ATIK u dorëzon partive politike propozimin për zhvillimin e sektorit të TIK-ut në Kosovë

Aleanca e Tech Parqeve dhe Inkubatorëve të Kosovës (ATIK) ka dorëzuar një dokument gjithëpërfshirës me propozime për zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, tek të gjitha partitë politike të Republikës së Kosovës që garojnë në zgjedhjet parlamentare në shkurt të vitit 2025.

ATIK thekson se ky hap strategjik synon të angazhojë politikëbërësit që sektori i TIK-ut të përfshihet si prioritet kyç në programet e tyre zgjedhore dhe qeverisëse.

Dokumenti i dorëzuar përmban rekomandime në katër fusha thelbësore:

Reforma Ligjore: Përmirësimi i legjislacionit ekzistues dhe hartimi i ligjeve të reja për të mbështetur inovacionin.

Mbështetje Qeveritare: Themelimi i një Ministrie të Teknologjisë dhe krijimi i rolit të CTO-së brenda qeverisë.

Mbështetje Financiare: Krijimi i një Fondi të Pavarur Zhvillimor për ndërmarrjet ICT dhe financimi i Tech Parqeve dhe Inkubatorëve.

Edukimi dhe Zhvillimi i Fuqisë Punëtore: Avancimi i programeve të edukimit në Inteligjencën Artificiale (IA) dhe implementimi i programeve DUAL VET për të lidhur tregun e punës me arsimin.

Anëtarët e ATIK: TechPark Prishtina, Innovation and Training Park (ITP) Prizren, VentureUP – University of Prishtina Venture Incubator, Innovation Centre Kosovo (ICK), Innovation Center Jakova (JIC), Kosovo Innovation Hub, Makerspace Innovation Center Prizren, Parku Teknologjik Kamenicë, Graçanica Innovation Center.

ATIK, që përfaqëson këto nëntë qendra të rëndësishme të inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë, shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me politikëbërësit për të sjellë ndryshime pozitive në këtë sektor.

Dokumenti i plotë me propozimet për zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Ndërmarrësisë dhe Inovacionit mund te gjendet në linkun në vijim:

https://stikk.org/wp-content/uploads/2025/01/Rekomandimet-për-Zhvillimin-e-Sektorit-të-TIK-ut-Ndermarrësisë-dhe-Inovacioionit-në-Kosovë.pdf