Dita Mbarëkombëtare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit
Me datën 10/07/2014 në Prevallë, është mbajtur takimi tradicional i komunitetit të TIK të trojeve shqiptare: “Dita Mbarëkombëtare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”. Kjo ngjarje e 6-shta me radhë e organizuar në këto troje solli bashkë kompanitë e TIK nga Kosova dhe Shqipëria.
Mbi 40 përfaqësues të sektorit të TIK u mblodhën në këtë takim me qëllim të identifikimit të modaliteteve të bashkëpunimit, njohjen, forcimin dhe krijimin e një rrjeti profesional mbarëkombëtar në fushën e TIK.
Takimi u hap nga Kryetari i Bordit te STIKK z. Shkumbin Brestovci, si nikoqir të ngjarjes, i cili u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve. Më pas pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjojnë prezantimin e z. Bardh Kadiu, Koordinator i Programeve në STIKK lidhur me IT Barometrin për Kosovë, dhe z. Romeo Sharko, Anëtari i Bordit të AITA lidhur me IT Barometrin e Shqipërisë.
Pas prezantimeve pjesëmarrësit patën mundësinë të kontribuojnë ne diskutim te hapur lidhur me vështirësitë të cilat hasen në aspektin e bashkëpunimit ne mes të dy vendeve. Kompanitë vazhduan të shkëmbenin përvojat dhe njohuritë e tyre edhe gjatë koktejit të paraparë për rrjetëzim.
Kompanitë prezent në këtë takim vlerësuan lartë nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit për tejkalimin e barrierave të identifikuara dhe krijimin e një ambient më të favorshëm për bërjen e biznesit.
Kjo ditë u përmbyll me vizitën e realizuar në Lidhjen e Prizrenit.