BQK dhe STIKK diskutojnë për fushat e veprimit të përbashkët
Zëvendësguvernatori i Bankës Qëndrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli, priti në takim drejtoreshën ekzekutive të Shoqatës për Teknologji Informative dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), znj. Vjollca Çavolli.
BQK dhe STIKK u dakorduan që së bashku të hartojnë një marrëveshje të bashkëpunimit për shkëmbimin dhe publikimin e informacionit dhe të dhënave statistikore lidhur me sektorin e ICT-së.
Synim kryesor i kësaj marrëveshje është mbledhja e statistikave dhe informacioneve specifike për këtë sektor me qëllim të analizimit dhe promovimit të këtij sektori. Orientimi fillestar është që të publikohen të dhënat lidhur me tregtinë e shërbimeve të sektorit të ICT-së por edhe volumin e financimit nga sektori financiar vendor për sektorin e ICT-së.
Bashkëpunimi me BQK është mëse i vlefshëm në një kohë kur STIKK po përgatitet të ngrejë Njësinë Statistikore të të Dhënave e cila do të grumbullojë dhe procesojë të dhëna relevante për sektorin TIK.