STIKK kërkon Menaxher Junior të Projekteve

STIKK ofron një pozitë për Menaxher Junior të Projekteve. Personi i interesuar duhet të ketë minimum 1 vit përvojë pune në menaxhim të projekteve, ose së paku në asistim të projekteve.

Kualifikimet e Nevojshme

– Përvojë në menaxhimin e projekteve, ose të paktën asistim në projekte;
– Aftësi të shkëlqyera të gjuhës angleze;
– Aftësi të shkëlqyera redaktimi dhe shkrimit;
– Përvojë me Media Sociale;
– Njohuri në informatikë;
– Komunikimi i mirë dhe aftësitë shoqërore;
– Aftësi të dëshmuara organizative dhe aftësinë për të punuar në mënyrë të pavarur;
– Përvojë me Content Management Systems (CMS) dhe Mail Chimp (e dëshirueshme).

Procedurat e aplikimit dhe informata shtesë në lidhje me pozitën mund të gjeni në dokumentin “Terms of Reference”: https://stikk.org/fileadmin/user_upload/ToR_-_02STIKK2016_-_Junior_Project_Manager.pdf

2 vendime të rëndësishme për TIK

Në muajin Dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marr dy vendime të rëndësishme për TIK-un në Kosovë.

OBJEKTI I INSTITUTIT TË NDËRTIMIT BËHET INKUBATOR PËR IT BIZNESE

Si pasoje e lobimit dhe avokimit të vazhdueshëm të STIKK në periudhën dyvjeçare, Qeveria mori vendim me 23 dhjetor 2015 (vendimi nr.10/65) që Objekti i Institutit të ndërtimit në Zonën Kadastrale Bernicë e Poshtme, me sipërfaqe prej 8000m2 të shpallet Inkubator Biznesi për ndërmarrjet që merren me Teknologji të Informacionit.

Administrimi i këtij objekti i takon MTI-se, ndërsa parashihet që STIKK dhe kompanitë anëtare të jenë përfitues të drejtpërdrejt të kësaj iniciative.

Vendim për Inkubator për IT Biznese (Bërnicë): https://stikk.org/fileadmin/user_upload/Vendim_Inkubator_per_IT_Biznese_-_Bernice.pdf

STRATEGJIA NACIONALE PËR IT APROVOHET NGA QEVERIA

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur me 30 dhjetor, me vendimin nr.14/67 u aprovua Strategjia e Kosovës për Teknologji të Informacionit. Kjo Strategji u punua gjatë vitit 2014 nga ana e STIKK, MZHE dhe palët tjera të interesit nën përkrahjen e GIZ dhe Ambasadës Norvegjeze. Strategjia në vetvete përmban 9 shtylla të intervenimit, implementimi i të cilave do të ndikojë dukshëm në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori.

Vendim për Strategjinë Nacionale të IT-së: https://stikk.org/fileadmin/user_upload/Vendim_per_Strategjine_Nacionale_te_TI-se.pdf

Mbahet takimi i dytë i Bordit Këshillëdhënës të STIKK Education

Bordi Këshillëdhënës i projektit të STIKK Education është takuar për herë të dytë me 14 Janar, 2016, në zyret e STIKK. Ky Bord Këshillëdhënës, i cili përbëhet nga përfaqësues anëtarë të STIKK, ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e programit të trajnimeve dhe të sigurojë së përgatitja e përfituesve të i përshtatet nevojave të kompanive të TIK në Kosovë.

Tre profilet e STIKK Education do të jenë:

– Menaxhment i TI-së
– Zhvillim Softuerik
– Zhvillim i Aplikacioneve Mobil

STIKK, Eksperti i jashtëm i angazhuar nga STIKK dhe Bordi Këshillëdhënës janë duke punuar në kurrikulat të cilat do të përdoren për të adresuar në mënyrë specifike barrierat lidhur me zhvillimin e shkathtësive dhe trajnimit. Vizioni i kësaj iniciative është të ngrisë kapacitetet lokale në sektorin e TIK përmes trajnimeve kompetente profesionale, të disejnuara enkas për të përmbushur nevojat e industrisë vendore, duke qenë në hap me trendet teknologjike ndërkombëtare.

STIKK Education do të ketë dy cikle trajnimi dhe aktivitete tjera shtesë të parapara në planin e mëposhtëm për një periudhë 12 mujore gjatë vitit 2016. Përmes trajnimeve, entuziastet e rinj do të fitojnë shkathtësi specifike që aktualisht janë shumë të kërkuara në tregun e Bashkësisë Evropiane duke zotëruar kurrikulën plotësisht, e cila është në përputhshmëri me Kornizën Evropiane për e-Kompetenca 3.0, që është një iniciativë e palëve të shumta të interesit nga sektori i TIK të Evropës në mënyrë që të identifikohen dhe standardizohen aftësitë të cilat momentalisht janë të nevojshme për tregun dhe e cila është bërë prioritet për implementim nga kompanitë lokale të TIK.

Gjithashtu, këta 90 të rinj entuziast në TI do të përfundojnë programin e garantuar të praktikës në kompani anëtare të STIKK përmes shërbimit të STIKK për ofrimin e praktikës, gjë që do të ndihmonte në praktikimin e aftësive të sapo fituara nga trajnimet, si dhe do ta rrisë punësueshmërinë e tyre.

Ky aktivitet bashkë-financohet nga GIZ, Ambasada e Norvegjisë dhe USAID.