STIKK merr pjesë në “Week of Woman”

Dita e dytë e Javës së Gruas u mbajt në ambientet e ICK-së, ku u fokusua në temën Gratë dhe Teknologjia. Pjesëmarrëse ishin mbi 100 gra nga e tërë Kosova, që ishin përfaqësuese të partive politike, shoqërisë civile, biznesit, mediave, botës akademike, si dhe mysafirë tjerë.

Gjatë kësaj dite u mbajt një seancë diskutimi, e cila u moderua nga: Donika Kadaj Bujupi – deputete e Kuvendit të Kosovës, ndërsa diskutues ishin: Uranik Begu nga ICK, Vlora Çitaku – Ministre për Integrim Evropian, Vjollca Çavolli nga STIKK, Milena Harito – Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike (Shqipëri), Mimoza Hajdarmataj – koordinatore lokale e rrjetit të grave “Barazia në vendimmarrje, Shqipëri” si dhe Kristina Wilfore nga NDI.

Në diskutimin e saj, Znj. Vjollca Çavolli potencoi rolin e grave në pjesmarrje politike përmes teknologjisë, ku preku temat si: mungesa e grave në teknologji, përparësitë që ofron teknologjia për gratë, krijimin e komuniteteve në rrjetet sociale për të shtyrë qëllimet përpara, rolin e STIKK-ut në promovimin dhe rritjen e kapaciteteve të grave në teknologji të informacionit etj. Pas seancës së diskutimit, Valon Canhasi nga STIKK dha një ligjeratë në mënyren e përdorimit të rrjeteve sociale, ku më vonë gratë mësuan se si të regjistrohen dhe perdorin rrjetin social “Twitter”.