Fëmijët nga Kosova me çmim special nga juria e Festivalit të Kodit

Çmimi “Special Mention Award” nga juria iu nda ekipit garues të Kosovës të cilët zhvilluan web aplikacionin 101city për të lehtësuar jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Pas një periudhe mësimore prej katër muaj, të iniciuar nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës- STIKK, me datën 29.07.2014 dhjetë fëmijë nga Kosova filluan punën e tyre për pjesëmarrje në garën ndërkombëtare “Festival of Code” e cila organizohet tashmë për herën e gjashtë nga Young Rewired State në Angli.

Fëmijët nga Kosova për 4 ditë rresht punuan në zhvillimin e një aplikacioni të cilin ata e identifikuan si të nevojshëm për lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë si dhe të turistëve të cilët vizitojnë vendin tonë. Të martën me datën 29. 07.2014, në ambientet e Qendres se Inovacionit te Kosoves-ICK, partnere e projektit, 10 fëmijët u ndanë në tri ekipe, dhe prezantuan idetë e tyre para te pranishmeve. Ideja e përgjithshme ishte krijimi i një aplikacioni me tri module, i cili do të mundësojë informata për orarin e reduktimeve të ujit, orarin e grumbullimit të mbeturinave dhe njëkohësisht paraqitjen e ankesave në rast të parregullsive, si dhe moduli i tretë i cili përfshin një listë të vendeve të cilat mund të vizitohen sikurse monumentet historike, muzetë, orarin e shfaqjeve në kinema, teatër dhe aktivitetet rekreative të cilat janë në dispozicion në vendin tonë. Aplikacioni u emërtua 101City ( qyteti101).

Përgjatë javës fëmijët punuan me intensitet nën mbikëqyrjen e udhëheqësit Driton Haxhiu, si dhe me mentorët Doruntina Sadiku, Fitore Salihu dhe Enkela Osmani. Përkrahja nuk mungoi as nga kompanitë anëtare, anëtaret individual dhe projektet tjera partnere të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës-STIKK të cilët ndanë përvojën e tyre dhe u dhanë këshilla fëmijëve gjatë punës së tyre. Pas dorëzimit të idesë, erdhi lajmi se ekipi i fëmijëve nga Kosova do të jenë në finale duke garuar me 20 ide tjera. Të dielen me datën 3 gusht, 2014 në ora 13:00 Kosova u prezantua me përfaqësuesit e saj më te rinj përmes video xhirimit në “Festival of Code” e cila sivjet u mbajt ne Plymouth, te Britanise se Madhe. Në fund të kësaj dite fëmijëve u ndanë 10 tableta, përmes sponsorit EYE- Empowering Youth Employement financuar nga Projekti Zviceran per Zhvillim SDC. Megjithatë, befasia e vërtet erdhi kur juria ndau çmimin “ Special Mention Award” me ç’rast fëmijëve do tu dhurohen edhe 10 Rasspbery Pi, dhe do tu ndahen certifikata për pjesëmarrjen e tyre të parë në këtë festival. Kjo ngjarje gjithashtu u përkrah nga IpkoFoundation, Frutomania, City Bakery dhe Proper Pizza.

Shiko videon: YOUNG CODERS KOSOVO https://www.youtube.com/watch?v=m-E-INAxP-8