Ditët e Vajzave në TIK – Aktivitete në Prishtinë nga DigiWomen Cluster

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, Komuna e Prishtinës, në partneritet me 16 organizata që kontribuojnë në promovimin dhe fuqizimin e vajzave dhe grave në TIK, organizuan fushatën #VAJZATNETIK22. Ky event u zhvillua në datat 26-28 Prill, duke e kthyer “Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK” në “Ditët e vajzave në TIK”. Kjo nismë do të vazhdojë të organizohet  çdo vit, me më shumë aktivitete dhe organizata partnere.

DigiWomen Cluster Kosovo, i cili operon nën ombrellën e STIKK, është një nga partnerët kryesorë të kësaj fushate. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së fushatës, DigiWomen Cluster  mbajti diskutime, trajnime dhe sesione informuese me vajza nga shkollat ​​fillore dhe të mesme në Prishtinë.

Duke synuar krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e TIK-ut me përfshirjen e grave, DigiWomen Cluster Kosova (DWCK) përcaktoi shtrirjen e problemit të angazhimit të vajzave në sektorin e TIK, propozoi zgjidhje, i komunikoi dhe i promovoi ato duke krijuar mundësi për rrjetëzim, motivim dhe reduktim të hendekut gjinor. Në këtë linjë u zhvilluan aktivitetet e mëposhtme.

Anëtaret e DigiWomen Cluster Kosovo morën pjesë në hapjen e fushatës me një panel diskutimi “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e teknologjisë”. Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, Vjollca Çavolli, bëri një panoramë të zhvillimit të sektorit të TIK përgjatë 30 viteve të fundit, ku nënvizoi se pavarësisht pengesave numri i grave sipermarrëse në ketë sektor është rritur duke zhvilluar gjithashtu cilësinë e produkteve dhe bizneseve.

Sipërmarrësja dhe bashkëthemeluesja e Starlabs dhe Shkollës Digjitale, Hana Qerimi tregoi për eksperiencën e saj si grua në sektorin e TIK dhe gjithashtu për potencialin që ofron sektori për të rinjtë dhe të rejat në Kosovë.

Ceremonisë hapëse të aktiviteteve iu bashkuan edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, e cila në të njejtë kohë është anëtare e DigiWomen Cluster.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, znj. Donjeta Sahatçiu, në fjalimin hapës të fushatës Ditët e Vajzave në TIK 2022
Znj. Vjollca Çavolli, znj. Teuta Sahatqija, znj. Hana Qerimi dhe znj. Jora Zeneli në panelin “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e teknologjisë”

Gjatë tri ditëve të fushatës, DigiWomen Cluster mbajti dy sesione “Më pyesni çdo gjë” dhe tre sesione me temë “TIK si zgjedhje karriere” me vajza nga shkollat fillore dhe të mesme në Prishtinë.

Sesioni “Më pyesni për çdo gjë” me znj. Zana Tabaku, znj. Zana Budima dhe znj. Hana Qerimi në Gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë
Sesioni “TIK si zgjedhje e karrierës” me znj. Iliriana Ibraj në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë
Sesioni “TIK si zgjedhje e karrierës” me znj. Diora Binxhiu në shkollën fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë
Sesioni “TIK si zgjedhje e karrierës” me znj. Rrita Rugova në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë

Anëtaret e DigiWomen Cluster mbajtën gjithashtu një sesion të përbashkët me temë “Pse TIK”, ku shpjeguan pse zgjodhën TIK-un si profesion edhe pse fillimet e tyre në disa raste nisën në fusha të ndryshme.

Anëtaret e DigiWomen Cluster gjatë sesionit “Pse TIK” në Innovation Center Kosovo

Në kuadër të aktiviteteve u mbajt gjithashtu edhe trajnimi “Soft Skills” me mentoren Shenaj Shala.

Anëtaret e DigiWomen Cluster Kosovo janë: Vjollca Çavolli (STIKK), Donjeta Sahatçiu (Deputy Mayor of Pristina), Hana Qerimi (Starlabs), Diora Binxhiu (Polar Bear Agency), Zana Tabaku (Appdec), Zana Budima (SQL Consulting), Arta Shehu Zaimi (LabBox), Iliriana Ibraj (LinkPlus IT), Rrita Rugova (KODE Labs), Melita Ymeraga (Melita & Partners), Eldita Tarani (Junior Geeks).