STIKK Training Academy organizon trajnimet e radhës

Në vazhdim te përpjekjeve për të promovuar mundësi të reja dhe për të zgjeruar fushën e shërbimeve të cilat mund ti eksportojmë në të ardhmen, STIKK ofron mundësi te reja të trajnimeve.

Në kuadër të Akademisë së Trajnimeve në STIKK gjatë muajit Maj do të organizohen tri trajnime. Me datën 12-16 Maj, do të mbahen trajnimet Web Design dhe Online Marketing ndërsa nga data 26-30 Maj, do të mbahet trajnimi i Databazave.

Mbahet edicioni i njëmbëdhjetë i Panairit të Punës i Odës Amerikane

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kësaj here në bashkëpunim me kompaninë The HeadHunter organizojnë Panairin e Punës.

Ngjarje kjo tashmë tradicionale e cila sjell së bashku punëkërkuesit dhe kompanitë më serioze kosovare nga sektorë të ndryshëm, si banka dhe financa, kontabilitet dhe auditim, ndërtimtari dhe farmaceutikë, prodhim ushqimi, tregti, konsulencë afariste, marketing dhe marrëdhënie me publikun.

E veçanta e këtij edicioni është se panairi do të mbahet për dy ditë me radhë, ndërsa në kuadër të tij do të ketë edhe punëtori dhe konferenca ku do të trajtohen tema specifike që lidhen me çështjet e tregut të punës. Gjithashtu organizatorët inkurajojnë edhe aplikimin për punë të personave me aftësi të kufizuara, ndërsa gjatë panairit do të promovohet në mesin e të rinjve edhe koncepti i punës vullnetare.Ky Panair zgjoi interesimin e mbi 1300 studentëve dhe punëkërkuesve nga i gjithë vendi, ku përveç që patën mundësinë të ndjekin punëtori dhe sesione të organizuara me qëllim të vetëdijësimit dhe këshillimit në çështje lidhur me integrimin e tyre në tregun e punës, punëkërkuesit shfrytëzuan Panairin e Punës që të aplikojnë për pozita të ndryshme të hapura nga njëzet kompani të sektorëve të ndryshëm.

Në hapje të panairit, udhëheqësja e projektit Atlantida Hasani u shpreh e kënaqur me interesimin dhe gatishmërinë e kompanive vendore që të jenë pjesë e edicionit të njëmbëdhjetë të Panairit. Znj. Hasani inkurajoi studentët dhe punëkërkuesit që të përfitojnë sa më shumë nga kjo mundësi gjatë këtyre dy ditëve, duke vlerësuar Panairin si mundësi unike për punësim.Ndërsa, Elton Ilirjani nga The HeadHunter potencoi se ky Panair është shumë praktik dhe i prekshëm nga të gjithë të rinjët. Ai gjithashtu njoftoi të pranishmit lidhur me studimin e bërë mbi tregun e punës, ku u shpreh i lumtur që mbi 2700 të rinjë janë përgjigjur në këtë pyetësor vetëm nga Kosova,gjë që tregon se rinia është shumë aktive dhe e vetëdijshme për të rejat që kërkon vendi i punës. Z. Ilirjani ftoi të gjithë të ndjekin punëtoritë dhe sesionet e përgatitura me qëllim të vetëdijësimit dhë këshllimit të të rinjëve se si të kërkojnë punë.

Përfaqësues nga Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) gjatë punëtorisë prezantuan Analizën e Boshllëqeve të Shkathtësive ndërsa akterë të ndryshëm relevantë patën mundësinë që të diskutojnë lidhur me përpjekjet të cilat po bëhen ashtu që fuqia punëtore në Kosovë të mund të plotësojë nevojat e kërkesës së tregut të punës.Në ditën e dytë, pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin prezantimin e studimit të realizuar nga kompania ‘the HeadHunter’ mbi Punësimin dhe Mirëqenien në Evropën Juglindore. Ky studim, të cilit iu përgjigjen 10 000 persona, mbi 2.700 vetëm nga Kosova, u realizua me qëllim që të hulumtohet vendi i punës në pesë vende të Ballkanit. Të gjeturat e këtij studimi ndër të tjera treguan se sektori privat është punëdhënësi më i madh me 66 % të punësuar.

Trajnimi i Shoqatave mbi Ciklin e Politik-bërjes

Më 16 prill 2014 Instituti D4D ka organizuar trajnimin e parë për shoqatat mbi ciklin e procesit të politik-bërjes për ligjvënie dhe qeverisje sa më të mirë dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Me përfshirjen e shoqatave në proceset vendimmarrëse, përfaqësuesit e institucioneve qeveritare do të kenë më të lehtë përpilimin dhe zbatimin e politikave publike. Temat kryesore të trajnimit kanë përfshirë qasjen e shoqatave në identifikimin e problemeve, vlerësimin e qëndrimeve politike, dhe mënyrat se si shoqatat duhet të ndikojnë në proceset e politik-bërjes. Trajnimi u zbatua në formë interaktive duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive të të gjithë shoqatave në mënyrë që praktikat më të mira të shkëmbehen gjatë ushtrimeve të planifikuara. Si rezultat i këtij trajnimi ishte krijimi i një udhërrëfyesi të shkurtë me metodat më të përsosura që shoqatat të ndikojnë më shumë në politikë. STIKK morri pjese ne kete takim duke shkembyer pervojen ne politik-berje.

STIKK mori pjesë në Triple Helix Project Workshop

Me datën 11 Prill 2014, STIKK morri pjesë në punëtorinë e organizuar nga grupi i OECD me perkrahje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Komisionit Evropian, me emrin “Triple Helix Project” në ambientet e kolegjit Universum, ku morrën pjesë delegatë nga institucione vendore, shoqeria civile dhe akademia.

Në këtë punëtori u bisedua më gjerësisht për rolin e OECD në implementimin e projektit Triple Helix, arritjet e ngjajshme në vendet tjera të Balkanit sikurse Bosnia dhe Kroacia, ngritjen e kapaciteteve për inovacion, dhe lidhjen midis trekëndëshit Qeveri-Universitet-Industri.

STIKK për herë të dytë përkrahë organizimin e takimit ALSSUG

Me datën 22 Mars, 2014 në hapësirat e ICK u organizua takimi i tretë me rradhë për ALSSUG, ku në këtë ngjarje ligjëruesit patën rastin të zhvillojnë ligjërime teknike me përvojë nga fusha të ndryshme për Database Administration dhe Database Development.

Takimin e hapi Dukagjin Maloku- SQL Server MVP/DBA ALSSUG me temë rreth Windows Azure, për të rejat e fundit dhe se cfarë duhet të dijmë për SQL Databases në Windows Azure.

Pastaj takimi vazhdoi me ligjeruesin e rradhës Florim Maxhuni, Programer në Raiffeisen Bank Kosovo me përvojë shumëvjeçare bazuar në C# me ndërlidhje të databazave në SQL Server i cili vazhdoi ligjërimin për qasjen e të dhënave nga .Net, krahasime nga e kaluara edhe e tanishmja.

Lamir Shkurti- Zhvillues i Databazave, prezantoj veglat për përmiresim të performances, si duhet të përdoren ato, qka duhet të anashkalojmë për performanca të këqija dhe si duhet të veprojmë kur përdorim Table Hint apo Temp&Variable.

Dhe në fund të ngjarjes prezantimin e vazhdoi Donika Bajrami, Zhvilluese e Softuerit dhe trajnere për SQL Server në Cacttus, me temën “Rëndësia për një strategji të rimëkëmbjes, konsideratat për backup, llojet e restore dhe konsideratat për strategji të backup-it”.

Në fund Dukagjin Maloku e mbylli takimin duke falenderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe gjithashtu bëri ftesë që në takimin e rradhës ti jepet mundësia per aplikim si prezantues për ata që kanë pervojë me SQL.

STIKK takohet me Doganat e Kosoves

Bazuar në kërkesën e anëtarëve te STIKK me datën 23.04.2014, organizoi takimin me z. Bujar Kelmendi, udhëheqës i sektorit për legjislacion dhe këshilla ku morën pjesë drejtoresha ekzekutive e STIKK znj. Vjollca Cavolli së bashku me përfaqësuesit e disa kompanive anëtare si Asseco, Cacttus, Art House, ITD Kosova, Ilir Kosova.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i problemeve administrative të importit të pajisjeve të TIK të cilat janë të liruara me ligj nga tatimi doganor, si dhe problemeve me të cilat janë duke u ballafaquar kompanitë e sektorit te TIK.

STIKK së bashku me kompanitë pjesëmarrëse si dhe me përkrahjen e doganave te Kosovës, u dakorduan që të punohet një manual interpretues mbi Ligjin Nr. 04/L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, me qëllim të lehtësimit të implementimit të ligjit në mënyrë adekuate.

Z. Kelmendi, shprehi gatishmëri e tij për të ndihmuar kompanitë dhe njëkohësisht u dakordua që pasi të punohet dokumenti të organizohet një takim me përfaqësuesit e doganave.

STIKK mbledh kompanitë e sektorit të TIK në Kuvendin e saj të gjashtë

Me datën 17.04.2014 në ambientet e Qendrës Inovative të Kosovës, u hap Kuvendi i gjashtë me radhë i Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës- STIKK.

Anëtarëve të STIKK iu drejtua Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, z. Bernard Nikaj i cili e përgëzoi Shoqatën për punën e bërë gjatë këtyre gjashtë viteve dhe e cilësoi STIKK-un si ”Shoqata më llogaridhënëse sa i përket qeverisjes së mirë ne krahasim me shoqatat tjera”. Ai cilësoi se ky sektor është përcaktuar si sektor prioritar i qeverisë dhe theksoi se: “edhe pse janë bërë disa lehtësime për sektorin në veçanti në politika fiskale, përpjekjet e Ministrisë do të vazhdojnë në krijimin e ambientit më të favorshëm duke thënë se ai personalisht do të jetë avokat i këtyre lehtësimeve.

Audiencës iu drejtua edhe përkrahësi i devotshëm i sektorit të TIK në Kosovë ambasadori Norvegjez z. Jan Braathu. “Industria e TIK të Kosovës ka arritur një zhvillim dhe rritje të mahnitshme brenda gjashtë viteve të fundit. Që nga fillimi i vitit 2008, Shoqata ka qenë pjesë integrale e këtij zhvillimi. Kam guximin të them se sektori i TIK të Kosovës është një ndër sektorët më të organizuar në Kosovë, madje edhe ne rajon- duke iu falënderuar STIKK” theksoi ambasadori që në fillim të fjalimit të tij. Ambasadori gjithashtu theksoi vështirësitë me të cilat sektori po ballafaqohet duke vënë theksin në dy më të rëndësishmet : edukimin dhe politikat qeveritare për ambientin e përgjithshëm biznesor. Ai gjithashtu tha se Qeveria Norvegjeze ka qenë përkrahëse e sektorit të TIK në Kosovë vite me radhë dhe se do të vazhdojë në këtë drejtim, megjithatë krahas kësaj duhet të kuptohet se suksesi përfundimtar do të varet nga vetë palët e interesit në Kosovë.

Z. Ilir Rexha nga GIZ gjithashtu e përgëzoi Shoqatën për punën e saj të deritanishme dhe theksoi se tashmë është themeluar një bashkëpunim i mirëfilltë Gjermano- Kosovar në këtë sektor, dhe se GIZ do të vazhdojë përkrahjen për STIKK dhe promovimin e sektorit në tregjet e jashtme.

Më pas z. Dardan Vokshi, Nën- Kryetar i Bordit të STIKK prezantoi punën e Bordit dhe aktivitetet ndërkombëtare të shoqatës. Ndërsa, Drejtoresha Ekzekutive e STIKK znj.Vjollca Çavolli prezantoi punën një vjeçare të Shoqatës.

Kuvendi vazhdoi punimet pasdite me ç’rast u miratuan ndryshimet në Statutin e STIKK dhe u zgjodhën 4 anëtarë të rinj të Bordit. Gjithashtu, kuvendi miratoi raportin vjetor të STIKK, u prezantua Plani i punës dhe buxheti për vitin 2014; u prezantuan dhe miratuan pakot e reja të anëtarësisë dhe u përzgjedh kompania e cila do të bëjë auditimin e Shoqatës gjatë tre viteve të ardhshme.

Kryeministri Hashim Thaci vizitoi STIKK

Më 11 Prill 2014, kryeministri i Kosovës Z. Hashim Thaci vizitoi STIKK dhe ICK, ku gjatë kësaj vizite kryeministri pati rastin të njoftohet më shumë për të arriturat e STIKK, zhvillimet në TIK, si dhe të mësoj më shumë për brengat dhe pengesat e sektorit TIK. Në takim ishin te pranishëm anëtaret e bordit z.Shkumbin Brestovci , z.Driton Hapciu, z.Enver Doko si the drejtoresha ekzekutive Vjollca Çavolli.

Gjate takimit, Kryeministrit iu prezantua dokumenti me ane te cilit u kërkuan këto pika:

– Të përcaktohet sektori i TIK, si sektor prioritar në kuadër të strategjisë zhvillimore të Kosovës;
– Krijimin e ministrisë së TIK dhe Inovacionit në mandatin e ardhshëm qeveritar;
– Heqjen e taksave për kompanitë e orientuara në eksport te shërbimeve;
– Zvogëlimi i TVSH-së për pajisjet e TIK nga 16% në 5%;
– Zgjerimi i listës për pajisjet e TIK të liruara nga taksa doganore;
– Rritja e financimeve publike për inovacionet dhe kërkim-zhvillim në sektorin e TIK;
– Përkrahjen e ndërmarrësisë dhe “StartUp”-ve ne sektorin TIK;
– Nënshkrimi i një marrëveshjeje për partneritet strategjik në mes të Qeverisë dhe STIKK me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit.

Kryeministri i Kosovës u pajtua me faktin që Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit duhet të jetë sektor prioritar për zhvillimin e vendit, ku Kosovaret do të kenë mundësi të bëhen një shtet që ka për bazë dijenin për zhvillimin e ekonomisë. Gjithashtu, Kryeministri u dakordua qe të na përkrah në krijimin e ministrisë së inovacionit dhe TIK, rritjen e financimit për TIK, përkrahjen e inovacionit dhe startups, si dhe nënshkrimin e një marrëveshje midis Qeverisë dhe STIKK-ut.

Dhurimi Vullnetar i Gjakut nga ICK | STIKK | Athene

Në ambientet e Innovation Centre Kosovo është mbajtur aksioni i dhurimit të gjakut që u organizua për të shënuar Ditën Botërore të Shëndetit – që çdo vit shënohet më 7 prill. Në aksionin për dhurimin vullnetar të gjakut kanë marrë pjesë 20 dhurues. Dhuruesit kanë qenë nga Innovation Centre Kosovo (ICK), STIKK, Athene Kosovo, ekipet e inkubatorit të ICK-së dhe njerëz të tjerë që nuk janë pjesë e qendrës. Aksioni i dhurimit të gjakut u mbajt në zonën “Events Area”, ku në dispozicion ishin 5 shtretër që sëbashku me pajisjet tjera përcjellëse të siguruara nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.