Amy Cosper: Ndërmarrësia është të krijosh diçka të re, inovative ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë

Valmir Mehmetaj, Kosovo 2.0 (www.kosovotwopointzero.com) – Një ndërmarrëse amerikane flet për ndjekjen e profesionit “Cool”. Çfarë do të thotë të jesh ndërmarrës? Sipas Google, ndërmarrës është “një person që organizon dhe operon një biznes ose biznese, duke rrezikuar financiarisht më shumë se që është normale”.

Por nëse ky definicion u duket i thatë, e kemi gjithmonë pikëpamjen e Amy Cosper. Cosper është ndërmarrëse tash e një dekadë. Ajo beson se ndërmarrësit nuk duhet ta pranojnë përgjigjen ‘jo’, e duhet të shtyhen nga dëshira “për t’i ndjekur ëndrrat, për ta ndryshuar botën dhe për të patur ndikim”, duke “krijuar diçka të re, ose inovative ose përçarëse, aty ku nuk kishte asgjë më parë”.

Cosper njihet si një prej figurave më të suksesshme në botën e ndërmarrësisë. Ajo pranon se nuk u “shtye” nga diploma e saj në drejtimin e Gjuhës Italiane dhe Historisë së Artit, por duke bërë atë që e don. Ajo filloi si gazetare në 1995 për botën e teknologjisë, duke raportuar nga Izraeli, Norvegjia, Luksemburgu, Brazili, Parisi dhe Londra. Më pas ajo udhëhoqëi disa revista financiare që fituan shumë çmime, e në 2008 u bë zëvendës presidente dhe kryeredaktore në Entrepreneur Media Inc., revistë dhe uebfaqe e bazuar në SHBA që trajton lajme të ndërmarrësisë dhe menaxhimit të bizneseve të vogla.

Duke lexuar disa prej artikujve të saja, është lehtë të shohim që Cosper është luftëtare. Ajo nuk u dëshpërua as kur iu kall shtëpia në vitin 2010, dhe familja e saj katër anëtarëshe – dy adoleshentë dhe dy të rritur – jetuan në një shtëpi me rrota deri sa iu rindërtua shtëpia. Ajo shkroi se kjo përvojë vetëm e bëri më të fuqishme: “Nuk u thyem. U bëmë më të fuqishëm, më të mirë. Dëshmuam që mund të mbijetojmë. Po, ngritja nga hiri është klishe, por në rastin tim është e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Pati jetë para zjarrit dhe pas tij, por janë dy jetë krejtësisht ndryshe”.

Kjo është përvojë që mund të lidhet me ato të shumë njerëzve në Kosovë. Ajo e vizitoi Kosovën javën e kaluar si folëse në edicionin e pestë të KOSICT, konferencës rajonale të organizuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), që ka për synim t’i sjell në Ballkan temat më të reja botërore të teknologjisë informative. Sivjet kjo konferencë bëri bashkë folës prej kompanive të mëdha si Google dhe LinkedIn.

Megjithatë, Copser i tha audiencës se ajo vendosi që të pushojë nga bota e mediave në fund të gushtit, kur e la rolin e saj të rëndësishëm në revistën Entrepreneur. Ajo tani është duke u marrë me synime tjera jetësore: është duke shkruar një libër, duke udhëtuar, duke vozitur motoçikletën e saj, e duke xhiruar një dokumentar.

Në një intervistë për K2.0, Copser tha se ishte e lumtur që e pati rastin t’i takonte disa njerëz të Kosovës, të cilët ajo i përshkroi si shumë ambicioz për të bërë diçka të veçantë e për ta vendosur vetën në hartë. Si dikush që e ka ndërmarrë misionin e shpërndarjes së “fjalës së mirë” të ndërmarrësisë, Cosper mendon që, në mënyrë që të jesh i suksesshëm, si rregull thelbësore duhet ta kesh guximin, të mos frikësohesh nga dështimi, por ta tejkalosh frikën, sepse aty të presin “përvoja, dituria, fuqizimi, urtësia dhe suksesi”.

Për të lexuar intervistën e plot, ju lutem vizitoni këtë link: http://kosovotwopointzero.com/amy-cosper-ndermarresia-eshte-te-krijosh-dicka-te-re-inovative-ose-percarese-aty-ku-nuk-kishte-asgje-me-pare/