Bordi i STIKK takohet me këshilltarin e Kryeministrit të Kosovës, Jagxhiu: STIKK partneri kryesor i qeverisë për zhvillimin e sektorit TIK
STIKK është partneri kryesor i qeverisë për zhvillim të sektorit TIK dhe për strategjinë nacinale të TIK, sipas këshilltarit për çështje të TIK të Kryeministrit të Kosovës, z. Lulzon Jagxhiu.
Me ftesë të STIKK u mbajt takimi mes Bordit Drejtues të STIKK dhe z. Jagxhiu. Ne takim u diskutua mbi sfidat e sektorit TIK në Kosovë si edhe strategjinë me të cilën qeveria po planifikon t’i qaset këtyre sfidave.
Anëtarët e Bordit të STIKK prezantuan prioritetet e shoqatës dhe disa nga propozimet të cilat kërkojnë adresim në qeveri në të mirë të sektorit TIK. Bordi gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të bashkëpunuar me insitucionet qeveritare në arritjen e qëllimeve të përbashkëta në të mirë të sektorit dhe ekonomisë së Kosovës.
Z. Jagxhiu theksoi se partner kryesor për zhvillim e sektorit TIK dhe për strategjinë nacionale të TIK qeveria e ka STIKK dhe shpalosi disa nga hapat që ajo planifikon të ndërrmarrë në këtë drejtim, duke kërkuar edhe mbështetjen e STIKK. Ndër të tjera, z. Jagxhiu informoi Bordin Drejtues të STIKK rreth detajeve mbi vizitën e kryeministrit Kurti në kompani të TIK në SHBA dhe rezultatet e këtyre takimeve.
Ne përfundim te takimit, u dakordua që të mbahen takime të rregullta mes STIKK dhe Zyrës së Kryeministrit të Repubikës së Kosovës ku do t’ i adresojmë çështjet e zhvillimit të sektorit të TIK në Kosovë.