ICT-KOSEU: Seancë informuese për pjesëmarrje në HORIZON2020 me fokus në TIK
Me datën 27.02.2014, STIKK si partnere e projektit ICT-KOSEU organizoi seancën informuese lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në kornizën e re të Komisionit Evropian Horizon2020, në ambientet e MASHT. Z. Ulrich Boes, nga URSIT, Bullgaria gjithashtu partner i projektit ICT-KOSEU u ofroi pjesëmarrësve të takimit njohuri të përgjithshme për kornizën HORIZON2020. Qëllimi kryesor i kësaj kornize është thjeshtësimi i disa aspekteve në krahasim me kornizën paraprake, megjithatë ende ka rregulla të shumta të cilat duhen zbatuar. HORIZON 2020 do të përkrahë të gjitha shkallet e zinxhirit të hulumtimit dhe inovacionit, dhe rangimet e ndryshime të financimit në bazë të parimit sa më afër tregut të jetë aktiviteti përkrahës aq më të mëdha duhet të jenë financimet nga burimet tjera. Në këtë takim pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të dëgjojnë edhe përvojat e hulumtuesve Kosovare nga Diaspora: Priv.-Doz.Ing. Nysret Musliu, profesor i asocuar dhe lider i projekteve hulumtuese në Universitetin Teknik të Vjenës,Austri, Dr.-Ing. Naim Bajçinca, Hulumtues Senior i Asocuar në Max-Planck-Institute for Dynamics of Complex Technical Systems & Control Theory dhe Ligjërues në Universitetin Teknik te Berlinit mbi temën e “Përvoja në hulumtime si një parakusht për pjesëmarrje në projektet hulumtuese”.Takimi u përmbyll me njoftimin nga përfaqësuesja e STIKK znj. Mjellma Alijaj lidhur me pyetësorin elektronik si dhe krijimin e një udhërrëfyesi për prioritetet e Kosovës në hulumtim të ndërlidhura me projektet e shpallura nga Horizon2020. Ky pyetësor do tu drejtohet të gjitha palëve të interesit.