Mbahet takimi i dytë i Bordit Këshillëdhënës të STIKK Education
Bordi Këshillëdhënës i projektit të STIKK Education është takuar për herë të dytë me 14 Janar, 2016, në zyret e STIKK. Ky Bord Këshillëdhënës, i cili përbëhet nga përfaqësues anëtarë të STIKK, ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e programit të trajnimeve dhe të sigurojë së përgatitja e përfituesve të i përshtatet nevojave të kompanive të TIK në Kosovë.
Tre profilet e STIKK Education do të jenë:
– Menaxhment i TI-së
– Zhvillim Softuerik
– Zhvillim i Aplikacioneve Mobil
STIKK, Eksperti i jashtëm i angazhuar nga STIKK dhe Bordi Këshillëdhënës janë duke punuar në kurrikulat të cilat do të përdoren për të adresuar në mënyrë specifike barrierat lidhur me zhvillimin e shkathtësive dhe trajnimit. Vizioni i kësaj iniciative është të ngrisë kapacitetet lokale në sektorin e TIK përmes trajnimeve kompetente profesionale, të disejnuara enkas për të përmbushur nevojat e industrisë vendore, duke qenë në hap me trendet teknologjike ndërkombëtare.
STIKK Education do të ketë dy cikle trajnimi dhe aktivitete tjera shtesë të parapara në planin e mëposhtëm për një periudhë 12 mujore gjatë vitit 2016. Përmes trajnimeve, entuziastet e rinj do të fitojnë shkathtësi specifike që aktualisht janë shumë të kërkuara në tregun e Bashkësisë Evropiane duke zotëruar kurrikulën plotësisht, e cila është në përputhshmëri me Kornizën Evropiane për e-Kompetenca 3.0, që është një iniciativë e palëve të shumta të interesit nga sektori i TIK të Evropës në mënyrë që të identifikohen dhe standardizohen aftësitë të cilat momentalisht janë të nevojshme për tregun dhe e cila është bërë prioritet për implementim nga kompanitë lokale të TIK.
Gjithashtu, këta 90 të rinj entuziast në TI do të përfundojnë programin e garantuar të praktikës në kompani anëtare të STIKK përmes shërbimit të STIKK për ofrimin e praktikës, gjë që do të ndihmonte në praktikimin e aftësive të sapo fituara nga trajnimet, si dhe do ta rrisë punësueshmërinë e tyre.
Ky aktivitet bashkë-financohet nga GIZ, Ambasada e Norvegjisë dhe USAID.