Kuvendi i VII-të i STIKK – 02 Prill, 2015

Me 2 Prill në Qendrën Inovative të Kosovës (ICK) u mbajt Kuvendi i Shtatë i Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës.

Pjesëmarrës në kuvend kanë qenë bordi i drejtorëve i STIKK, përfaqësuesit e kompanive anëtare, anëtarët individual, donator dhe përfaqësues të tjerë të organizatave jo-qeveritare dhe institucioneve vendore.

Hapjen e Kuvendit e bëri kryetari i Bordit të STIKK, z. Shkumbin Brestovci, i cili pas një përshëndetje për pjesëmarrësve i dha fjalën Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci. Ministri në fjalimin e tij përshkroi bashkëpunimin në mes të Ministrisë së tij dhe STIKK dhe si planifikohet të bëhet zhvillimi i sektorit të TIK, duke marr si shembull krijimin e fondit për zhvillim dhe inovacion.

Pas Ministrit, fjalën e morri Ambasadori i Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë, z. Jan Braathu, i cili përgëzoi pjesëmarrësit për kuvend dhe sqaroi se sa dhe pse është aq i madh interesimi i tij dhe i Mbretërisë Norvegjeze për sektorin e TIK të Kosovës. Duke marr si shembull shtetin Norvegjez, ai përshkroi se çfarë ndikimi të madh ka sektori TIK në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, duke kontribuuar edhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu Ambasadori Braathu inkurajoi STIKK dhe anëtarët e saj të vazhdojnë punën, sepse beson se sektori i TIK në Kosovë është më i miri i organizuar në rajon dhe së STIKK vazhdon të jetë epiqendra e kompanive të cilat punojnë në këtë sektor dhe për bashkëpunim në mes të sektorit dhe qeverisë.

Fjalët përshëndetëse i përmbylli zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Matthias Kiesler. Zotëri Kiesler shprehi interesimin e tij të madh në sektorin e TIK dhe se beson se ky sektor është ndër sukseset e mëdha në Kosovë. Zëvendës ambasadori sqaroi se reputacioni i Kosovës në sferën ndërkombëtare nuk është më i miri, sepse informatat të cilat dalin për Kosovën janë vazhdimisht negative. “Duhet të them se jam me të vërtetë i mahnitur në veçanti me ju ndërmarrësit se si ju bëni diçka përkundrejt vështirësive në të cilat haseni dhe për këtë më të vërtetë ju përgëzoj.” Kështu është shprehur ndër të tjera z. Matthias Kiesler.

Pas fjalimeve përshëndetëse, z. Shkumbin Brestovci vazhdoi me prezantimin e aktiviteteve ndërkombëtare dhe aktiviteteve të Bordit të STIKK. Ndër të arriturat e STIKK në vitin 2014, z. Brestovci numëroi organizimin dhe pjesëmarrjen e mbi 15 konferencave dhe takime B2B (vendore dhe ndërkombëtare), 7 publikime të përgatitura me fokus në TIK dhe avokimin për miratim të Ligjit për Mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor. Aktivitetet ndërkombëtare të veçuara nga kryetari i bordit të STIKK ishin pjesëmarrja e 5 kompanive të STIKK në CeBIT 2014 me moton “Kosovo – Your Outsourcing destination” dhe KosICT 2014, konferenca tradicionale e cila organizohet nga STIKK që 3 vite me radhë.

Pas kryetarit të bordit, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli prezantoi më gjerësisht se çfarë aktivitete ka zhvilluar STIKK gjatë vitit 2014. Aktivitetet e ndara në pesë (5) objektiva tregojnë se si STIKK ndihmon në zhvillim të një mjedisi të favorshëm për mbështetjen e rritjes së përshpejtuar të sektorit të TIK, zhvillim të burimeve njerëzore në pajtueshmëri me nevojat e sektorit të TIK-ut, ofron shërbime për anëtarë me qëllim të krijimit të mundësive të reja biznesore, krijon kushte për veprimtari të qëndrueshme të shoqatës dhe mbështet anëtarët në ushtrimin e përgjegjësisë sociale në sektorin e TIK.

Pjesa punuese e Kuvendit vazhdoi pasdite, e cila me aprovim të agjendës së punës, formimin e kryesisë së punës dhe komisionit punues për numërim të votave. Pas asaj, raporti vjetor i STIKK pas diskutimit në mes të anëtarëve është aprovuar.

Në vazhdim z. Vigan Budima prezantoi planin e punës për vitin 2015 dhe si pjesë e diskutimit u shtua si aktivitet edhe themelimi i STIKK Innovation Hub, e cila do të ofrojë përkrahje anëtareve në krijimin e mundësive të reja biznesore me sektorët e tjerë vertikal.

Pjesa e fundit ishte nominimi dhe votimi i anëtareve të rinj të Bordit Ekzekutiv të STIKK e udhëhequr nga z. Dardan Vokshi. Si rezultat i nominimeve dhe votimit nga anëtarët e kuvendit, anëtarët e Bordit Ekzekutiv të STIKK për periudhën 2015-2017 janë zgjedhur:

Z. Shkumbin Brestovci nga kompania Rrota (Kryetar i Bordit)
Z. Ermal Sadiku nga kompania LinkplusIT
Z. Arben Ymeraga nga kompania Melita&Partners
Z. Milot Shala nga kompania Rolling Rabits
Z. Altin Ukshini nga FLOSSK

Këta anëtarë ju bashkëngjiten anëtarëve të bordit të periudhës 2014-2016:

Z. Dardan Vokshi nga kompania INET
Z. Vigan Budima nga kompania ASSECO SEE
Z. Mentor Sahiti nga kompania Adaptivit
Z. Alban Kastrati nga kompania IPKO

STIKK falënderon të gjithë pjesëmarrësit te cilët ishin prezent.