DigiWomen Cluster Kosovo përmbyll me sukses Javën e Vajzave në TIK 2025

DigiWomen Cluster Kosovo, që funksionon në kuadër të STIKK-ut, ka përmbyllur me sukses aktivitetet në kuadër të iniciativës “Girls in ICT Week 2025”. Kjo javë pati si qëllim fuqizimin dhe inkurajimin e vajzave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e njohurive dhe frymëzimin përmes historive personale të grave të suksesshme në këtë fushë.

Në kuadër të kësaj jave, DigiWomen Cluster Kosovo organizoi gjithsej 9 aktivitete në 9 institucione publike dhe private në 8 komuna të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Vitinë, Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Kamenicën, Podujevën, Drenasin dhe Skenderajn. Aktivitetet përfshinë shkolla profesionale, gjimnaze, qendra inovative dhe institucione tjera edukative e teknologjike.

Në këto aktivitete u angazhuan gjithsej 15 mentore, gra profesioniste dhe lidere nga kompanitë e njohura në sektorin e teknologjisë dhe biznesit, duke përfshirë: 3CIS JSC, Dare to Create, Sentry Cybersecurity, Softeh LLC, Linkplus IT, Cacttus Education, Polar Bear Agency, Brandfluence, Next Gen Networks Institute, Imbus Peja, The Foundation House dhe Women in Tech Kosovo.

Në sesionet interaktive të zhvilluara gjatë kësaj jave, mentoret ndanë përvojat e tyre personale dhe profesionale, duke theksuar rëndësinë e guximit, inovacionit, vetëbesimit, mirëqenies dhe krijimit të rrjeteve profesionale si elemente kyçe për sukses në industrinë e teknologjisë. Në këto aktivitete morën pjesë rreth 300 vajza të reja, të cilat patën mundësinë të diskutojnë hapur, të marrin përgjigje konkrete për pyetjet e tyre dhe të krijojnë lidhje të rëndësishme profesionale për karrierën e tyre të ardhshme.

Aktivitetet u mbështetën edhe nga projekti EnInGeP, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe zbatuar bashkërisht nga CARE International dhe ECIKS, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të mundësive të reja dhe avancimit të barazisë gjinore në sektorin e TIK-ut në Kosovë.