Mbledhja e XVIII-të e Kuvendit të STIKK: miratohet Plani i Punës 2026, zgjidhet Kryetari i ri i Bordit

Prishtinë, 5 mars 2026 — Në Tech Park Prishtina u mbajt Mbledhja e XVIII-të e Kuvendit të STIKK-ut, ku anëtarësia e shoqatës mori vendime kyçe për drejtimin e vitit të ardhshëm: u miratua Plani i Punës dhe Buxheti për vitin 2026 me objektivat përkatëse strategjike, u zgjodhën anëtarët e rinj të Bordit dhe u konstituua Kryetari i ri i Bordit. Mbledhja shërbeu po ashtu si një moment i rëndësishëm reflektimi mbi punën dhe arritjet e STIKK gjatë vitit 2025, si dhe mbi prioritetet që do ta udhëheqin sektorin e TIK-ut në vitin 2026.

Kuvendi u zhvillua në frymën e transparencës dhe llogaridhënies, duke ndjekur agjendën e paraparë, ku përfshiheshin diskutimi dhe aprovimi i raportit vjetor të shoqatës, prezantimi dhe miratimi i planit të punës dhe buxhetit për vitin 2026, si dhe aprovimi i raportit të auditimit për vitin 2025. Në pjesën zgjedhore të mbledhjes u realizua procesi i nominimit dhe votimit për Bordin e ri, duke konfirmuar orientimin e STIKK drejt një qeverisjeje aktive dhe përfaqësuese të industrisë.

Plani i Punës 2026 u aprovua si një dokument udhërrëfyes që e mban STIKK në fokusin e rolit të saj kryesor: të jetë platforma që bashkon kompanitë e sektorit të teknologjisë në Kosovë, i përfaqëson interesat e tyre dhe i shndërron prioritetet e industrisë në programe konkrete. Objektivat e planit për vitin 2026 synojnë të ndërtojnë kapacitete njerëzore sipas nevojave reale të tregut, të avancojnë agjendën për përmirësimin e kornizës ligjore dhe rritjen e qasjes në financa, të zgjerojnë mundësitë e shitjes dhe bashkëpunimit për kompanitë kosovare në tregje lokale dhe ndërkombëtare, si dhe të forcojnë identitetin e industrisë dhe pozicionimin e Kosovës në hartën evropiane të teknologjisë.

Kjo qasje vjen mbi një bazë pune të konsoliduar në vitin 2025, kur STIKK rriti ndikimin e saj si organizatë që prodhon rezultate të matshme dhe ndërton ekosistem. Në një vit të mbushur me ritëm e ngjarje, STIKK fuqizoi platformat e saj kryesore të bashkëpunimit dhe promovimit, duke i dhënë sektorit jo vetëm një hapësirë prezantimi, por edhe një mekanizëm lidhjesh, partneritetesh dhe mundësish reale. KosICT 2025 u dëshmua edhe një herë si ngjarja më e madhe e teknologjisë në vend, me 2,798 pjesëmarrës, 47 folës, përfaqësim të gjerë të kompanive dhe një program që e lidhi inovacionin lokal me ekspertizën dhe rrjetet ndërkombëtare. Në këtë edicion, Investors Pitch solli jo vetëm ide e energji sipërmarrëse, por edhe një sinjal të qartë besimi në startup-et vendore, me njoftimin e një investimi total prej 50,000 euro për pesë prej tyre.

Përtej ngjarjeve, STIKK e thelloi punën e saj edhe në atë që shpesh nuk shihet në foto, por e mban sektorin në lëvizje: analiza, politika dhe ndërtimi i strukturave që e bëjnë industrinë më konkurruese. Publikimi dhe prezantimi i IT Barometrit të Kosovës u shndërrua në një referencë të rëndësishme për të kuptuar trendet, sfidat dhe potencialin e tregut të TIK-ut në Kosovë, ndërsa ndërhyrjet në dialogun institucional synuan t’i japin zë nevojave të kompanive në kohën kur ekonomia digjitale kërkon vendime të shpejta dhe të informuara.

Një kapitull i veçantë i punës së STIKK gjatë vitit 2025 lidhet me zhvillimin e Tech Park Prishtina, si hapësirë e re e industrisë dhe si qendër që po e riorganizon mënyrën se si bashkëpunojnë bizneset, institucionet dhe komuniteti i inovacionit. Përmes rritjes së funksionalitetit të parkut dhe aktivizimit të tij si vend i përditshëm pune dhe ngjarjesh, STIKK po e shndërron këtë investim në një platformë të prekshme për kompani, startup-e dhe iniciativa të reja. Paralelisht, iniciativa të tilla si DigiWomen Cluster Kosovo po e forcojnë dimensionin e gjithëpërfshirjes në industri, duke ndërtuar një komunitet profesional dhe duke i hapur rrugë pjesëmarrjes më të madhe të grave në sektorin e teknologjisë.

Në kuadër të vendimeve të Kuvendit, pas votimit, Bordi i ri i STIKK përbëhet nga:

Z. Astrit Leti – Tive (Kryetar)
Znj. Erblina Idrizi – Imbus Peja (Nënkryetare)
Z. Alban Sahiti – Tenton
Z. Albert Aliu – Global CT Digital Kosovo
Znj. Besa Gjonbalaj – Rrota
Z. Blendrit Elezaj – Tactica
Z. Visar Berisha – Kantar Index Kosova
Z. Gegë Efendija – Pretera
Z. Erion Vrella – GenZ Digital

STIKK falënderon kompanitë anëtare për pjesëmarrjen, debatet konstruktive dhe besimin e vazhdueshëm. Me Planin e Punës 2026 të miratuar dhe Bordin e ri të konstituuar, shoqata hyn në vitin e ardhshëm me mandat të qartë: të prodhojë më shumë mundësi për kompanitë e TIK-ut, të rrisë ndikimin e sektorit në ekonominë e vendit dhe të forcojë pozicionimin e Kosovës si një histori reale suksesi në teknologji.