Konferenca Nacionale për Programin e Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE)
Sot, me 21.06.2016 përfaqësues të STIKK ishin të pranishëm në hapjen e Konferencës nacionale për programin e ekonomisë digjitale të Kosovës (KODE) të organizuar nga Grupi i Bankës Botërore.
KODE nisi ditën e parë me fjalët hyrëse të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik zt. Blerand Stavileci, i cili në fjalët hyrëse tha që e ardhmja e ekonomisë së Kosovës duhet të shihet kah fusha e teknologjisë informative dhe ajo që ka arritur kulmin në këtë aspekt është programi i ekonomisë digjitale. I pranishëm në konferencë ishte edhe Ministri i Financave zt. Avdullah Hoti, i cili tha se vitin e kaluar pjesë të pakos fiskale ka qenë lirimi prej TVSh-së të pajisjeve të teknologjisë si pjesë e zhvillimit të këtij sektori.
Në seancën e parë të konferencës u shpalosën rezultatet e deritanishme dhe perspektivat e pilot-projektit “Gratë në Punë Online” (WOW), duke vijuar edhe me panel diskutimi.
Pjesa e dytë e ditës vazhdoj me seancën e dytë mbi: Shkathtësitë digjitale dhe bizneset digjitale, në të cilën shpalosi rezultatet në prezentimin e tij mbi Analizën e bizneseve të reja digjitale zt. Uranik Begu nga Innovation Centre Kosovo (ICK).
Dita e parë e konferencës u përmbyll me diskutime në panel mbi shkathtësitë dhe bizneset digjitale.