Bizneset e shqetësuara lidhur me vonesën e miratimit të ligjit për lirime doganore
Për shkak të vonesës nga ana e komisioneve përkatëse të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të kthejë në agjendën e Kuvendit miratimin e projektligjit për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore dhe me qëllim të diskutimit të këtyre vonesave dhe miratimit më të shpejtë të këtij projektligji i cili do të ishte i një rëndësie të veçantë për kompanitë e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve si dhe për prodhuesit kosovarë, Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizuan një tryezë me deputetët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Në tryezë ishin të ftuar edhe anëtarët e Komisionit për Legjislacion dhe Kushtetutë, por asnjëri prej tyre nuk morën pjesë në tryezë.
Vjollca Çavolli, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, tha se debate të tilla janë mundësi e mirë për të arritur deri tek zgjidhja e disa çështjeve që preokupojnë komunitetin e biznesit, në këtë rast zgjidhjes së çështjes së projektligjit në fjalë i cili është propozuar që nga viti 2009 në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe shoqatat e tjera të biznesit, duke u përpjekur që gjithmonë të lehtësohet në veçanti gjendja e sektorit të prodhimtarisë, por edhe sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në vend. Znj. Çavolli shtoi se përmes miratimit të këtij projektligji, përparësitë do të ishin të shumëfishta. Duke e marrë parasysh se në vendin tonë 76 përqind e popullatës janë përdorues të Internet, është e domosdoshme ofrimi i qasjes së lirë në pajisje të komunikimit elektronik. Kjo iniciativë do të ishte e para dhe një ndër më të rëndësishmet për sektorin e ICT-së, i cili dita ditës po tregohet si sektor i rëndësishëm për vendin tonë.
Në anën tjetër, Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i OEAK, u shpreh se për shkak të gjendjes së vështirë me të cilën ballafaqohet sektori i prodhimtarisë, gjë që pamundëson rritjen e pozitës konkurruese të ndërmarrjeve prodhuese kosovare karshi prodhuesve nga vendet fqinje, është e domosdoshme që Projektligji për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore të kalojë sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës, duke marrë parasysh se me aprovimin e këtij ligji, do të mundësohet fuqizimi e sektorit privat, si një bartës kryesor i zhvillimit ekonomik.
Safete Hadërgjonaj, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, u shpreh e kënaqur për marrjen e një iniciative të tillë nga asociacionet e biznesit, duke ofruar kështu një mundësi të mirë bizneseve të shprehin shqetësimet e tyre. “Sidoqoftë, një shqetësim i tillë lidhur me miratimin e Projektligjit për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore, është brengë poashtu e Komisionit për Buxhet dhe Financa”, u shpreh znj. Hadërgjonaj. Pasi shpjegoi shkurtimisht rrjedhën e procedurës së këtij projektligji, ajo premtoi se që nga java e ardhshme do të shtohen përpjekjet për kthimin dhe miratimin sa më të shpejtë të këtij projektligji.
Edhe nënkryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, tha se në koordinim me Ministrinë e Financave kanë pasur për qëllim që në kuadër të projektligjit të ketë dispozita të cilat i mundësojnë Ministrisë së Financave që pas konsultimit me Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa të vendosë për ndryshimin e listës së mallrave të liruara nga detyrimet doganore, me qëllim të shmangies së procedurave të gjata për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve.Në vijim, bizneset e pranishme në tryezë shprehën shqetësimet e tyre individuale lidhur me mungesën e politikave fiskale që janë në favor të bizneseve prodhuese dhe të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke kërkuar miratimin sa më të shpejtë të projektligjit në fjalë.