KOMUNIKATË PËR MEDIA – Programerët e Rinj nga Kosova garojnë në “Festival of Code”

“Çdokush mund të programojë, duhet vetëm punë dhe përkushtim” deklaroi 10 vjeçari Lum Axhemi, i cili bashkë me nëntë moshatarë të tjerë do ta përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në garën ndërkombëtare të kodimit dhe programimit “Festival of Code 2014”, që këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.

Prishtinë, 29 Korrik — Dhjetë fëmijë të moshës 9-15 vjeç nga Kosova, pjesë e grupit “Programerët e Rinj” do të marrin pjesë në garën ndërkombëtare “Festival of Code 2014” (Festivali i Kodit) që organizohet prej 29 Korrik – 3 Gusht në Mbretërinë e Bashkuar. “Festival of Code” është pjesë e nismës globale “Young Rewired State” – rrjet i fëmijëve nën 18 vjeç, të cilët kanë aftësi programuese.

Gjatë gjithë javës sa zgjatë kjo garë, fëmijët do të kenë mundësi të kodojnë dhe programojnë lojëra, aplikacione mobile, webfaqe, apo produkte tjera hardverike sipas imagjinatës së tyre.

Projekti “Programerët e Rinj” është nismë e Shoqatës për Teknologji të Informimit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), implementohet në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo (ICK) me sponsor ’Enhancing Youth Employment EYE’ , I financuar nga Zyra Zvicrane per Zhvillim dhe Bashkepunim SDC dhe implementuar nga Helvetas Swiss Intercooperation HSI dhe Management Development Associates MDA dhe ipkofoundation, si dhe me përkrahjen e “Frutomania”, “Proper Pizza” dhe “City Bakery”.

Ceremonia zyrtare e hyrjes në garë të ekipit nga Kosova, u organizua në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK). Mjellma Hapçiu – Alijaj, nikoqire e ngjarjes, theksoi se në këtë ditë u përmbyll një rrugëtim i punës 4 mujore pregatitore me fëmijët dhe filloi rrugëtimi i ri për të rinjtë e Kosovës të cilët janë të gatshëm të zgjerojnë njohuritë e tyre programuese. “Jemi shumë të lumtur që të gjithë fëmijët të cilët kanë qenë pjesë e fazës pregatitore, nuk janë dorëzuar, dhe sot hyjnë në këtë garë bashkë me moshatarët e tyre nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës” theksoi znj. Hapçiu – Alijaj.

Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informimit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), deklaroi që ndjehet shumë krenare me grupin e fëmijëve. “Në të njejtën kohë, këta fëmijë n’a japin shpresë dhe optimizëm për të ardhmen e vendit tonë” tha znj. Çavolli, duke shtuar se fëmjët nuk duhet ta konsiderojnë shumë të rëndë këtë sfidë, por thjeshtë ta konsiderojnë një lojë. “Këtë javë ju do të luani, do të argëtoheni dhe do t’i tregoni botës se edhe në Kosovë ka talentë të kësaj fushe” përfundoi znj. Çavolli.

Drejtori i Innovation Centre Kosovo, z. Uranik Begu u shpreh shumë i kënaqur me punën e grupit të fëmijëve dhe bashkëpunimin me STIKK në realizimin e këtij projekti. “Me shumë kënaqësi e kemi pritur këtë bashkëpunim, duke e ditur se kjo është gjenerata e parë e koderëve të rinj, dhe se profesionistët nga fusha e TIK, duhet të fillojnë me kodim qysh në moshë të re” deklaroi z. Begu. “Ky është një fillim i bashkëpunimit më afatgjatë që do të prodhojë gjenerata e gjenerata të koderëve të rinjë, e pse jo edhe të lobojmë që kodimi të futet si lëndë në shkollat fillore, ngjashëm si në shumë shtete të zhvilluara” përfundoi ai.

Grupi i fëmijëve, njejtë sikur edhe në fazën pregaditore, gjatë kësaj gare do të udhëhiqet nga z. Driton Haxhiu (Ekspert i Programimit), i cili do të ketë edhe përkrahjen e mentorëve/studentëve: Doruntina Sadiku, Enkela Osmani dhe Fitore Salihu. z. Haxhiu deklaroi se fëmijët kanë qenë shumë të durueshëm dhe aktiv gjatë gjithë periudhës 4 mujore. “Do të jetë një javë shumë e ngjeshur, prandaj unë po besoj që fëmijët do ta kenë të njejtin përkushtim, në mënyrë që rezultatet e garës të jenë sa më të mira”, theksoi z. Haxhiu.

Koderët e rinj, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë janë: Doruntina Hoti (12), Enkelena Haxhiu (15), Jozef Komani (14), Erina Gashi (12), Lekë Hapçiu (14), Gentiana Hajdari (12), Leonard Ibrahimi (12), Gresa Isufi (14), Lorenc Ramadani (15) dhe Lum Axhemi (12).

Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në garën “Festival of Code” do të prezantojnë projektet e tyre finale të dielën më 3 gusht 2014, kur edhe do të shpallen fituesit.

GIZ ofron donacion STIKK-ut

Me datën 23 Korrik e mërkure në STIKK arritën katër tabela (pin boards) nga Frankfurti, të cilat u dhuruan në kuadër të një donacioni nga ana e GIZ.

Ky donacion ishte më se i mireseardhur per Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës, dhe konsiderohet si një ndihmesë e madhe e cila do të lehtësojë punën e shoqatës.

Me rastin e dhurimit të këtij donacioni, udhëheqësja e ekipit të projekteve të GIZ për Kosovë, znj. Veronika Hofinger, përgëzoi STIKK-un për punën e saj të deritanishme dhe theksoi se tashmë është themeluar një bashkëpunim i mirëfilltë Gjermano- Kosovar në këtë sektor, dhe se GIZ do të vazhdojë përkrahjen për STIKK edhe në të ardhmen.

Mbahet mbledhja e tridhjetë e gjashtë e Bordit të STIKK

Me 24 Korrik, 2014 u mbajt mbledhja e tridhjete e gjashtë e Bordit te STIKK. Të pranishëm në mbledhjen e bordit ishin 6 nga gjithsej 9 anëtarët e bordit.

Këto janë pikat e rendit të ditës te cilat u diskutuan gjatë kësaj mbledhjeje:

1. Diskutimi dhe aprovimi i procesverbalit nga mbledhja e tridhjetepestë (e rregullt) e mbajtur me 14 maj 2014
2. Diskutimi dhe aprovimi i raportit tremujor te STIKK
3. Raportimi mbi ndryshimet ne ICK
4. Koncepti i ri për Training Academy
5. Vizita e punës në Austri dhe Gjermani nga 6-10 Tetor, 2014

Vendimet e marra gjatë këtij takimi ishin:

1. Aprovohet rendi i ditës.
2. Miratohet unanimisht Procesverbali i mbledhjes se tridhjetepestë te Bordit te STIKK.
3. Aprovohet raporti 3 mujor i STIKK.
4. Vendoset te bëhen edhe disa ndryshime ne konceptin e ri te STIKK Training Academy-se dhe t’u dërgohet anëtarëve te bordit në mënyrë elektronike për aprovim.
5. Miratohet unanimisht vendimi për pjesëmarrjen e dy anëtarëve të bordit z. Brestovci dhe z. Sahiti në vizitën e punës në Austri dhe Gjermani.

Pas një takimi prej 4 orësh mbledhja e bordit u mbyll nga kryetari i bordit z. Shkumbin Brestovci.

Trajnimi Menaxhimi i Burimeve Njerëzore

Nga data 30 Qershor deri ne 4 Korrik ne STIKK u mbajt trajnimi i Menaxhimit te Burimeve Njerezore, trajnim ky i dedikuar për te gjithë studentet dhe kompanitë anëtare te STIKK.

Në këtë trajnim pjesëmarrësit kanë pasur rastin të mësojnë:

– Rolin operativ dhe strategjik te burimeve njerëzore,
– Procesin e planifikimit te fuqisë punëtore,
– Rekrutimin dhe përzgjedhjen e stafit,
– Nevojën e Analizës për Trajnim dhe
– Fazat dhe procedurat për masat disiplinore.

Gjate trajnimit pjesëmarrësit dhanë shembuj të mësuar nga jeta e tyre e përditshme në mënyrë që të kuptojnë realisht se si funksionojnë të gjitha konceptet e shpjeguara. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit i janë nënshtruar një testi provues dhe pranuan një certifikatë të pjesëmarrjes. Trajnimi u vijua nga 6 pjesëmarrës ndërsa ligjërues ishte z. Nazmi Zeqiri.

Trajnimi Marketing & Promotion ofroi shembuj praktik për zbatim te njohurive te mësuara

STIKK Training Academy duke filluar prej datës 9 deri 13 Qershor, 2014 organizoi trajnimin 5 ditor në Marketing and Promotion ligjëruar nga z.Valon Canhasi. Ky trajnim i është dedikuar të gjithë studentëve të TIK dhe anëtarëve të STIKK-ut.

Në këtë trajnim pjesëmarrësit kanë pasur rastin të mësojnë:

– Kuptimin e procesit te Marketingut,
– Analizën e situatës se Marketingut,
– Metodat e marrjes se informacionit,
– Analizën e tregut dhe segmentimin e produkteve,
– Strategjinë e Marketingut dhe
– Planifikimin e çmimeve dhe planin e shpërndarjes.

Për këtë trajnim, të gjithë pjesëmarrësit ditën e fundit pas testit provues pranuan një certifikatë të pjesëmarrjes.

Trajnimi “Business Game” ne kuadër te Projektit MFS II

Nga data 23 – 26 Qershor, 2014 u mbajt trajnimi “Business Game” ne Mitrovice me te gjithë partneret e projektit MFS II ne Kosove. Gjate këtyre 4 ditëve ligjëruesi i trajnimit z. Dieter Kohn shpjegoi dhe e udhëhoqi modulin 1 , 2 dhe 3 te Lojës se Biznesit ku me pas te gjithë pjesëmarrësit e trajnimit ishin te obliguar te udhëhiqnin secilin modul ne mënyrë qe te përgatiteshin për te mbajtur trajnime te tilla tek studentet/ star-up-at qe dëshirojnë te kenë biznesin e tyre. Pasi qe te gjithë pjesëmarrësit prezantuan modulet e Lojës se Biznesit dhe pranuan sugjerimet dhe kritikat ne mënyrë qe te përmirësonin nivelin e tyre te prezantimit z. Kohn i shpjegoi disa metoda interaktive te trajnimit qe jane te domosdoshme per pjesëmarrësit dhe trajnerin.

STIKK mundëson diskutimin rreth shkathtësive në tregun e TIK në tryezën e rrumbullakët mes bizneseve dhe universiteteve

Në kuadër të Panairit të Punës, më 28 Maj 2014, STIKK organizoi tryezë të rrumbullakët në të cilën përfaqësuesit e sektorit privat dhe universiteteve patën mundësinë të diskutojnë rreth mangësisë së shkathtësive dhe mënyrave të tejkalimit të këtij problemi.

Takimi i cili u mbajt në zyret e Innovation Centre Kosovo (ICK), u hap nga znj. Vjollca Cavolli e cila falënderoi të pranishmit për kontributin e dhënë rreth organizimit të Panairit 2014. Si pjesë hyrëse për diskutim pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë prezantimin e znj. Lorika Tahiri lidhur me statistikat nga Panairi i Punës, si dhe prezantimin e raportit “Analiza e mangësisë se shkathtësive në TIK” nga z. Valon Canhasi.

Në këtë tryezë sektori privat pati mundësinë të shfaqin shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e shkathtësive të caktuara të cilat janë duke i hasur tek studentët gjë që vështirëson procesin e punësimit. Të dy palët: bizneset dhe përfaqësuesit e universiteteve u pajtuan që nevojitet një bashkëpunim me intensiv mes tyre në mënyrë që të zhvillohen shkathtësitë e caktuara për tejkalimin e këtyre pengesave.

Më këtë rast STIKK premtoi se do të vazhdojë me organizimin e takimeve të ngjashme me qëllim të krijimit të një platforme lehtësuese për komunitetin e biznesit dhe akademisë.

Dita Mbarëkombëtare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit

Me datën 10/07/2014 në Prevallë, është mbajtur takimi tradicional i komunitetit të TIK të trojeve shqiptare: “Dita Mbarëkombëtare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”. Kjo ngjarje e 6-shta me radhë e organizuar në këto troje solli bashkë kompanitë e TIK nga Kosova dhe Shqipëria.

Mbi 40 përfaqësues të sektorit të TIK u mblodhën në këtë takim me qëllim të identifikimit të modaliteteve të bashkëpunimit, njohjen, forcimin dhe krijimin e një rrjeti profesional mbarëkombëtar në fushën e TIK.

Takimi u hap nga Kryetari i Bordit te STIKK z. Shkumbin Brestovci, si nikoqir të ngjarjes, i cili u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve. Më pas pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjojnë prezantimin e z. Bardh Kadiu, Koordinator i Programeve në STIKK lidhur me IT Barometrin për Kosovë, dhe z. Romeo Sharko, Anëtari i Bordit të AITA lidhur me IT Barometrin e Shqipërisë.

Pas prezantimeve pjesëmarrësit patën mundësinë të kontribuojnë ne diskutim te hapur lidhur me vështirësitë të cilat hasen në aspektin e bashkëpunimit ne mes të dy vendeve. Kompanitë vazhduan të shkëmbenin përvojat dhe njohuritë e tyre edhe gjatë koktejit të paraparë për rrjetëzim.

Kompanitë prezent në këtë takim vlerësuan lartë nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit për tejkalimin e barrierave të identifikuara dhe krijimin e një ambient më të favorshëm për bërjen e biznesit.

Kjo ditë u përmbyll me vizitën e realizuar në Lidhjen e Prizrenit.

STIKK mori pjesë në Triple Helix Workshops (Hulumtuesit, Donatorët & Komuniteti i biznesit)

Me datën 26 dhe 27 Qërshor, STIKK mori pjesë në punëtoritë e rradhës të organizuara nga OECD/EC për implementimin e projektit të Triple Helix që ka për qëllim rritjen e bashkpunimit në mes të Qeverisë-Akademisë-Industrisë për zhvillimin e inovacionit dhe aplikimin e R&D në Kosovë.

Në workshopin e parë u bisedua më shumë për angazhimin e hulumtuesve dhe akademisë për hulumtim dhe zhvillim, si dhe bashkëpunimin midis akademisë dhe industrisë private. Në workshopin e dytë donatorët patën rastin të tregojnë për veprimet e tyre në përmirësimin e edukimit, zhvillimin e hulumtimeve, ndihmën që japin për kompanitë lokale etj. Punëtoria e fundit ishte një grup i fokusuar i bizneseve Kosovare të interesuara në aplikimin e Triple Helix në Kosovë, ku qasja e qeverisë dhe akademisë ndaj nevojave të biznesit do të ishte më e lehtë. Pjesë e kësaj punëtorie ishin Sharrcem, Mamidoil, Procredit Bank etj., ndërsa AdaptivIT ishte kompania e vetme e cila e përfaqesoi sektorin e TIK-ut.