Dita Mbarëkombëtare e TIK 2015

Me 25 Qershor në Durrës është mbajtur takimi i komunitetit të TIK të trojeve shqiptare: “Dita Mbarëkombëtare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”. Kjo ngjarje ishte hera e 7-të me radhë e organizimit të këtij aktiviteti, i cili solli bashkë kompanitë e TIK nga Kosova dhe Shqipëria. Mbi 30 përfaqësues të sektorit të TIK u mblodhën në këtë takim me qëllim të identifikimit të mënyrave të ndryshme bashkëpunimit, njohjes, forcimit dhe krijimit e një rrjeti profesional mbarëkombëtar në fushën e TIK.

Takimi u hap nga Drejtori Ekzekutiv i AITA, z. Dritan Mezini, i cili u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve. Më pas pjesëmarrësve iu drejtua Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli, e cila sqaroi se si u thellua bashkëpunimi gjatë këtyre 7-të viteve të vazhdimit të kësaj tradite.

Pjesëmarrësit gjithashtu patën kënaqësinë të dëgjojnë prezantimin e draftit të IT Barometrit të Kosovës për vitin 2015 nga z. Bardh Kadiu, Koordinator i Programeve në STIKK. Pas prezantimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të kontribojnë në diskutim të hapur lidhur me vështirësitë të cilat hasen në aspektin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve. Kompanitë vazhduan të shkëmbenin përvojat dhe njohuritë e tyre edhe gjatë koktejit të paraparë për rrjetëzim.

Kompanitë prezent në këtë takim vlerësuan lartë nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit për tejkalimin e barrierave të identifikuara dhe krijimin e një ambient më të favorshëm për bërjen e biznesit.