Digitalize Your Business, regjistrimi është i hapur
Trajnim dhe këshillim pa pagesë për bizneset e sektorit HoReCa në gjithë Kosovën. Bëje biznesin tënd më të dukshëm, më të organizuar dhe më të fortë me mjete digjitale.
Regjistrimi është i hapur deri më 10 janar 2027.
Çka është Digitalize Your Business
Digitalize Your Business (DYB) është një metodologji trajnimi e zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) për t’i ndihmuar ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të përmirësojnë veprimtarinë e tyre përmes digjitalizimit. Në kuadër të Projektit HoReCa Kosovë të ILO-s, STIKK mbështet zbatimin e programit në bashkëpunim me trajnerë vendorë të përgatitur nga ILO.
Programi zhvillohet nga janari deri në mars dhe përfshin 40 biznese të sektorit HoReCa nga e gjithë Kosova. Secili biznes do të punojë individualisht me trajnerin që i caktohet për të hartuar planin e vet të veprimit për digjitalizim.
Digjitalizimi është mjeti. Qëllimi është një biznes më i fortë.
Çka përfiton biznesi yt
- Klientët e rinj të gjejnë më lehtë në Google, në rrjete sociale dhe në vlerësime.
- Fiton më shumë kohë për klientët, me më pak letra, telefonata dhe llogari me dorë.
- Ke më shumë kontroll, sepse e di çka shitet, çka mungon në stok dhe ku të ikin paratë.
- Ekipi yt punon më mirë, me orare të qarta, komunikim më të lehtë dhe aftësi të reja.
- Biznesi yt bëhet më i fortë gjatë gjithë vitit, i përgatitur për sezonin e lartë dhe për muajt e qetë.
- Në fund ke një plan konkret veprimi, të ndërtuar bashkë me trajnerin tënd.
Çka mëson
Trajnimi përshtatet sipas nevojave të biznesit tënd. Mëson
- ku qëndron sot biznesi yt digjitalisht dhe nga t’ia fillosh
- si të të gjejnë dhe të të zgjedhin klientët online
- kur ia vlen të shesësh online dhe sa kushton realisht
- si t’i menaxhosh porositë, pagesat dhe stokun me më pak kohë.
Në çdo modul mëson edhe si ta përdorësh Inteligjencën Artificiale (IA) për të kursyer kohë në punën e përditshme. Programi i ILO-s zbatohet në mbi 100 vende, tani me shembuj nga Kosova.
Si funksionon
- Regjistrohesh online me një formular të shkurtër, vetë ose me ndihmën e një trajneri.
- STIKK dhe ILO përzgjedhin 40 biznese sipas kritereve të publikuara më poshtë.
- Trajneri vjen në biznesin tënd dhe bën vlerësimin e nevojave.
- Merr pjesë në trajnimin në grup, 2 deri 3 ditë në fund të janarit.
- Vazhdon me këshillim individual në biznesin tënd ose online, deri te plani yt i veprimit.
Programi nis në janar dhe përfundon në mars. Biznesin e lë vetëm për 2 deri 3 ditë.
Për kë është
Për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme që shërbejnë ushqim, pije ose akomodim në gjithë Kosovën, si kafene, restorante, piceri, fast food, ëmbëltore, hotele, bujtina, agroturizëm, katering, salla për evente dhe kantina vere.
Programi është për bizneset e regjistruara në ARBK, me pronarin ose një menaxher që merr pjesë në tërë programin dhe e zbaton planin e veprimit në biznes.
Programi i mirëpret veçanërisht të rinjtë sipërmarrës, bizneset e udhëhequra nga gratë, pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe bizneset e agroturizmit dhe të gastronomisë së qëndrueshme.
Si përzgjidhen bizneset
STIKK dhe ILO i vlerësojnë aplikimet sipas pesë kritereve
- sa qartë i përshkruan sfidat e biznesit tënd
- sa konkrete janë përmirësimet që pret
- angazhimi i pronarit ose i menaxherit për tërë programin, përfshirë përmirësimin e kushteve të punës
- përputhja mes nevojave të biznesit dhe mbështetjes që kërkon
- numri i punonjësve që përfitojnë nga programi.
Pikë shtesë marrin pronarët nën 35 vjeç, bizneset e udhëhequra nga gratë ose me shumicë punonjëse gra, bizneset ku pronari vjen nga një komunitet joshumicë ose ku pronari apo dikush nga stafi ka aftësi të kufizuara, si dhe bizneset e agroturizmit dhe të gastronomisë së qëndrueshme.
Përgjigjet e qarta dhe konkrete në formular kanë më shumë peshë se numri i kutive të zgjedhura.
Po granti?
Granti vjen pas trajnimit. Kur e përfundon programin dhe plani yt i veprimit tregon qartë nevojën për investim në zgjidhje digjitale, mund të aplikosh në procesin e veçantë të granteve në kuadër të projektit të ILO-s.
Si regjistrohesh
Plotëso formularin online deri më 10 janar 2027. Zgjat rreth 15 minuta. Mbaje afër numrin e regjistrimit në ARBK dhe numrin e punonjësve.
Mund ta plotësosh vetë ose bashkë me një trajner të DYB nga zona jote. Pas mbylljes së regjistrimit, STIKK i njofton të gjitha bizneset që kanë aplikuar.
Për pyetje shkruaj në [email protected].
Ky aktivitet zbatohet nga STIKK përmes Projektit HoReCa Kosovë të ILO-s, në bashkëpunim me AICS Tiranë dhe Ambasadën e Italisë në Prishtinë.