Forumi për Teknologjinë e Informacionit (TI) dhe Inovacionit
Me datë 6 Maj u mbajt forumi për Teknologjinë e Informacionit (TI) dhe Inovacionit. Ky forum është një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që ka për qëllim mbledhjen e akterëve kryesorë vendimmarrës të fushës së TI-së, e cila diskuton çështje të rëndësishme të cilat ndërlidhen me zhvillimin dhe avancimin e këtij sektori në Kosovë.
Vizioni i Forumit për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacion mbështetet në opinione, eksperienca, politika, reforma dhe rekomandime të elaboruara dhe relevante në fushën e TIK-ut.
Në panelet të cilat u mbajtën në këtë forum morën pjesë ekspertë ekonomik, akademik, institucione qeveritare, kompani të sektorit të TI-së dhe inovacionit si dhe donatorëve potencialë, të cilët do të kontribuojnë në krijimin e mundësive për një dimension dhe realitet të ri të strategjisë kombëtare e TI-së. Këtu morën pjesë dhe përfaqësues të STIKK.
Z. Shkumbin Brestovci, tregoi për rëndësinë e parkut të biznesit dhe teknologjisë dhe kërkoi nga qeveria përkrahje për realizimin e këtij projekti me rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Znj. Vjollca Çavolli tregoi për sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset, duke marrë parasysh normat e larta të interesit bankar, mungesën e fondeve zhvillimore si dhe mungesën e përkrahjes së qeverisë në aspektin e lehtësirave tatimore për kompanitë që kanë për synim eksportin e shërbimeve.
Në fund ministri z. Blerand Stavileci u zotua në emër të qeverisë për përkrahje të vazhdueshme drejt zhvillimit të këtij sektori me rëndësi.