Promovimi i punësimit të të rinjve përmes Partneriteteve dhe Bashkëpunimit Social

Me daten 30 Maj në Mitrovicë, nën organizimin e PIPS u zhvillua seminari në lidhje me projektin “Promovimi i punësimit të të rinjve përmes partneriteteve dhe Bashkëpunimit Social.”

Ky projekt ka për qëllim lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes lokale, komunitetit të biznesit, ofruesit e arsimit dhe organizatave të shoqërisë civile nga 6 qytetet / komunat në zgjidhjen e çështjes së papunësisë së të rinjve përmes shkëmbimit të ideve të reja dhe praktikatve më të mira, si dhe të angazhohen në dialogun social mes rrjeteve në nivelin e komuniteteve lokale. Bashkitë dhe qytete pjesëmarrëse në projekt ishin: Nish, Leskovc, Vranje, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren.

Në këtë seminar u mbajtën prezantime të iniciativave lokale, bashkëpunimit, dhe shembuj të mire te praktikës, ku pjesëmarrës ishte dhe STIKK. Zt. Lorik Mullaademi, Menaxher i Projekteve në STIKK diskutoi rreth suksesit të praktikave, arritjeve si dhe incitiativat e shoqatës. Për më shumë, gjeni linkun e prezantimit.

Misioni i ekspertëve “TAIEX” për Statistikat e Shoqërisë së Informacionit

Më 26 Maj, nën patronatin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe me ndihmen e eksperteve të TAIEX-it u organizua një punëtori tre-ditore mbi temën Statistikave të Shoqërisë së Informacionit.

Qëllimi i këtij misioni të ekspertëve ishte mbështetja e institucioneve në krijimin e një sistemi statistikor në përputhje me standardet evropiane dhe EUROSTAT për të prodhuar statistika të sakta mbi teknologjinë e informacionit.

Dita e parë permbledhi tema rreth Legjislacionit të BE-së në lidhje me statistikat e Shoqërisë së Informacionit, dita e dytë rreth Statistikave të TIK për ndërmarrje dhe dita e tretë rreth Statistikave të TIK për ekonomi familjare.

Me këtë rast u formua grupi i punës me përbërje: STIKK, MZHE, MAP, Agjencioni Statistikor i Kosovës dhe ARKEP, të cilët do të jenë përgjegjës për konceptimin e pyetësorit në të ardhmen.

Konferenca “Ekosistemi i Ndërmarrësisë, Inovacioni dhe Investitoret Engjuj në Kosovë”

Nga 26 deri me 30 Maj, një delegacion nga International Angel Investors vizitoi Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, në mënyrë që të vëzhgoi për së afërmi ambientin e ndërmarrësisë në regjion dhe mundësitë për investime.

Konferenca në Prishtinë do të mbahet me 28 Maj, 2015 në ora 11:00, në Qendrën Inovacionit të Kosovës (ICK), nën organizimin e Kosovo Business Angels Network në Kosovë (KOSBAN), Crimson Capital dhe ICK.

Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Jan Braathu, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, znj. Songul Ozan, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Dr. Hykmete Bajrami, Zëvendës-kryetari i European Trade Association for Business Angels (EBAN), z. Baybars Altuntas, Drejtori i KIESA, z. Besian Mustafa, etj. Gjithashtu, Kryetari i Bordit të STIKK, z. Shkumbin Brestovci, dha një prezantim me temën “Inovacioni në TIK në Kosovë”.

Facebook ngjarjen dhe agjenda: https://www.facebook.com/events/850179735058525/

Diskutim rreth metodologjisë për studimin e nevojave për shkathtësi në tregun e punës

Me 27 Maj në zyre të UNDP-së, u mbajt diskutimi rreth metodologjisë për studimin e nevojave për shkathtësi në tregun e punës. Pjesëmarrës ishin nga më të ndryshmit, si shoqata ashtu edhe kompani nga gjashtë sektorë të ndryshëm: TIK, përpunimi i metaleve, përpunimi i tekstilit, turizmi, përpunimi i drurit dhe tregtisë.

Për secilin nga këta sektorë u diskutua rreth mundësive të zhvillimit të tyre, temat kyçe dhe sfidat, si dhe mënyra e adresimit të tyre në të ardhmen.

Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi në mes të Rrjetit të Shoqatave të Teknologjisë së Informacionit të Evropës Jug-Lindore (SEE IT)

Me 22 Maj në Sarajevë, anëtarët e Rrjetit të Shoqatave të Teknologjisë së Informacionit të Evropës Jug-Lindore (SEE IT) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, qëllimi i të cilit ishte promovimi i bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të rajonit për përfitime të ndërsjella në shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e shkathtësive dhe, si pasojë e kësaj, zhvillimi i mundësive biznesore me shtrirje më të madhe rajonale dhe ndërkombëtare.

Memorandumin mund ta gjeni këtu: www.stikk-ks.org/fileadmin/PDF/MOU_-_SEE_IT_Network.pdf

Konferenca e Teknologjisë së Informacionit të Evropës Jug-Lindore

Me 22 Maj në Sarajevë, u mbajt konferenca rajonale e Evropës Jug-Lindore (EJL) për Teknologji të Informacionit (SEE IT). Kjo konferencë mblodhi “cluster” dhe shoqata të TIK, kompani nga ato sapo të formuara deri tek ato të cilat kanë dekada përvojë në TIK dhe kompani nga sektorë të tjerë të cilat përdorin TIK-un në biznes-bërje.

Ndër panelistet dhe pjesëmarrësit ishin edhe Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli, dhe Partneri Menaxhues dhe Themelues i CACTTUS, z. Driton Hapçiu.

Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte krijimi i një ambienti efektiv për bashkëveprim dhe bashkëpunim të kompanive dhe për tregti të lirë në kuader të EJL-së dhe BE-së. Shtete pjesëmarrëse në këtë konferencë ishin: Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Danimarka, Greqia, Gjermania, Holanda, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Rumunia, Serbia, Sllovenia, Suedia, Shqipëria dhe Turqia.

Kjo konferencë u organizua nga projekti i USAID “Partneriteti për Inovacion (PI)” nga Bosnja dhe Hercegovina, në bashkëpunim me projektin USAID REG dhe Fondin e Hapur Regjional për Promovim të Tregtisë së Jashtme.

Programin dhe informatat shtesë mund ti gjeni duke e ndjekur këtë link: seeit.ba/program/ (ENG).

MZHE lanson fondin për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit

Bashkëpunimi i filluar në vitin 2014 në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe STIKK ka rezultuar me përpilimin e Strategjisë Kombëtare të TI-së. Fondi për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit si pjesë e strategjisë, ishte rekomandim nga ana e STIKK, të cilën Ministri i MZHE-së, z. Blerand Stavileci, e mori parasysh në mënyrë që të mbështeten kompanitë e reja dhe ato në rritje mbi bazën e konceptit të bashkëpunimit publiko-privat.

Fondi do të adresonte disa nga problemet kyçe dhe pengesat për qasje në financa, ndërsa Qeveria do të ndajë një fond investiv prej 2 milionë Euro, i cili do të përputhej me një fond shtesë nga donatoret prej 2 milionë Euro dhe do të nxiste fillimisht dhe 2 milionë Euro investime nga sektori privat, duke arritur një total prej 6 milionë Euro.

Fondi do t’i ofrojë qasje në financim kompanive të reja dhe ato në rritje të TIK-ut në vend dhe atyre nga jashtë, ndërsa vlerat investive do të jenë nga 20,000 – 500,000 Euro.

Për më shumë informata, vizitoni këtë link: mzhe.rks-gov.net

Vajzat në Sektorin e Teknologjisë

Sektori i teknologjisë ofron mundësi të mëdha punësimi, veçmas për vajzat, por ky sektor nuk është parë deri tani si atraktiv nga kjo pjesë e popullatës. Ambasada Norvegjeze në Prishtinë ka financuar një projekt që synon të rrisë përfshirjen e vajzave të Kosovës në këtë industri. Aktualisht, struktura gjinore e punonjësve në sektorin e Teknologjisë së Informacionit është 80% meshkuj dhe 20% femra.

Me 15 Maj, KS-Kosova organizoi një konferencë ku u diskutua çështja e femrave në TI dhe u bë prezantimi i projektit rreth kësaj teme. Ky projekt përqendrohet në nivelin e hershëm arsimor të grave, në arsimin e mesëm për rritjen e punësimit të femrave në sektorin e TIK-ut dhe gjithashtu fuqizimin e pozitës së gruas në ekonominë e Kosovës.

Përveç Ambasadorit Norvegjez, panelist në këtë ngjarje ishin edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK, znj. Vjollca Çavolli, si dhe akterë të tjerë me rëndësi të posaçshme në sektorin e TIK.

Forumi për Teknologjinë e Informacionit (TI) dhe Inovacionit

Me datë 6 Maj u mbajt forumi për Teknologjinë e Informacionit (TI) dhe Inovacionit. Ky forum është një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që ka për qëllim mbledhjen e akterëve kryesorë vendimmarrës të fushës së TI-së, e cila diskuton çështje të rëndësishme të cilat ndërlidhen me zhvillimin dhe avancimin e këtij sektori në Kosovë.

Vizioni i Forumit për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacion mbështetet në opinione, eksperienca, politika, reforma dhe rekomandime të elaboruara dhe relevante në fushën e TIK-ut.

Në panelet të cilat u mbajtën në këtë forum morën pjesë ekspertë ekonomik, akademik, institucione qeveritare, kompani të sektorit të TI-së dhe inovacionit si dhe donatorëve potencialë, të cilët do të kontribuojnë në krijimin e mundësive për një dimension dhe realitet të ri të strategjisë kombëtare e TI-së. Këtu morën pjesë dhe përfaqësues të STIKK.

Z. Shkumbin Brestovci, tregoi për rëndësinë e parkut të biznesit dhe teknologjisë dhe kërkoi nga qeveria përkrahje për realizimin e këtij projekti me rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Znj. Vjollca Çavolli tregoi për sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset, duke marrë parasysh normat e larta të interesit bankar, mungesën e fondeve zhvillimore si dhe mungesën e përkrahjes së qeverisë në aspektin e lehtësirave tatimore për kompanitë që kanë për synim eksportin e shërbimeve.

Në fund ministri z. Blerand Stavileci u zotua në emër të qeverisë për përkrahje të vazhdueshme drejt zhvillimit të këtij sektori me rëndësi.

Takim i komisionit për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe diasporë me shoqatat me anëtarësi

U mbajt takimi në mes Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Diasporë dhe shoqatave/grupeve të interesit, që u organizua nga komisioni në fjalë dhe Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Në këtë takim ku dhe STIKK ishte present, pjesëmarrësit përveç që paten mundësi të njihen me planin e punës së komisionit, atyre u rekomandua që cdo koment që kan për draft-ligjet apo dokumentet në të ardhmen të jenë me shkrim, pasi që vetëm shkresat zyrtare do të merren parasysh dhe do t’iu përcjellen institucioneve përkatëse.