Urime ditelindja ICK

Një vit ka kaluar nga ceremonia solemne e hapjes së Innovation Centre Kosovo (ICK) e cila në 12 muajt e kaluar me plotë meritë e mban nofkën “shtëpia e inovatorëve kosovarë”, siç është quajtur shpeshherë nga mediat kosovare.Gjatë vitit të parë të funksionimit Innovation Centre Kosovo vazhdimisht i ka ndihmuar 115 anëtarët e 26 ekipeve që kanë kaluar nëpër inkubatorin e qendrës, ka organizuar trajnime, ngjarje, seminare të ndryshme kushtuar ndërmarrësve kosovarë. ICK me aktivitet e saj ka arritur që në Kosovë të sjellë konceptin modern të ndërmarrësisë që kombinon biznesin, teknologjinë dhe inovacionin. ICK brenda vitit të parë të punës ka lidhur 19 marrëveshje bashkëpunimi me institucione, kompani, universitete, organizata të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Një vjetori i hapjes solemne të ICK-së është një mundësi për tu informuar nga afër me 25 trajnimet unike ku kanë marrë pjesë mbi 300 persona, 30 ngjarjet e organizuara me praninë e 1600 personave nga sfonde të ndryshme profesionale, si dhe të analizohen produktet dhe shërbimet e 17 ekipeve që aktualisht janë pjesë e inkubatorit të ICK-së. ICK poashtu ka përpiluar 4 manuale të dobishme për ndërmarrësit kosovarë. Në inkubatorin e ICK-së mes produkteve të ndryshme janë krijuar Pishpiriku- një ndër lojërat më në trend në Facebook, aplikacioni Math4Kids përmes të cilit fëmijët mësojnë matematikën duke u zbavitur, portali ButikOn.al që merret me tregtinë e veshjeve në tregun lokal dhe loja 3D “Lahuta e Malcisë”.

Aktualisht janë duke u finalizuar edhe disa produkte dhe shërbime të tjera nga ekipet në inkubatorin e ICK-së.“Forca drejtuese dhe qëllimi kryesor pas kësaj qendre është nevoja për krijimin e vendeve të reja të punës, sidomos të atyre që janë të bazuara në teknologjinë e komunikimit dhe të informimit dhe të mbështesë ndërmarrësit në krijimin e kompanive të suksesshme”, tha Astrid Green kryetare e Bordit të ICK-së dhe Drejtore Ekzekutive e Athene Prosjektledelse AS. Green në ceremoninë e 1 vjetorit të hapjes së ICK-së poashtu theksoi se qendra është bazë e inovacionit ku ofrohen shërbime të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve dhe trajnime të orientuara sipas nevojave të tregut. Uranik Begu Drejtor Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo e prezantoi punën e realizuar brenda një viti nga qendra. “Siç e dini Innovation Centre Kosovo është themeluar vitin e kaluar në qershor të vitit 2012 dhe është pjesë e projektit ‘Programi i zhvillimit të biznesit’ dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë”, tha Begu duke shtuar se ICK synon të identifikoj biznese, të bazuara në teknologji dhe inovacion, e që kanë potencial të zhvillohen. Ai tha se Innovation Centre Kosovo do të vazhdoj të përkrahë ndërmarrësit e rinj dhe idetë e tyre të biznesit të bazuara në teknologji dhe inovacion.Shkëlqesia e tij Jan Braathu ambasador iNorvegjisë në Kosovë tha se ndihet shumë ilumtur që ndodhet në ceremoninë e shënimit të një vjetorit të hapjes së ICK-së.

“Mendoj se ky ka qenë një vit shumë i mirë gjatë së cilës kohë janë arritur pritjet tona dhe shpresoj se gjatë këtij viti janë arritur edhe pritjet tuaja sepse kjo qendër e inovacionit nuk ka të bëjë me Norvegjinë, nuk ka të bëjë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë por ka të bëjë me Kosovën, me dhënien ndihmë kompanive”, tha Braathu duke shtuar se “vizioni jonë për qendrën është se kjo qendër duhet të jetë jo vetëm qendër për Kosovën apo vetëm për Norvegjinë por ne duam që kjo të jetë një qendër evropiane ku do të ketë bashkëpunim në nivel evropian në sektorin e TI-së”. Kurse Vjollca Çavolli drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) tha se “ne kemi një rini me një talent ende të pashfrytëzuar prandaj do të duhej ti japim një mundësi rinisë tonë që të punojë. Çavolli poashtu e falenderoi edhe shtetin norvegjez për dhënien ndihmë sektorit të IT-së në Kosovë përmes themelimit të ICK-së. Athene Prosjektledelse nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së, ndërsa Crimson Capital LLC Kosovë, është partneri kryesor bashkëpunues. ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.