është duke u bërë realitet dhe ta përfshijnë në planet për të ardhmen e afërt. Ai theksoi mundësitë që Interneti i Gjërave i ka krijuar për kompani që të zvogëlohen kostot dhe ineficienca, të rriten të hyrat duke i mbajtur asetet e njëjta, dhe së fundmi, krijimi i modeleve të reja për biznes. Këto tri elemente do të mund të arriheshin duke u fokusuar në eliminimin e vijës ndarëse të botës fizike dhe virtuale dhe duke bashkuar të gjithë akterët të takohen në një pikë. Me zbatime në disa fusha, duke përfshirë bujqësinë dhe fermat, ka filluar të jenë të një kontribues i rëndësishëm në sukses për shkak të aftësisë të absorbojë dhe procesojë të dhëna dhe të lidh informata prej disa pajisjeve. Pikërisht kjo aftësi, lidhja dhe shpërndarja e informatave prej pajisjeve të ndryshme, që ju ndihmon kompanive të arrijnë pika më të larta të eficiencës.
Z. Stoyan Boev, prej Interconsult Bulgaria, gjithashtu u fokusua në të dhëna dhe në mënyrën si kompanitë mund t’i shfrytëzojnë ato më mirë. Interneti i Gjërave ka të bëjë më të dhënat, por edhe me analiza parashikuese, kontrolle të eficiencës, kontroll të informacionit nga largësia dhe vizualizim të të dhënave, që bazohen në të dhënat fillestare. Aftësitë e tyre parashikuese janë të bazuara në kualitetin e të dhënave fillestare. Stoyan gjithashtu u fokusua në zgjedhjen e platformës për Internetin e Gjërave, ku foli për kriteret definuese dhe elementet. Këto kritere janë ruajtja e të dhënave, prezantimi i të dhënave dhe kostoja e licencës; kur kombinohen këto të tre mund të na japin një përgjigje për sa i përket platformës për një kompani. Ai tregoi për një nevojë për algoritma kuptimplotë që do t’i bënin të dhënat komplekse të kuptueshme dhe një mundësi për të prezantuar sasi të mëdha të të dhënave.
Në fund, por jo më pak i rëndësishëm si Falk Schubert foli për Darth Vader dhe se si ai do të jetë shumë falënderues ndaj Internetit të Gjërave pasi që do t’i mundësonte t’i ndalojë të gjithë ata që mundohen ta vjedhin identitetin e tij. Duke konsideruar faktin që ai përfaqësoi PAY.ON, një platformë që ofron produkte për pagesat online, Falk u fokusua në mënyrat si Interneti i Gjërave do t’i bëjë pagesat online më të lehta dhe më lehtë të vërtetueshme. Ai filloi duke iu referuar super-të këqinjëve, që kanë pajisje që ju mundësojnë të jenë gjithmonë online me ndihmën e teknologjisë. Darth Vader në vecanti, kur mërzitet shkon për shopping sipas Falk. Në këtë proces, identiteti i tij vërtetohet përmes biometrikes. Kjo ju mundëson shitësve ta dinë kush po i blen produktet e tyre dhe u mundëson ta kuptojnë rrezikun e transaksionit. Në ndërkohë, konsumatori, Darth Vader, mund të paguajë menjëherë, që veç i përgjigjet një nevoje të natyrës njerëzore për të marrë shpërblimin menjëherë. Falk gjithashtu potencoi një tjetër mundësi të dhuruar prej Internetit të Gjërave e ajo është mundësia për të digjitalizuar procesin e vendim-marrjes. Kur ja ofron pajisjes tënde disa rregulla, pajisja mund të marrë vendime për ty. P.sh. mund ta bëni një rregull që vetura jote të shkojë në lokalin e preferuar të hënave dhe të kthehet në shtëpi të mërkurave, dhe kështu vetura jote merr vendime për ty. Ka edhe shumë mundësi tjera që ju ofrohen nga Interneti i Gjërave.
IV.I – Metodat moderne për menaxhim të projektit
Në ndërkohë në ditën e dytë një punëtori u organizua nga z. Ivaylo Gueorguiev prej qendrës ECI në Bullgari, ku ai sqaroi metodat e reja të menaxhimit të projektit të quajtur Lean Kanban, që kombinoi të dy metodologjitë për menaxhim të projekteve që janë vërtetuar nga tregu. Ivo ishte lider shumë i mirë që i udhëhoqi pjesëmarrësit në një aventurë të mësimit të këtyre metodave në mënyra të reja si ‘lojëzimi’ ose gamification. Shumë pjesëmarrës ishin anëtarë të STIKK-ut por dhe pjesëmarrës prej bankave vendore.
V – Prapa prezantimeve
Prapa informacionit të prezantuar mes dhe në prezantime të folësve, KosICT krijoi një ambient dhe bashkëpunime. Duke qenë në dijeni për rëndësinë e ambienteve të tilla, KosICT krijoi të ashtuquajturën dhomë të biznesit; aty përfaqësues prej kompanive të ndryshme patën mundësinë të shoqërohen dhe diskutojnë privatisht. Kjo dhomë u tregua shumë e suksesshme pasi që u diskutua për bashkëpunime në të ardhmen.
Jashtë dhomës së biznesit, KosICT mbajti reputacionin e një pike diverse për IT në regjion. Konferenca më e madhe në TIK në regjion ishte pika ku rrugët e shumë individëve që përfaqësonin kompani të famshme u takuan. Ky diversitet krijoi mundësi për lidhje gjatë pushimeve ose sesioneve të pyetjeve. Aspekti informativ shërbente për shumë studentë dhe ndërmarrës të rijnë; KosICT iu ofroi atyre mundësinë ta shohin si duket e ardhmja e IT-së dhe ishte një mundësi e çmueshme të investojnë në rritjen e tyre.
VI
Si përfundim, KosICT premtoi një konferencë të nivelit të lartë me kompani të nivelit të lartë dhe e mbajti këtë premtim. Ne duam t’i falënderojmë sinqerisht dhe ta shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë sponsorët tanë: Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, SPARK, GIZ, Encouraging Youth Entrepreneurship, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Ambasada Suedeze. Falënderim i veçantë shkon për sponsorin tonë Platinum, IPKO, si dhe për sponsorët e argjendtë: Adaptivit dhe Red Mill. Gjithashtu duam të falënderojmë sponsorin tonë patron: Microsoft; sponsorët mbështetës: Kolegji Universum, Kolegji UBT dhe Kallxo.com; partnerët industrial: BASSCOM, MASIT dhe AITA; sponsorët kreativë: Project Graphics, Entermedia, Frakton dhe Rolling Rabits; sponzorët mediatik: RTK, Multimedia, Telegrafi dhe Gjirafa; dhe anëtarët e artë të STIKK: Art House, Dy Gur, Entermedia, Primedb dhe Red Mill.
Për më shumë, të gjithë që morën pjesë, pyetën pyetje, prezantuan, ose në një mënyrë a tjetër u përfshinë në KosICT 2015, faleminderit për kontributin tuaj, e vlerësojmë shumë.
Me këtë, KosICT 2015 përfundon misionin e saj. Shpresojmë të ju shohim prapë në KosICT 2016.