Hapet thirrja për pjesëmarrje në Kosovo Trade Mission to the United Kingdom 2026

UK–Kosovo Tech Hub ka hapur thirrjen për kompanitë e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë që dëshirojnë të marrin pjesë në Kosovo Trade Mission to the United Kingdom 2026, i cili do të zhvillohet në Londër nga 21 deri më 25 shtator 2026.

Misioni synon t’u ofrojë kompanive kosovare qasje të strukturuar në tregun britanik, mundësi për krijimin e kontakteve të reja dhe hapësirë për prezantimin e kapaciteteve dhe shërbimeve të tyre përpara bizneseve dhe partnerëve potencialë në Mbretërinë e Bashkuar.

Çfarë pritet të përfitojnë kompanitë?

Gjatë misionit, kompanitë e përzgjedhura do të kenë mundësi të marrin pjesë në:

  • takime B2B të organizuara paraprakisht me biznese dhe partnerë potencialë që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar;
  • aktivitete profesionale dhe ngjarje rrjetëzuese me kompani, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë;
  • evente dhe panaire ndërkombëtare që mbulojnë tregtinë elektronike, shitjet dhe marketingun digjital, përvojën e klientit, pagesat dhe logjistikën, si dhe të dhënat, analitikën, inteligjencën artificiale dhe zgjidhjet teknologjike;
  • prezantime dhe diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet kompanive nga Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar;
  • aktivitete që mundësojnë njohjen më të mirë të kërkesave, trendeve dhe mënyrës së funksionimit të tregut britanik.

Për secilën kompani të përzgjedhur do të përgatitet paraprakisht një profil në gjuhën angleze. Profilet do të ndahen me organizatorët dhe partnerët e misionit për t’u promovuar te bizneset relevante në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të identifikuar interesimin për takime të mundshme.

UK–Kosovo Tech Hub do të koordinojë agjendën e misionit, regjistrimet në aktivitetet përkatëse, procesin e takimeve B2B, transportin lokal për aktivitetet zyrtare dhe një darkë të përbashkët gjatë qëndrimit në Londër. Sipas nevojës dhe procedurave përkatëse, kompanive do t’u ofrohen edhe letra mbështetëse nga partnerët relevantë për aplikimin për vizë.

Kush mund të aplikojë?

Thirrja është e hapur për kompanitë që:

  • janë të regjistruara në Republikën e Kosovës;
  • veprojnë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit;
  • kanë interes dhe kapacitet për zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit në tregun e Mbretërisë së Bashkuar;
  • kanë të paktën një përfaqësues që mund të komunikojë dhe ta prezantojë kompaninë në gjuhën angleze;
  • angazhohen të marrin pjesë në përgatitjet paraprake dhe në agjendën e plotë zyrtare të misionit.

Do të përzgjidhen maksimumi 12 kompani. Secila kompani mund të nominojë deri në dy përfaqësues.

Fillimisht do të verifikohet përmbushja e kritereve dhe plotësia e aplikimit. Ndër aplikimet e plota dhe të vlefshme do të zbatohet parimi “first come, first served”, bazuar në datën dhe orën e dorëzimit.

Kostot e pjesëmarrjes

Pjesëmarrja në programin e misionit nuk ka tarifë.

Kompanitë e përzgjedhura do të mbulojnë vetë:

  • udhëtimin vajtje-ardhje Kosovë–Londër;
  • akomodimin në Londër;
  • tarifën dhe shpenzimet e aplikimit për vizë;
  • sigurimin e udhëtimit;
  • transferet ndërmjet aeroportit dhe akomodimit;
  • ushqimet që nuk janë pjesë e agjendës zyrtare dhe shpenzimet personale.

Organizatorët nuk ofrojnë këshillim për vizë dhe nuk mund të garantojnë lëshimin e saj. Çdo aplikant mbetet përgjegjës për aplikimin, dokumentacionin dhe respektimin e afateve të autoriteteve britanike.

Si të aplikoni?

Afati për aplikim është 18 Gusht 2026, ora 12:00 PM.

Kompanitë e interesuara duhet të lexojnë thirrjen e plotë dhe të plotësojnë formularin online brenda afatit të përcaktuar.

Shkarkoni thirrjen e plotë: https://stikk.org/wp-content/uploads/2026/08/Thirrje-per-Shprehje-Interesi-Kosovo-Trade-Mission-to-UK-2026.pdf

Plotësoni formularin e aplikimit: https://forms.gle/UUEfzAiAffmGsLth6

Kompanitë do të njoftohen për rezultatet brenda një dite nga përfundimi i afatit të aplikimit.

Kosovo Trade Mission to the United Kingdom 2026 organizohet nga UK–Kosovo Tech Hub, një iniciativë e STIKK që funksionon nën ombrellën e saj dhe mbështetet nga ProCredit Bank Kosova.

Partnerë të misionit janë Ambasada Britanike në Kosovë, British Kosovar Chamber of Commerce dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.